Kryetari i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Arjan Jaupllari, ka reaguar ndaj vendimit më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë për ngritjen e një task force për kontrollin e dhënies së antibiotikëve nga farmacistët.
Në një deklaratë për mediat, kreu i farmacistëve përshëndeti nismën por theksoi se dhënia e antibiotikut nga dora e farmacistit nuk është vrasëse ashtu siç thuhet, por dhënia e tyre nga dora e joprofesionistëve, që janë me dhjetëra farmaci të palicencuara në Tiranë dhe që ne ia kemi bërë me dijeni qendrës së kontrollit të barnave, dhënia e tyre nga mjekët veterinerë në farmacitë veterinare është një nga problemet më të mëdha të sistemit tonë shëndetësor.
Sipas tij, shkak i dhënies së antibiotikëve pa recetë është dhe presioni që bëjnë qytetarët ndaj farmacistit si pasojë e mospërballimit të faturës së vizitës te mjeku sidomos për të pasiguruarit.
“I bëj thirrje farmacistëve: Mos abuzoni me antibiotikët, ju jeni profesionistë, zbatoni kompetencat. I bëj thirrje gjithashtu dhe qytetarëve të mos bëjnë presion pasi antibiotikët shërojnë, por nëse përdoren pa kriter, mund të vrasin”, tha Jaupllari.
Në lidhje me ngritjen e Task Forcës, kreu i urdhrit të farmacistëve kërkoi hartimin menjëherë të rregullores për përshkrimin e recetës e cila mungon prej vitesh.
Pranvera Kola
“Në rregullore duhet të përshkruhen qartë detyrimet që ka çdo profesionist, kush ka të drejtë të lëshojë receta me antibiotikë apo receta të tjera, pastaj të ngrihen task forca, sepse shpesh herë ato përfundojnë në një punë një javore e pastaj mbaron këtu.
Të gjithë bashkë duhet të bashkëpunojmë për të minimizuar këtë fenomen që dëmton rëndë shëndetin e pacientit”, deklaroi Jaupllari.