Java parë e Superiores, spektakël dhe surpriza

redaktor

Kampionati shqiptar ka nisur ashtu siç pritej, me rivalitet dhe surpriza. Partizani i Starovës ka ngecur që në start, pavarësisht se përballë kishte një kundërshtar jo të lehtë.

Ndaj Laçit më shumë sesa vetë ndeshja interesi ka qenë nëse Starova dhe Cungu do t’i jepnin dorën njëri-tjetrit.

Në fushë niveli i lojës ishte mesatar, me kurbinasit që kaluan në avantazh me anë të Çelës me një gol në pozicion të dyshimtë jashtë loje, dhe të kuqtë që barazuan falë një perle të Xhevahir Sukaj. Ashtu si dhe vjet në fazën e parë, kjo përballje dhuron të njëjtin rezultat 1-1.

Sfida e dytë e këtij kampionati dhuron surprizën, me Teutën që befason Flamurtarin në sfidën e luajtur në “Loni Papuçiu” të Fierit. Pritej që durrsakët të ishin një kockë e fortë për rivalët e titullit këtë sezon, por ndaj kuqezinjve u treguan superiorë, duke marrë 3 pikët e plota. Një supergol i Mihanit vendosi gjithçka në një 90 minutësh ku Flamurtari u duk pa ide dhe një skuadër e njëjtë me atë të fundit të sezonit të shkuar, pavarësisht ndryshimeve rrënjësore në përbërje.

Ndërkohë, e diela foli me gjuhën e pretendentëve, pasi si Kukësi ashtu dhe Tirana bënë detyrën duke triumfuar ndaj të sapongjiturave në Superiore, Bylisit dhe Tërbunit. Në “Zeqir Ymeri” brazilianët e nënkampionëve të vendit refuzuan të hedhin vallen e Kukësit për t’i mësuar vendasve Sambën. Lima dhe Erick Flores ishin autorët e golave, teksa formacioni i Marcelo Troisit tregoi vazhdimësi të paraqitjeve të bëra edhe në Europë. Për Bylisin kjo përballje vlen si një leksion, për të mbajtur shënimet se ku duhet të përmirësohet ende ky ekip.

Nuk ka shkuar mirë debutimi në elitë i Tërbunit, që ndaj 24 herë kampionëve të vendit është mposhtur me kthim rezultati. Formacioni i Samuel Nikajt tentoi surprizën me anë të Malindit, por Tirana rezultoi shumë e fortë për ta, duke përmbysur gjithçka me afrimet e verës Lika dhe Fukui.

Në pritje të sfidës së fundit Vllaznia – Skënderbeu kjo javë konfirmoi se sezoni do të jetë i paparashikueshëm, teksa nuk munguan dështimet apo edhe golat spektakolarë, për ta bërë më interesant Kategorinë Superiore.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *