Duket se një ndër shkaqet kryesore të nivelit të ulët të lindjeve në Japoni i detyrohet faktit që të rinjtë janë më të joshur nga kënaqësitë emocionale dhe erotike virtuale sesa reale
Situata e meshkujve japonezë sot tregohet në një artikull të “The Guardian”, ku i mëshohet idesë se ata e kanë humbur plotësisht virilitetin e tyre dhe duken të mosinteresuar për dashurinë dhe seskin në jetën reale, duke preferuar atë virtual. Në Japoni i quajnë “njerëz barngrënës” (“herbivores”, të pa interesuar për mishin, për seksin, subjekte pak konkurrues në aspektin fizik dhe atë të punës), por njihen edhe si hikikomori (njerëz të tërhequr nga jeta sociale).
Të moshuarit që kanë jetuar periudhën e vështirë të luftës, i konsiderojnë këta njerz si “as mish as peshk”, por diçka të ndërmjetme. Siç dihet, Japonia nuk po kalon një fazë të lumtur në historinë e saj: ekonomia nuk po bën përpara, edhe nga këndvështrimi gjeopolitik vendi po e pakëson rëndësinë e tij, i shtypur nga superfuqia kineze, për të mos folur pastaj për fatkeqësitë natyrore që e kanë përndjekur gjatë viteve të fundit dhe për krizën e vazhdueshme bërthamore. Por, askush nuk mund të priste këtë reagim në sjelljen seksuale të të rinjve. Në të dhënat e fundit të një studimi qeveritar rreth 61% e meshkujve japonezë të pamartuar pohojnë se nuk kanë një të dashur dhe 45% e tyre thonë se as nuk janë të interesuar që ta gjejnë.
Duke parë yjet e reja të muzikës japoneze dhe koreane, duket se në këtë pjesë të planetit meshkujt e kanë humbur plotësisht burrërinë e tyre. Nga pamja e jashtme edhe mund të mos i dallosh nga femrat. E megjithatë, Japonia u rindërtua me një shpejtësi të paprecedent nga rrënojat e e Luftës së Dytë Botërore, deri sa u bë një fuqi ekonomike dhe teknologjike pikërisht falë aftësive të punës dhe konkurrencës brenda forcës punëtore. Si shpjegohet atëherë ky deformim brezash, njësoj si dhe indifernca e meshkujve ndaj seksit?
Teoritë janë të shumta. Një nga këto është se gratë japoneze janë bërë më të forta në aspektin social dhe ekonomik, ndërsa burrat e kanë lënë veten të pushtohen nga bota virtuale në atë pikë sa e preferojnë në vend të realitetit. “Nuk më pëlqejnë gratë e vërteta. Janë shumë kërkuese. Më pëlqen një mijë herë më shumë që të kem një të dashur virtuale”, deklaron një i ri në “2channel”, faqja online më e madhe dhe aktive në Japoni.
Për të dashurat virtuale flitet shumë qëkur prodhuesi i videolojërave japoneze, “Konami”, hodhi në treg lojën “Love Plus +” për Nintendo DS. Këta japonezë të tërhequr nga dashuritë virtuale emërtohen edhe si otaku, persona asocilë dhe hiperobsesivë që e kërkojnë ngushëllimin në botën imagjinare, por në një mënyrë shumë të ndryshme nga ç’bëjnë në realitet artistët dhe shkrimtarët. Megjithatë këta të rinj, ekspertë të teknologjisë përfundojnë duke gjetur gratë më pak tërheqëse në realitet.
Është e qartë se nuk mund të kesh raporte seksuale me grafikën dixhitale , por sigurisht është e mundur të eksitohesh seksualisht dhe të provosh kënaqësi i vetëm. Ja mënyra sesi japonezët e konceptojnë seksin. “Ndoshta jemi vetëm qenie njerëzore të avancuara. Ndoshta kemi mësuar të jemi plotësisht në shërbim të vetvetes”, citohet një gazetare japoneze nga “The Guardian”./D.Gjuzi