Jemi nën pushtetin e Parasë

anazapta

Situata në drejtësi është e rëndë. Ka rënë shtylla kryesore që  mban drejtpeshimin e shtetit. Me rënien e drejtësisë shumë shpejt rrezikon të bjerë gjithë shteti, se nuk ka kush e mban më në drejtpeshim. Ndërkohë është ngritur një pushtet tjetër, pushteti i Parasë. Tani paraja bën  ligjin,paraja është vetë shteti. ‘’L`Etat c`est moi’’ shteti  jam unë , thoshte Luigji i 16 -të. Tani ‘’ L`etat ’’ është paraja. Paraja ‘’blen’’gjithçka, blen edhe Drejtësinë.

Drejtësia , si  në tregun e lirë të gjësë së gjallë,i jepet atij që ofron më shumë. Ofertat, në këtë rast,duhet të kenë parasysh shkallën e ndëshkueshmërisë së krimit që është bërë. Drejtësia ,tashmë,  tenderohet si të gjithë sipërmarrjet e tjera ekonomike e financiare. E fiton tenderin ai që jep i pari e, me së shumti, ai që jep më shumë. Drejtësia  jepet edhe  në interes  të lidhjeve politike,partiake,familjare e nepotike…por edhe në këtë rast  jo   pa bonuset ekonomike  që rrjedhin nga këto lidhje. Duke thënë kështu nuk ka pse të habitemi.

Si është thënë edhe më pare: Me para kemi blerë një vend të ‘’sigurtë’’ në listat e kandidatëve për deputet në Kuvendin eShqipërisë. Me para kemi blerë qenien  si kandidaturë a zgjedhjen  këshilltar, kryetar komunash e bashkishë. Me para kemi blerë vende pune   në administratën  shteterore, në institucionet e  arsimit, të shëndetësisë, të kulturës, në polici, etj. Nuk ju kujtohet sa ‘’kushtonte’’  detyra e një  komisari policie, sidomos  në  qytete të  rëndësishme, në porte, aeroporte, në kalime kufitare e doganore; sa kushtonte  detyra e një polici  të kontrollit rrugor; sa kushtonte  detyra e përgjegjësit  të arsimit të rrethit, sa kushtonte një vend pune si mësues, edhe në fshat, sa kushtonte……Po sa kushtonte një e vajtur në fushë të luftës, përballë rrezikut të vdekjes, në Afganistan, Irak, ju kujtohet?

Për të gjitha këto që them ka patur akuza në shtypin e përditëshëm, madje edhe  në Kuvend nga të gjithe forcat politike, respektivisht kur ishin në pushtet a opozitë. Shumë  fakte  i kemi mësuar nga korespondenca e Ambasadës Amerikane, të dekonspiruar nga Ëikileaks. Dhe ky realitet po e vret,  përherë e më shumë, shpresën e shqiptarëve se ndonjëherë  do të kenë  shtetin e së drejtës. Raportuesi i PE për Shqipërinë thotë kjo situatë “është pika për të arrestuar një ministër, një prokuror të përgjithëshëm, një kryeministër’’. Ndërsa Eduard Kukan, kryetari i delegacionit të PE për Ballkanin,deklaron se “nuk heq dorë nga kërkesa për të ndëshkuar shkaktarët e tragjedisë së Gerdecit e të vrasjes së 4 qytetarëve më  21 janar 2011”. Nuk mund t`a thonë më hapur atë çka kërkojnë nga ne. Ne  i  dimë kush janë përgjegjësit. Këmbanat janë për politikanët tanë . Situata i kërkon në fushë të luftës. Eshtë në dorën e tyre së cilën anë marrin, anën e krimit dhe korrupsionit apo anën e ligjit, drejtësisë e të  qytetarëve. Të shohim.

Letër e nënshkruar

Gani Elezi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *