Kategoria Superiore ka zgjidhur të gjitha dilemat një javë përpara fundit. Kampionati që ka rezultuar më i luftuari dhe më i bukuri në 20 vitet e fundit, ka mbyllur gjithçka 90 minuta përpara fundit. Skënderbeu me fitoren e arritur në shtëpi ndaj Flamurtarit zyrtarizoi titullin e 5-të radhazi kampion, një rekord për kampionatin shqiptar, duke bërë në të njëjtën kohë që transferta ndaj Vllaznisë në javën e fundit të luhet në Korçë, aty ku do të dorëzohet edhe trofeu i larë prej ari. Në një sfidë aspak të lehtë kampionët kanë triumfuar me nga një gol për çdo pjesë, teksa merita shkon edhe për Flamurtarin që respektoi garën duke ia bërë të vështirë vendasve konfirmimin e titullit.
Nga titulli kampion tek zona europiane ku janë konfirmuar dy skuadrat që do ti bashkëngjiten Skënderbeut në kompeticionet europiane. Me triumfin ndaj Tiranës, Kukësi mbyll llogaritë në kampionat dhe kthen vëmendjen te finalja e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit. Humbja 1-4 e bardhebluve në “Zeqir Ymeri” konfirmon sezonin e dështuar, me fatin e 24 herë kampionëve në Europë që mbetet në duart e Kukësit, që duhet të fitojë Kupën për ‘ti dhënë mundësinë kryeqytetasve të garojnë në arenën Europiane.
Në “Qemal Stafa”, Partizani i afrohet më shumë përmbushjes së misionit dhe objektivit të vendosur që në fillim të sezonit, pjesëmarrjen në Europë. Ndaj Vllaznisë duhej fitorja dhe të kuqtë morën pikërisht këtë rezultat, edhe pse me një gol të vetëm të ardhur nga pika e penalltisë. Tashmë në transfertën ndaj Elbasanit në javën e fundit formacionit të Duros i nevojitet vetëm një pikë për të zyrtarizuar rikthimin në kompeticionet europiane.
Në garën për Europën detyrën ka bërë edhe Laçi që në shtëpi ka triumfuar ndaj Elbasanit, edhe pse për ta sfida më e rëndësishme mbetet finalja e Kupës ndaj Kukësit. Apolonia është skuadra që i bashkohet Elbasanit në rrugën e Kategorisë së Parë, pasi në “Niko Dovana” u mposht në ekstremin e sfidës nga Teuta në një përballje direkte. “Djemtë e detit” siguruan mbijetesën me shumë vuajtje, duke konfirmuar qëndrimin në mes më të mirëve edhe për sezonin e ardhshëm.
