Java e parasë, aktivitete ndërgjegjësuese për edukimin financiar

Bora Basholli

Në të gjithë globin, kjo javë i është dedikuar edukimit financiar të fëmijëve me qëllim që brezi i ri në të ardhmen të mund të marrë vendime të mirë menduara.

Slogani botëror i përzgjedhur nga organizatat ndërkombëtare është “Mëso, kurse, fito”, ndërsa në Shqipëri Banka Qendrore mendoi ta zgjeronte tematikën.

“Ne si pjesëmarrës aktiv në veprimtaritë e kësaj jave kemi zgjedhur të fokusohemi tek edukimi i të rinjve për të mënjanuar përdorimin e gabuar të termave “lek i ri” dhe “lek i vjetër” në marrëdhëniet tona të përditshme financiare. Motoja jonë për këtë vit është “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër!”

Përmes orëve të hapura mësimore, vizitave në Muzeun e Bankës së Shqipërisë e konkurseve, nxënësit e të gjitha grupmoshave përgjatë gjithë javës së parasë morën leksione si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të fitojnë të ardhura e të vendosin bazat për të ardhmen e tyre.

Evente që ndodhin në të gjitha shtetet e Europës po i ndjek dhe Banka e Shqipërisë. I tillë ishte dhe kuic me 200 nxënës nga të gjitha shkollat e Shqipërisë.

Ata u ndanë në 149 skuadra me nga dy persona dhe testuan njohuritë e tyre financiare përmes pyetjesh nga më të thjeshtat e deri më të komplikuarat.

Nxënësit duhet të zgjidhnin formulat për probleme me pagesën e normave të interesit të kredisë apo zbatimin e mënyrës së taksimit.  Më shumë se gjysma e tyre iu përgjigjen saktë të gjitha pyetjeve.

Fitoren e përcaktoi koha e dhënies së përgjigjeve. Shkolla “Emin Duraku” në Tiranë fitoi vendin e parë dhe të tretë, ndërsa të dytët u renditën nxënësit e shkollës “Sotir Gura” në Korçë.

Fituesit  e vendit të parë do të përfaqësojnë Shqipërinë në muajin Maj, në konkursin që do të zhvillohet mes të gjitha shteteve të Europës në Bruksel.

Ndërsa vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zgjodhi ta japë mesazhin e tij në një leksion të hapur në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Kreu i Bankës Qendrore njohu studentët me mënyrën sesi Banka e Shqipërisë krahas objektivit për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve i ka dhënë përparësi dhe objektivave që lidhen me stabilitetin financiar.

“Stabiliteti i sektorit bankar mbetet themelor për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit.

Paralelisht, janë përmirësuar edhe proceset e brendshme dhe ndërinstitucionale, që vendimmarrja finale e institucionit të reflektojë në mënyrë të përshtatshme këndvështrimet monetare dhe financiare.

Me këto ndryshime, në zbatim të përgjegjësive ligjore, Banka e Shqipërisë i përgjigjet më mirë sfidave të kohës dhe vijon pandërprerë procesin e modernizimit të saj”. 

Ky është viti i gjashtë që Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe partnerëve të tjerë, bëhen pjesë e këtij kremtimi, duke synuar të ofrojnë një program sa më interesant e tërheqës për përfshirjen e një numri sa më të madh nxënësish dhe studentësh në aktivitetet edukuese./Abc  News

 

b.b/dita

Share This Article
1 Comment
  • Po ju tregojë një histori të vërtetë. Bëra një cikël leksionesh të matematikës financiare për kualifikimin e disa agjentëve shitës të produkteve të sigurimit të jetës. Nuk kuptuan pothuajse asgjë. Unë u bëra pyetjen në se ata kishin bërë kurse të tjerë kualifikimi. Përgjigja e tyre ishte: “kemi bërë kurse për të folur me mirësjellje dhe kemi zhvilluar ushtrime me pasqyrë që buzëqeshim sa më bukur. Duhet ti marrim firmën me çdo kusht klientit dhe jo ti spjegojme perfitimin financiar…!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *