Java e 23 e Superligës me spektakël dhe rekorde

redaktor

Java 23 u mbyll në mënyrën më spektakolare, me supersfidën Skënderbeu-Kukësi që dhuroi emocione të veçanta.

Një 90 minutësh për t’u vendosur në kornizë por që nuk dhuroi asnjë fitues. Megjithatë pika e fituar i shkon për shtat verilindorëve që marrin të vetëm kreun dhe për më tepër mbajnë me 3 pikë prapa kampionët.

Pavarësisht se nuk fitoi Skënderbeu konfirmohet si skuadra me sulmin dhe mbrojtjen më të mirë pas sfidës së kësaj jave, ndërkohë që Kukësi regjistron barazimin e tretë sezonal, duke patur kështu numrin më të ulët të barazimeve këtë sezon. Formacioni i Shaqirit shkon i qetë në transfertën e Fierit javën e ardhshme, teksa Skënderbeu do të udhëtojë në Niko Dovana për t’u përballur me Teutën.

Përvec spektaklit të dhuruar në Korçë kjo javë ka sjellë dhe rekordin negativ të Tiranës, që njeh humbjen më të thellë sezonale në fushën e Laçit. Humbja 3-0 është dhe më e thella për trajnerin Magani në drejtimin e bardhebluve teksa kurbinasit konfirmohen si macja e zezë për kryeqytetasit.

Ky sukses i skuadrës së drejtuar nga Cungu e çon atë më pranë vendit të tretë që mbetet një objektiv i tyre në kampionat.

Ekipi që ka përfituar më shumë nga kjo javë e 23 është Partizani që në Loni Papuçiu të Fierit triumfoi ndaj Teutës në sfidën shtëpiake. Suksesi 2-1 ndaj “Djemve të Detit” i afron në 4 pikë me Kukësin kryesues duke e bërë renditjen e katërshes së kreut të ngjeshur.

Të kuqtë me fitoren e kësaj jave të kombinuar dhe nga rezultatet e rivalëve janë rikthyer sërish në garë, ku vetëm një fitore e ndan nga Tirana i vendit të dytë.

Fitoren e tretë radhazi në kampionat regjistron Flamurtari, që dy minuta përpara fundit iu fal sulmuesit Buval për të arritur këtë sukses të rëndësishëm. Kuqezinjtë kishin që nga prilli i vitit të kaluar që nuk fitonin tre ndeshje radhazi në kampionat, teksa djemve të Ramellas i është shtuar oreksi dhe ëndërrojnë për një vend në europë nëpërmjet kampionatit.

Për Elbasanin kjo humbje ishte një goditje e madhe teksa shpresat për mbijetesë veniten javë pas jave.

Arritjen e këtij objektivi duket se po e përmbush Vllaznia që në Loro Borici triumfoi ndaj Apolonisë në një sfidë direkte për të shkelmuar krizën e 5 humbjeve radhazi në kampionat. Një sukses që solli qetësinë në ambientin kuqeblu dhe për më tepër erdhi ndaj një rivali direkt, të cilëve këtë sezon i ka marrë pikët e plota në tre ndeshjet e luajtura.

Me këtë humbje Apolonia sheh akoma më pranë kategorinë e parë, teksa bardhejeshilët nuk shënojnë në kampionat që nga 9 nëntori i vitit të kaluar.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *