Java 19 / Tirana, e vetmja që fiton në transfertë

redaktor

Kategoria Superiore rifillon me surpriza duke premtuar garë të hapur deri në fund. Java e parë e fazës së 3-të regjistron 5 fitore, 4 për vendasit dhe një për udhëtueset, 11 gola të shënuar me një mesatare mbi 2 realizime për ndeshje.

Padiskutim që surpriza e javës është fitorja 1-0 e Vllaznisë ndaj kampionëve të Skënderbeut. 7 ditë pas barazimit pa gola në Kupë skuadrat u përballën në të njëjtin stadium për kampionat.

Shkodranët kanë treguar që ndryshimi i trajnerit, por mbi të gjitha klima pozitive e krijuar rreth skuadrës mund të na dhurojë një ekip me ritëm tjetër dhe synime të ndryshme nga pjesa e parë e sezonit.

Krejt e kundërta ishte panorama te korçarët, të cilët në një humbje të tillë kanë dhuruar një nga ndeshjet më të dobëta të sezonit.

Nga frenimi i Skënderbeut përfitoi Partizani, që falë fitores 2-0 ndaj Laçit i bashkohet në krye kampionëve me pikë të barabarta. Ashtu si Skënderbeu, edhe 15 herë kampionët e vendit kishin përballë të njëjtin kundërshtar, Laçin, por me ndryshimin që luanin në “Qemal Stafa”.

Të kuqtë nuk zhgënjyen në debutimin përpara tifozëve të tyre, për më tepër që golat u shënuan nga sulmuesi Racic, që nuk ka kaluar një periudhë të mirë dhe Emiliano Vila i rikthyer në skuadër.

3 gola për 3 pikë i sigurojnë vendin e 3-të Tiranës, që regjistroi të vetmin sukses në transfertë.

Bardheblutë mposhtën 1-3 Tërbunin teksa në skuadrën e parë debutoi edhe 19-vjeçari Anxhelo Mumajesi. 24 herë kampionët përfituan nga humbja e Teutës në Vlorë për të marrë vendin e 3-të në kampionat, por duke shkurtuar edhe me 11 pikë diferencën me kreun.

“Djemtë e detit” nuk arritën të befasonin Flamurtarin ashtu si në premierën e sezonit, duke humbur dy vende në klasifikim.

Për kuqezinjtë fitorja minimale, por mbi të gjitha loja e treguar, shihet si një pikënisje për projektin e ri, teksa konfirmimi duhet të vijë me kalimin e javëve.

Nga ndalesa e Teutës përfitoi Kukësi, që në shtëpi bëri detyrën ndaj Bylisit, me fitoren e pastër 3-0. Për nënkampionët kjo është sfida e dytë që regjistron këtë rezultat në sezonin aktual, si dhe fitorja e 3 në kampionat që kur në drejtimin e skuadrës është vendosur Klodian Duro. Humbja ka lëkundur pozitat e ballshiotëve, të cilët kanë përpara një mal për të kaluar, duke parë fitoret e Flamurtarit dhe Vllaznisë që shihen si rivalët për mbijetesë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *