Njësia e parë e madhe e UNÇL
28 maj 1944
Formohet Divizioni I Sulmues, njësia e parë operative e Ushtrisë Nacionalçlirimtare
Divizioni I Sulmues u formua mbi bazën e Brigadës së Parë, të Brigadës së Katërt dhe të Pestë Sulmuese dhe kompaninë e shtabit të divizionit. Kishte 3000 luftëtarë. Ka kryer detyra me rëndësi strategjike sidomos në operacionin e Qershorit 1944. Nga 26 qershori deri më 13 shtator çliruan gjithë Shqipërinë e Mesme dhe një pjesë të krahinave të Shqipërisë së Veriut. Me riorganizimin UNÇL, më 18 nëntor, në përbërje të Divizionit të parë Sulmues u futën edhe Brigadat e X, XII dhe XV Sulmuese.
“Big Ben”-i i famshëm i Londrës
30 maj 1859
Ora e famshme në Westminster “Big Ben” rreh për të parën herë në Londër
Big Ben është një ndër kullat e sahateve më të njohur në botë. Kulla Big Ben gjendet në Londër në Angli, “United Kingdom” Mbretëria e Bashkuar. Kulla është bërë një nga simbolet më të shquar të Mbretërisë së Bashkuar, është 96 metra e lartë. Sivjet mbush 155 vjet. Ajo është një nga mrekullitë e botës. Në vitin 2012, me vendim të Dhomës së Përfaqësuesve, me një ceremoni madhështore Kullës iu ndryshua emri, nga Kulla e Sahatit, në kulla “Elizabeth Kulla ” në nder të Mbretëreshës që e krijoi.
Paganini, virtuozi më mahnitës i shekujve
27 maj 1840
Vdes kompozitori i shquar, violinisti Nikolo Paganini
Nikolo Paganini në historinë e muzikës shkëlqen si krijonjës i teknikës moderne të violinës. Ky gjenovez i madh arrin të transformojë violinën në një orkestër të tërë, që është në gjendje të nxjerrë ngjyra më fantastike. Një herë gjatë një koncerti iu këput teli mi (dikush thotë se e këputi vetë me thua), po amos e pandehmi se e humbi toruan ai? Jo, aspak, vijoi si pa të keq, duke nxjerrë tingujt e hollë nga teli tjetër la. Një herë tjetër këputi vetë dy telat e mesit dhe me telat sol dhe mi improvizoi një koncert, që shprehte murmurisjen e trashë të një xhelozi me zërin e hollë të një bukurosheje lozonjare. Ajo që e bënte edhe më përrallore aftësinë e tij ishte fakti se ai nuk ushtrohej dhe nuk bënte kurrë prova para shfaqjes. Paganini mbetet virtuozi më i shquar i shekujve. Ai është njeriu më i çuditshëm dhe më sensacional, si përsa i përket shkathtësisë së jashtëzakonshme, efekteve aq origjinale dhe mahnitëse të violinës, ashtu edhe përsa i përket personalitetit te tij magnetik.
Sevastopuli, “gozhda ruse e Nastradinit” në Ukrainë
28 maj 1997
Rusia dhe Ukraina nënshkruan marrëveshjen që i jepte të drejtë Rusisë të mbante Flotën ish-sovjetike të Detit të Zi në bazën detare ukrainase të Sevastopolit për 20 vjet të tjera
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Ukraina u bë shtet më vete dhe i pavarur duke krijuar institucionet e saj. Por ndryshe nga shtetet e tjerë që u shkëputën, midis Ukrainës dhe Rusisë mbeti një problem, i cili u zgjidh me një marrëveshje të bërë më 28 maj 1997, sipas së cilës Rusia të kishte të drejtën që për 20 vjet të mbante Flotën ish-sovjetike të Detit të Zi në bazën detare ukrainase të Sevastopulit, marrëveshje kjo që në kushtet e krijuara kohët e fundit në Ukrainë, favorizon rusët dhe separatistët pro rus. Kjo marrëveshje po shërben si ajo gozhda e Nastradinit, i cili i shiti njërit shtëpinë, por iu lut që të mbante vetëm një gozhdë në mur që të ishte e tij. Blerësi fillimisht ra dakord, por u bë për të vrarë veten, kur pa se Natradini vinte kohë e pa kohë të varte xhaketën në “gozhdën e tij”. Kështu është bërë për ukrainasit edhe Marrëveshja e Sevastopolit.
