Java e 20-të, mungojnë përballjet direkte

redaktor

Java 20-të e Kategorisë Superiore eviton përplasjet midis rivalëve për titull të cilët duhet të kalojnë pengesat e kësaj jave për të treguar forcën në sfidat direkte. Kukësi pret i qetë Elbasanin që duket se ka prerë biletën për të rënë nga Kategoria Superiore.

Kampionët e dimrit rikthehen të luajnë në Zeqir Ymeri, aty ku mungojnë që nga 17 dhjetori në sfidën e fituar ndaj Tiranës. Formacioni i Shaqirit pritet të evitojë surprizat pasi jo vetëm luan me një nga dy skuadrat e fund tabelës, por edhe sepse nga merkato Elbasani është dobësuar me largimet e shumta.

Por nëse Kukësi ka një kundërshtar të lehtë në letër, nuk ndodh kështu me Skënderbeun dhe Partizanin, dy skuadrat që java e 20 i vendos përballë skuadrave të vështira për t’u mundur. Kampionët presin në shtëpi Laçin, që synon të afrohet sa më shumë për të kapur zonën e Europës.

Korçarët do të duhet të luajnë pa sulmuesin e tyre Peter Olainka i pezulluar nga komisioni i apelit. Në këtë mënyrë do të mungojë derbi i nigerianëve, me kurbinasit që shpresat e golit i kanë varur tek James. Laçi ka fituar ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar në shtëpinë e Skënderbeut, teksa në fazën e parë u mposhtën 2-0.

Por në këtë moment Laçi ka përmirësuar ndjeshëm organikën dhe mund të shkaktojë surprizën në Korçë. Në Fier, Apolonia pret Partizanin, në një sfidë ku përpara publikut do të prezantohet me blerjet e reja.

Ndaj Partizanit bilanci është i barabartë me skuadrat që kanë marrë nga një fitore në dy ndeshjet e luajtura. Për bardhejeshilët ky duket treni i fundit për mbijetesën, edhe pse ndaj të tillë rivali si Partizani është e vështirë të triumfosh. Në “Niko Dovana”, Teuta pret Vllazninë me skuadrat që kanë ndarë nga një fitore në dy fazat e para.

E veçanta është se suksesi ka ardhur në transfertë, me kuqeblutë që kanë triumfuar në fazën e parë në Durrës dhe djemtë e detit që kanë befasuar “Loro Boriçin” në fazën e dytë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *