Katër skuadrat më të mira të Shqipërisë vijojnë luftën për titullin kampion. Rezultati i derbit i kryeqytetit Tirana-Partizani, jo vetëm i mbajti në garë të kuqtë për trofenë më të rëndësishëm të futbollit në vend, por riktheu besimin e tifozerisë që në javët e fundit kishte shfaqur hapur pakënaqësinë për eliminimin nga Kupa dhe ecurinë me luhatje në superiore.
Partizani tashmë favorizohet edhe nga kalendari për të ngushtuar diferencën me kryesuesit, pasi luan tri ndeshje radhazi në “Qemal Stafa” me Elbasanin, Laçin dhe Apoloninë. Këtë të hënë në kuadër të javës së 27-të të Superiores, të kuqtë presin verdheblutë e Muharrem Dostit, tashmë të dorëzuar plotësisht në garën për mbijetesë. Në këtë kontekst, për formacionin e Shpëtim Duros fitorja konsiderohet një formalitet, pasi Elbasani ka nisur që tani të mendojë për sezonin e ardhshëm në kategorinë e parë, duke aktivizuar elementët e rinj.
Situata është krejt ndryshe në kampin bardheblu, ku e kanë të vështirë ta kapërdijnë humbjen e dytë radhazi në derbi, që mund të ndikojë në ecurinë e mëtejshme të sezonit. Dhe sikur të mos mjaftonte ky fakt, Tirana në javën e 27-të do të vizitojë “Niko Dovanën”, ku Teuta nuk mund të lërë më pikë, pasi i rrezikohet seriozisht mbijetesa. Djemtë e Detit në këto 26 javë kanë grumbulluar vetëm 3 pikë më shumë se Apolonia, që me dy fitore dhe një barazim në 3 ndeshjet e fundit, kanë të drejtë të besojnë te mbijetesa.
Skuadra e Artan Mërgjyshit do të jetë para një prove shumë të vështirë në transfertë me Laçin, në një fushë ku kanë rënë edhe skuadrat e madha të futbollit shqiptar. Kuribinasit kanë si objektiv pjesëmarrjen në Europa League, objektiv që tani mund të arrihet si në Kukë ashtu edhe në kampionat. 3 pikë diferencë më Partizanin dhe Tiranën janë shumë pak për një skuadër që ka arritur një rekord fitoresh gjatë 2015.
Një tjetër skuadër pretendente për titull, Kukësi, kërkon të rikthejë qetësinë me një fitore në shtëpi me Flamurtarin. Që zëvendëstrajneri Edmond Dalipi dhe drejtori teknik Ramadan Shehu të mos jenë “largimet e vetme në kampin verilindor, kërkohet medoemos fitorja me kuqezinjtë. Ky në fakt ka qenë kushti i numrit një të nënkampionëve të Shqipërisë për trajnerin Artim Shaqiri, i cili duhet të patjetër të marrë 6 pikë në dy takimet e radhës.
