Viti 2013 ka nisur me rritje të çmimeve të konsumit. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, inflacioni për muajin Janar u rrit në 2.7 për qind, nga 2.4 për qind që ishte në muajin dhjetor dhe 1.6 për qind që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Inflacioni sërish ka njohur një rritje të lehtë, megjithë vlerësimet e vazhdueshme për një kërkesë të dobët në ekonomi.Rritja sipas INSTAT lidhet me faktorë të ofertës dhe kryesisht me rritjen e çmimeve të mallrave të importit, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para. Instat publikoi edhe informacion për ndryshimin e thjeshtë mujor të çmimeve. Gjatë muajit janar, rritje njohën çmimet e grupit të “Ushqimeve”, ndërsa në rënie ishin çmimet për grupet “Veshje” dhe “Transporti”. Në janar, inflacioni regjistroi vlerën më të lartë që nga gushti i vitit të kaluar, megjithatë është ende në intervalin e poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë.