Java e 12-të e Superiores, zhgënjen vetëm Kukësi

redaktor

Java e 12-të e Kategorisë Superiore foli përgjithësisht për skuadrat e mëdha apo të ashtuquajtura pretendente, ku përjashtim bën Kukësi, që me humbjen në Durrës zhvlerësoi në njëfarë mënyrë suksesin e një jave më parë me korçarët.

Katër fitore u arritën nga skuadrat vendase, ndërsa Tirana ishte i vetmi ekip që triumfoi në transfertë. Në fakt, kalendari favorizonte dy skuadrat kryesuese, Skënderbeun dhe Partizanin, që nuk zhgënjyen në sfidat respektive me Tërbunin dhe Vllazninë. Formacioni i Mirel Josës, edhe pse me mungesa të shumta sidomos në repartin e mesfushës, e ktheu në stërvitore ndeshjen me pukjanët, të cilët pësuan katër gola. Salihi, Berisha dhe dy herë Progni vulosën shifrat 4-0 në stadiumin “Skënderbeu”, ku binte në sy prania e paktë e tifozërisë vendase, ndoshta e ndikuar edhe nga moti i paqëndrueshëm.

Një ditë më pas Partizani vuajti shumë për të marrë maksimumin e pikëve ndaj Vllaznisë, që rezistoi deri në minutën e 90-të, por një pasiguri në rreshtim i dha mundësi Fazliut t’u jepte vendasve një trepikësh me shumë vlerë. Presioni i rezultatit në kampin e kuq u ndje aq shumë sa edhe trajneri Starova u dëmtua në momentin e festimit të golit të vetëm të sfidës.

U rikthye te fitorja edhe Tirana e Ilir Dajës, që mposhti 1-0 në transfertë Bylisin falë një perle të Elis Bakajt. Bardheblutë nuk lejuan që skuadrat kryesuese të krijonin një distancë më te thellë, duke mbajtur gjallë shpresat për të rivalizuar edhe për titullin kampion.

Vazhdon të befasojë në Kategorinë Superiore Teuta e Gugash Maganit, që shënoi ndaj Kukësit fitoren e tretë radhazi dhe të shtatën sezonale në Superiore. Goli i Bruno Ditës shkaktoi tërmet në kampin kuksian, pasi humbja në “Niko Dovana” u konsiderua e papranueshme nga presidenca kuksiane vetëm pak ditë pas suksesit me Skënderbeun në “Zeqir Ymeri”.

Rikthim në shtëpi dhe festë për Laçin e Armando Cungut, që triumfoi me përmbysje 2-1 me Flamurtarin, duke e përuruar në mënyrën më të mirë të mundshme terrenin e impiantin kurbinas. Valdano Nimani dhe Emiljano Veliaj nga pika e bardhë e penalltisë e bënë të pavlefshëm golin e Fustar në pjesën e parë. Pas gjashtë takimesh pa fitore, laçianët arritën më në fund të merrnin maksimumin e pikëve, duke kthyer besimin për ngjitjen sa më të shpejtë në renditje, në funksion të objektivit kryesor që mbetet pjesëmarrja në Europa League sezonin e ardhshëm.

Vazhdon të zhgënjejë Flamurtari, që regjistroi humbjen e 6-të në kampionat në 12 javët e para. Në 6 ndeshjet e fundit kuqezinjtë kanë arritur të grumbullojnë vetëm tre pikë me 3 barazime dhe po kaq disfata.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *