E dashur DITA. Shqipëria është vendi me nivelin më të ulët të pagave dhe pensioneve në të gjithë hapësirën e kontinentit evropian, duke u radhitur kështu përkrah një vendi të ‘persekutuar’ nga dhimbjet e luftës, siç është Bosnja. Dhimbja e vërtetë e shqiptarëve suprimohet të ketë qenë komunizmi i tejzgjatur dhe i huazuar sipas modelit sovjetik të Stalinit, duke rezultuar sistemi më shkatërrimtar për vendin tonë, mirëpo edhe vetë tranzicioni i tejzgjatur po shndërrohet në ‘një sistem’ të mirfilltë pengese për në hapësirën evropiane. Ndër sy të shqiptarëve duket tashmë në horizont fundi i një preludi të dhimbjes të tejzgjatur, fundi i një marrëzie sistematike të një sistemi ku i varfëri që vjedh pak ashtëquhet hajdut, ndërsa ai që vjedh shumë jo vetëm që nuk i nxihet fytyra, por ka gjasa që një ditë ta shohësh të veshur me kravatën e deputetit. Ne jemi vendi i ekstremeve, ne jemi vendi që e duam më shumë Evropën dhe që ajo na largon më tepër nga çdo vend tjetër, ne jemi vendi që çapitemi në paga mjerane në krahasim edhe me vende të rajonit dhe çmimet në treg ka raste kapin shifra më të larta se vendet e Evropës Perëndimore. E, përpara syve tanë, në ekrane dhe shtyp na shfaqen e na bërtasin se kemi rritje ekonomike, ndërsa nga ana tjetër raportet ndërkombëtare faktojnë realitetin e hidhur të një vendi të vogël, që çapitet e rropatet diku në jehonën e thellë të dhimbjes së maleve të Ballkanit.
Letër e nënshkruar: Dionis Xhafa