Java e 22-të me sfida direkte për Europën dhe mbijetesën

redaktor

Kategoria Superiore është futur në një fazë ku gabimet mund të rezultojnë fatale për objektivat sezonale.

Në javën 22-të spikatin disa përplasje direkte, si për mbijetesë ashtu edhe për kreun e klasifikimit. Sot sipas kalendarit do të luhet Laçi – Bylis dhe Teuta – Tërbuni në orën 14:00 dhe Flamurtari – Vllaznia në orën 17:00.

Dy skuadrat që mbyllin klasifikimin e përgjithshëm, Bylis dhe Tërbuni do të ketë transfertë të vështirë përballë kundërshtarëve që nuk mund të lëshojnë në fushat e tyre.

Kështu në Laç, kurbinasit do të synojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë ndaj ballshiotëve për ta ngushtuar në 7 pikë diferencën me Tiranën e vendin të tretë.

Formacioni i Stavri Nicës si objektiv parësor ka Kupën e Shqipërisë, megjithatë matematika e lejon ta pretendojnë zonën europiane edhe nëpërmjet kampionatit.

Në fakt vendi i tretë mbetet mundësia e vetme e Teutës për të luajtur në Europa League sezonin e ardhshëm, pasi “Djemtë e Detit” u eliminuan në Kupa.

Teuta, e cila pret një skuadër që vetëm matematika e mban në Superiore, është vetëm 4 pikë larg Tiranës, distancë që mund të shkojë në vetëm 1 nëse fitorja e mundshme e formacionit të Maganit shoqërohet një humbje të bardhebluve me Skënderbeun në Korçë.

Një përballje direkte është ajo Vlorës mes Flamurtarit dhe Vllaznisë, që kërkojnë t’i largohen sa më shumë zonës së ftohtë.

Për kuqezinjtë fitorja para publikut vendas është detyrim, sidomos pas zhgënjimit që pësuan me Laçin në javën e 21-të. K

ualifikimi në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë ka krijuar një atmosferë shumë pozitive në skuadrën e Ramadanit, por nuk janë më pak optimistë edhe shkodranët, që pavarësisht eliminimit nga Kupa, mbështeten te lojërat e mira që kanë zhvilluar në kampionat gjatë 2016-ës.

Java e 22-të e Superiores ul siparin me dy superndeshjet e së hënës, ku përballen mes tyre katër skuadrat e kreut.

Në Korçë Skënderbeu do të tentojë fitoren e tretë radhazi në këtë sezon ndaj bardhebluve, të cilët udhëtojnë drejt Juglindjes me disa mungesa të rëndësishme.

Trajneri Ilir Daja, përveç Bulkut dhe Vucajt nuk do të ketë nën urdhrat e tij Smajlin dhe Muçën, por fatmirësisht rikthehen në organikë Bakaj dhe Malaj.

Në “Qemal Stafa” luhet një tjetër sfidë e nxehtë mes Partizanit dhe Kukësit, që mund të vendosë shumë për garën e titullit, por edhe për vendin e tretë, pasi formacioni i Klodian Duros, përveçse nëpërmjet Kupës, e synon Europën edhe nëpërmjet kampionatit.

Të kuqtë duhet të bëjnë në këtë ndeshje pa shërbimet e Mentor Mazrekajt, që mund të kthehet në 100% të formës së tij vetëm në derbi ndaj Tiranës, ndërsa nënkampionët e Shqipërisë kërkojnë të thyejnë tabunë “Qemal Stafa”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *