Java e 33, mundësi e artë për Skënderbeun

Dita

Skënderbeu bëhet gati të hedhë një tjetër hap të sigurt drejt titullit të pestë radhazi kampion në Kategorinë Superiore. Në javën e 33-të korçarët do të presin në stadiumin “Skënderbeu” Teutën, me synim thellimin e diferencës me ndjekësen më të afërt, që është Tirana, që për të ruajtur hapin e kryesuesve duhet patjetër të fitojë në derbin e të hënës me Partizanin.

Në Korçë besojnë se çështja e titullit praktikisht do të vendosët në përfundim të kësaj jave, por formacioni i Mirel Josës e ka të qartë se për të mundur “Djemtë e Detit” kërkohen shumë përqendrim. Teuta ka nevojë emergjente për pikë për objektivin mbijetesë, ndaj do të japë gjithçka në këtë transfertë për të mos humbur. Edhe precedentët e sezoneve të fundit janë një paralajmërim për korçarët, që gjithmonë kanë hasur vështirësi në përballjet me durrsaket.

Në tri përballjet e këtij sezoni Skënderbeu ka mundur të triumfojë dy herë, në Korçë dhe në Durrës, ndërsa në fazën e parë u kthyen pa pikë nga “Niko Dovana”. Një rrëshqitje këmbë në shtëpi mund të rezultojë fatale për titullin ndaj drejtuesit e Skënderbeut i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë përgatitjes se kësaj sfide sidomos në anën psikologjike.

Praktikisht jashtë garës për titull, Kukësi synon ta mbyllë sezonin në një pozicion të sigurt për Europa League, edhe pse këtë objektiv mund ta sigurojë në rast suksesi në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit. Në “Zeqir Ymeri” nënkampionët e Shqipërisë do të presin Apoloninë, e cila udhëton drejt verilindjes me entuziazmin e fitores së fundit me Vllazninë. Në këtë fushë të vështirët fierakët morën një barazim pa gola në fazën e dytë, çka e bën të besojë formacionin e Mërgjyshit se mund të tentojnë madje edhe fitoren.

I distancuar 6 pikë nga Kukësi dhe Partizani, Laçi i favorizuar nga kalendari beson se mund të parakalojë të paktën një kundërshtar në renditje. Në sfidën e radhës kurbinasit presin në shtëpi Flamurtarin, një kundërshtar pa objektiva që po u jep hapësirë futbollistëve të rinj.

Një sfidë me vlerë vetëm statistikore luhet në Pogradec mes Elbasanit dhe Vllaznisë, pasi asnjë nga këto dy skuadra nuk ka objektiva për këtë sezon. Formacioni i Muharrem Dostit është praktikisht në Kategorinë e Parë ndërsa kuqeblutë e kanë siguruar mbijetesën.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *