Jay Weinstein, një sociolog i shquar dhe një mik i vërtetë

J L
KONICA MINOLTA DIGITAL CAMERA

Këto radhë janë shkruar plot pesë vite më parë, më 9 mars 2017. Në to shprehet dëshpërimi i autorit për vdekjen e njërit prej miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij sociologë amerikanë më të ngushtë, Jay Weinstein. Në këtë 5-vjetor të vdekjes së tij, sociologu ynë më i njohur, Fatos Tarifa, ia beson këto shënime private të tij gazetës Dita, për t’i ndarë ato me publikun. Botohen këtu pa i bërë asnje ndryshim tekstit origjinal.

 

Fatos Tarifa

9 mars 2017

E sotmja është një ditë shumë e trishtuar për mua. Nga Jennifer Haskin, kolegia ime e dikurshme në Eastern Michigan University (EMU), mësova se dje u nda nga jeta miku im shtrenjtë dhe njëri prej kolegëve e bashkëpunëtorëve të mi më të ngushtë amerikanë, sociologu Jay Weinstein.
Jay (një hebre agnostik) dhe unë u njohëm një çerek shekulli më parë, në nëntor të vitit 1991, gjatë vizitës sime të parë në Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë, Jay më ftoi të mbaja një leksion në EMU, universiteti ku ai vetë jepte mësim dhe në të cilin unë mbylla karrierën time akademike në Shtetet e Bashkuara në vitet 2006-2008, duke punuar së bashku me të.

Me Jay Weinstein më lidhi qysh nga fillimi jo vetëm disiplina jonë e përbashkët, Sociologjia, por edhe një miqësi që u rrit e u forcua përgjatë një çerek shekulli. I kam çmuar gjithnjë shumë mençurinë e tij, thjeshtësinë, përvojën akademike dhe shpirtin e tij altruist. Jay ishte një sociolog i shkëlqyer, një koleg dashamirës, një shok i vërtetë. Cilësitë e tij ishin të rralla dhe jeta e tij shumë e pasur, një shkollë e vërtetë për ne më të rinjtë.

Në gusht të vitit 1992 u takova me të për herë të dytë në Pittsburg (Pennsylvania), në Mbledhjen Vjetore të Shoqatës Sociologjike Amerikane (American Sociological Association). Në atë kohë, Jay u investua me shumë dëshirë dhe pasion për të ndihmuar kualifikimin e stafit të departamentit të sapokrijuar të sociologjisë në Universitetin e Tiranës. Disa muaj më vonë, në janar 1993, ai erdhi për herë të parë në Tiranë, si një ndër sociologët e huaj që do të vlerësonin stafin akademik të Fakultetit të Filozofisë dhe Sociologjisë (sot Fakulteti i Shkencave Sociale) të Universitetit të Tiranës, fakultet të cilin Sali Berisha, në atë kohë president i vendit, e kishte mbyllur.

Nga viti 1994 deri më 1998, kur unë studioja për disertacionin tim doktoral dhe njëherësh jepja mësim në University of North Caroliona në Chapel Hill, Jay dhe unë mbetëm në kontakt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin dhe u takuam disa herë. Në vitin 1995 shkruam së bashku artikullin “Overcoming the Past: De-communization and Reconstruction of Post-Communist Societies”, të cilin e botuam në revistën Studies in Comparative International Development, një revistë me faktor impakti të lartë.

Kur u emërova ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Hollandës (1998-2001), Jay më vizitoi në Hagë, ndërsa kur nisa detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, ai e priti këtë lajm me këto fjalë: “I cannot think of a more worthy and more qualified person to assume the responsibilities of Albania’s ambassador in Washington than Fatos Tarifa. The world seems especially screwed up these days, but, I mean this seriously, at least Albanian-U.S. relations are in good hands”.

I tillë ishte Jay Weinstein. Gjatë sozhurnit tim diplomatik në Shtetet e Bashkuara në vitet 2001-2005, Jay më vizitoi në Uashington disa herë. Më pas, kur unë e lashë karrierën diplomatike dhe u ktheva në vokacionin tim të vërtetë, në academe, Jay dhe unë punuam së bashku, për tre vite me radhë, në të njëjtin Department të Sociologjisë, Antroplogjisë dhe Kriminologjisë në EMU. Miqësia jonë u forcua edhe më shumë, në atë kohë edhe si një miqësi familjare.