Kamëza në vite
Nga kopshëtia e gjelbërt e Tiranës, në një katrahurë urbane
25 maj
Krijohet Ndërmarrja Bujqësore “Ylli i Kuq” Kamëz
Ndërmarrja Bujqësore Kamëz u krijua më 25 maj 1946 me 600 ha me toka të shpronësuara të pronarëve të mëdhenj Toptanas, që më vonë u shtatëfishua. Punëtorë dhe drejtues të kësaj ndërmarrje erdhën nga rrethe të ndryshme të vendit, kryesisht nga Skrapari, Korça dhe zonat përreth. Drejtimi kryesor i saj ishte rritja e gjedhit për qumësht dhe e perimeve. NB e Kamzës ishte furnizuesi kryesor i kryeqytetit me qumësht, perime dhe fruta. Mbas viteve 1990 u shkatërrua gjithçka, si komplekset blegtorale që ishin modern, por edhe gjithë infrastruktura e ndërtuar për gati 50 vjet me radhë. Shteti i brishtë që u krijua nuk qe në gjendje të mbronte tokën, e cila pushtohej dhe grabitej nga dita në ditë nga banorë të ardhur nga zonat e veriut të vendit. Kjo lëvizje e pakontrolluar ka krijuar një masakër urbane në Kamëz me ndërtime pa kriter, që janë legalizuar ose janë në proces legalizimi, por që kanë krijuar probleme të mëdha për një jetesë normale për shkak të mbipopullimit dhe kaosit urbanistik.
Nga pikëpamja administrative dhe politike, në vitin 1991 në Kamëz vendoset pluralizmi edhe në ndarjen e pushtetit lokal, i cili drejtohej me balancë politike të të dyja forcave kryesore të atëhershme, që përfaqësonin PPSH-në nga njëra anë dhe forcat demokratike, kryesuar nga Partia Demokratike nga ana tjetër. Në vitin 1992 Kamza, si njësi vendore, mbante emrin komunë dhe kishte vetëm 12 500 banorë. Në zgjedhjet e radhës për pushtetin lokal, që u zhvilluan në vitin 1996, Kamëza ndryshon emërtimin nga komunë në bashki. Që nga ajo kohë, numri i banorëve ka ardhur gjithnjë në rritje. Kamza, si njësi administrative vendore e shkallës së parë, është e ndarë administrativisht në: Qendrën Urbane (qyteti), Njësinë Administrative Bathore dhe nga 5 ndarjet administrative rurale: Valias, Laknas, Frutikulturë, Zall-Mner dhe Bulçesh. Ka një popullsi prej 90 000 banorësh. Bashkia Kamëz ka 3003 objekte informale që priten të legalizohen, një problem i madh që edhe pas përfundimit nuk do ta zgjidhë dot katrahurën urbane të krijuar deri më sot.
25 maj
1989 – Mihail Gorbaçov u zgjodh në postin e ri të presidentit ekzekutiv të Bashkimit Sovjetik.
1996 – Mbas një azili politik prej 20 vjetësh u kthye në Bullgari mbreti Simeon i II. Atij iu bë një pritje e nxehtë prej turmave rojaliste kurse qeveritarët socialistë mbajtën një qëndrim të ftohtë.
26 maj
1805 – Napoleon Bonaparta u kurorëzua mbret i Italisë.
1896 – Kurorëzohet Cari i fundit i Rusisë, Nikolla II.
27 maj
1703 – Themelohet qyteti i Shën Petersburg nga Petri i Madh.
28 maj
1849 – Vdiq Ana Bronte, shkrimtare angleze dhe motra e Sharlot dhe Emili Brontes. Nën pseudonimin Akton Bell, ajo shkroi “The Tenant of Wildfell Hall”.
1934 – Lindën pesënjakët e parë që jetuan në botë Sesile, Emilia, Marie, Aneta dhe Ivona Dion, nga Oliva Dion në Kalender, Kanada.
1940 – Mbreti i Belgjikës, Leopold, kapitulloi para pushtuesve gjermanë.
1999 – NATO shkatërroi transmetues të televizionit serb dhe infrastrukturë civile.
1969 – Apollo 10 kthehet në Tokë.
29 maj
1988 – Presidenti Ronald Reagan filloi vizitën e tij të parë në Bashkimin Sovjetik, duke arritur në Moskë për një samit të superfuqive me liderin sovjetik, Mikhail Gorbachev.
1990 – Boris Yeltsin u zgjodh president i Rusisë nga Parlamenti rus.
30 maj
1913 – Nënshkruhet Traktati i Londrës, i cili i jep fund Luftës së Parë Ballkanike. Pas kësaj ngjarjeje, Shqipëria bëhet shtet i pavarur.
1946 – U përurua shtypshkronja “Mihal Duri”, më e madhja dhe më e rëndësishmja, ku shtypeshin pothuaj të gjitha botimet shqiptare deri në vitet ’90.
Dita Botërore kundër duhanit