Në tetor të vitit 2006, si President i Shoqatës së Sociologjisë së Aplikuar dhe Klinike (Association for Applied and Clinical Sociology), Jay më ftoi të isha keynote speaker në takimin vjetor të kësaj shoqate, që atë vit u mbajt në San Jose (California). Fjalën time e titullova “Facing Tomorrow’s Global Challenges: What Role for Social Science?”. Ajo u botua po atë vit në Journal of Applied Sociology, revistë që sot botohet nga Sage, nën titullin Journal of Applied Social Science, edhe kjo një revistë me faktor impakti.

Një vit më vonë, Jay shkroi Pasthënien (Afterword) për librin tim To Albania, with Love, që u botua nga University Press of America më 2007. Ndarja me të, në 8 qershor të vitit 2008, kur unë vendosa të kthehem përfundimisht në Tiranë, ishte e dhimbshme, por nuk ishte hera e fundit që e shihja atë njeri.

Vetëm tri javë më vonë, Jay dhe unë drejtuam së bashku një sesion tematik, titulluar “Post-Communist Reconstruction in Central and Eastern Europe: The Second Decade”, në Kongresin e Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë (International Institute of Sociology), që atë vit u mbajt në Budapest. Dy vite më vonë, Jay erdhi në Tiranë, i ftuar nga Universiteti European i Tiranës, ku unë jepja mësim në atë kohë, për të folur në një konferencë që organizuam në këtë universitet me temë “Politika dhe historia”. Fjala e tij titullohej “Holokausti dhe politika e mohimit të tij”.

Ajo ka qenë hera e fundit që e kam parë mikun tim të çmuar Jay Weinstein. Disa muaj më vonë ai u largua nga EMU, universiteti ku kishte dhënë mësim pjesën më të madhe të jetës së vet, për t’u vendosur në fillim në Georgia, pastaj në Florida dhe sërish në Georgia, ku edhe vdiq, në qytetin Brunswick, dje, më 8 mars, në moshën 75 vjeç.
Vdekja e tij ishte krejt e papritur dhe shokuese për mua. Vetëm disa javë më parë, në fillim të shkurtit, i kisha kërkuar Jay-t të shkruante një ese të shkurtër mbi altruizmin, për ta botuar në revistën Humanus, që unë sapo kam nisur ta botoj në Tiranë. Më 12 shkurt Jay m’u përgjigj me këtë mesazh:

“Dear Fatos, attached is a brief note on altruism. I believe that it will be appropriate for Humanus. If not, I can work on it for later issues. I haven’t been well lately so, please, go over it with your usual editorial scrutiny. Best wishes to all from your friend and colleague. Jay”.

Dhjetë ditë më vonë, më 23 shkurt, përmes një mesazhi të ngrohtë, i urova Jay-t ditëlindjen e tij, duke i thënë, ndër të tjera: “Do not forget, my friend, with age we do not become older, we just become wiser :)”.
Mesazhi i tij të nesërmen, më 24 shkurt, ishte i fundit që mora prej tij. Në atë mesazh Jay thoshte:

“Dear Fatos, thank you very much for remembering me on my birthday. I had visits from my children, grandchildren, and sister. And your note made my day. I would suppose that you are busy putting the next issue of Humanus together along with your other duties. I am looking forward. Be well my friend and please pass along my good wishes to Arta, your family, and colleagues. Your fellow sociologist, Jay”.

Mesazhi i tij përfundonte me këtë postscriptum: “Fatos, I regret that I don’t remember your birth date. Please remind me so I can reciprocate properly”.

Unë kam lindur më 21 gusht. Jay nuk do ketë mundësi të më urojë ditëlindjen as këtë vit, as kurrë. Dje ai u ndaj nga jeta, pikërisht dy javë pas atij mesazhi të fundit. Eseja e tij mbi altruizmin, të cilën ai e shkroi posaçërisht për revistën time Humanus, ishte, ndoshta, teksti i fundit që ai shkroi para se të ndahej nga kjo jetë.

Një humanist, një sociolog, një mik, një shok i vërtetë, i cili do më mungojë shumë!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *