Ish-komunisti i ‘68-s i shndërruar në antikomunist të egër pas ’90-s, ish-antizogisti i egër i shndërruar në zogist të flaktë, do ketë ndonjë problem të bëj nacionalistin pas dy dekadash luge të zbrazur me “integrimin”?
Në një takim me të rinj dy ditë më parë Berisha pati një shpërthim nacionalist në vazhdën e disa deklarimeve të tjera të së njëjtës ngjyrë të artikuluara prej tij në Shkup e në Vlorë me rastin e festave të nëntorit. Në fakt ai foli për “Shqipëri të Madhe” dhe pastaj u hodhi ujë të ftohtë deklarimeve me një frazë në fund “Shqipëri të madhe në Europë”. Ngjashëm me rastin e Prevezës kur e tha fjalën në Vlorë pastaj e tërhoqi mbrapsht në Tiranë sapo Greqia njoftoi anullimin e vizitës së ministrit të jashtëm. Por pavarësisht këtyre kërcimeve prej kanguri plak, mbetet pyetja: A po përuron Berisha një stinë tjetër në karrierën e tij politike, atë të nacionalistit? Ka shumë që nuk do habiteshin. Ish-komunisti i ‘68-s i shndërruar në antikomunist të egër pas ’90-s, ish-antizogisti i egër i shndërruar në zogist të flaktë, nuk do ketë ndonjë problem të bëj nacionalistin pas dy dekadash luge të zbrazur me “integrimin” e shkrirjes së kufijve.
Ç’tha Berisha në takimin me të rinjtë
Ja ç’tha Berisha në takimin me të rinjtë: “Të rinjtë dhe të rejat shqiptare, në partinë e tyre të parë opozitare që themeluan, shpallën çështjen kombëtare yllin e tyre polar. Ne i qëndruam asaj. Ata që mendojnë se ne do të mund të kemi çështje më të madhe se çështjet kombëtare të shqiptarëve, gabohen rëndë. Duhet ta dinë mirë se shqiptarët janë agresuar, kanë përjetuar pas hebrenjve racizmin më të egër në rajon dhe më gjerë. Duhet ta dinë mirë se ndaj tyre, më shumë se ndaj çdo kombi tjetër, janë hartuar paraprakisht programe të shfarosjes së tyre”.
Dhe vijoi më poshtë: “Sot shqiptarët janë të lirë, por prapë albanofobia është një re që qarkullon në rajon, sepse ata që janë mësuar t’i shihnin shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë dhe dorës së tretë, nuk mund t’i pranojnë ata qytetarë të lirë. Shqiptarët sot janë më të bashkuar se kurrë. Çdo pëllëmbë e territoreve etnike shqiptare është territor në ndërgjegjen kombëtare të çdo shqiptari. Ne u ofrojmë fqinjëve mirëkuptim, u ofrojmë bashkëpunim dhe mirëbesim. Ne kemi të gjitha energjitë tona për të punuar në projektin tonë europian. Ata që mendojnë se mund të trysnojnë liritë dhe të drejtat tona, gabojnë shumë rëndë. Do të dështojnë, siç kanë dështuar gjer më sot”.
“Shtojuni këtyre frazave dhe gjestikulacionin e rënduar të Berishës, dhe gjithçka të dukej si një situatë lufte” – shkruan me të drejtë publicisti Mustafa Nano
Llogaritë e Berishës me rrobën e shovinistit dhe a mund ta armiqësojnë këto deklarata me Perëndimin?
Pse Mustafa Nano mendon që qëndrime të tilla nuk prodhojnë armiqësimin e tij me Perëndimin, por po prodhohen në fakt prej këtij armiqësimi
Gazetat e djeshme nuk ishin fokusuar shumë te ky lajm, dhe është një çudi pse ka ndodhur kështu, pasi në fakt kemi të bëjmë me një lajm bombë; por shumë njerëz, dhe të mass-medias, janë duke bërë pyetjen, megjithatë: Po ky ç’pati? Mustafa Nano mendon që Berisha “nuk është se është lëshuar ashtu në tym”.
Shkruan Nano: “Ka bërë disa llogarira, bandilli ynë. Së pari, rrethana, kur na u shfaq me rrobën e shovinistit është shumë e kërkuar. Jemi në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, dhe afërmendsh nuk ka moment më të mirë për të startuar me një fushatë të tillë. Ky përkim e rrit efektin e aksionit, dhe e valorizon këtë të fundit. Së dyti, ai ka kuptuar se nacionalizmi të jep frute këtejpari. Kreshnik Spahiu i ka fituar ca kredite elektorale me atë nacionalizmin e tij të bartur nga një artikulim i nivelit parak, dhe Berisha e di më mirë nga të gjithë këtë gjë, pasi skuadrat e tij që sondojnë terrenin duhet t’i kenë thënë se partia e Spahiut ka marrë copa të mira nga byreku elektoral i PD-së.
Së treti, turma e shqiptarëve të të gjitha trojeve që pushtuan Tiranën e Vlorën më 28 nëntor ishte gjithashtu një provë se shqiptarët janë kapur së fundi nga një dalldi nacionaliste. Berisha ka kuptuar se ata njerëz nuk u dyndën në rrugët e Vlorës e të Tiranës për sytë e bukur të tij. Dhe kështu, pas feste, ai u futi dhe ca piper tjetër nacionalist deklaratave e qëndrimeve të tij”.
A mund ta armiqësojnë këto deklarata me Perëndimin?
Këto qëndrime e deklarata mund ta armiqësojnë me diplomacinë euro-atlantike, me Brukselin e me Uashingtonin? “Në fakt, është e kundërta” – mendon Mustafa Nano dhe shton: “Nuk është kjo histeri nacionaliste që mund ta prishë me diplomacinë perëndimore. Ai është prishur tanimë me ta. Provë është refuzimi që po i bëhet kërkesës sonë për statusin e vendit kandidat, por edhe refuzimi që iu bë nga gjithë shtetarët e botës ftesës e lutjeve të Berishës për të marrë pjesë në festën e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë; rasti ishte i tillë, që ftesa nuk kish pse të refuzohej nga pjesa më e madhe e kryeministrave të Europës, por ja që Berishën e refuzuan; nga Italia i erdhi vetëm Gianfranco Fini, politikani italian më pak i rëndësishëm në ditët e sotme”.
Histeria nacionaliste, një armë për 2013-n?
Atëherë? Atëherë, qëndrime të tilla nuk është se prodhojnë armiqësimin e tij me Perëndimin, por – dhe këtu jemi tek arsyeja e katërt – prodhohen prej këtij armiqësimi. E kështu ai po bën atë që din të bëjë mirë në këto rrethana, po përpiqet t’u thotë perëndimorëve se “nuk është e lehtë t’i japësh munxët një lojtari si Berisha, që ka në dorë të destabilizojë sërish Ballkanin”. E me këtë shpreson që të huajt t’i thonë: “Ok, jemi dakord të rrish në pushtet, d.m.th të vjedhësh votat sërish në vitin 2013, por të lutemi të heqësh dorë nga histeria nacionaliste”. “Këto janë llogaritë e Berishës. Dhe merret vesh se janë llogaritë e një njeriu që e ndien se po i afrohet fundi” – përfundon Nano.
Në është flamur i ri apo i vjetër i dikujt…
DITA pyeti dje disa politikane te rinj të nga Kosova lidhur me dozat e shtuara papritur të nacionalizmit të Berishës dhe nëse mendojnë që kjo ka të bëjë me ndjesitë reale të Berishës apo përdorimet për fushatë elektorale. Në të kundër të asaj që besohet gjerësisht se Berisha ka mbështetje për teza të tilla në Prishtinë, e kundërta rezulton nga shumica e deklarimeve. Më poshtë, dy prej prononcimeve që morën (të tjerat mund të lexohen ën DITA Online gazetadita.al)
Ali Asllani, publicist në Pejë thotë për DITA-n:
“Nacionalizmi nuk është fushatë zgjedhore e as garë në të cilën bëjmë veprime zgjedhore apo lojë nga e cila kërkojmë rezultate. Nacionalizmi është domosdoshmëri për të gjithë shqiptarët. Të mjerë janë ata që deklarohen me ndonjë pompozitet të nacionalistit sipas nevojave të kohës, e që gjerë më tani kan qenë në pozitë ta bëjnë dhe zbatojnë këte për interesin më të lartë kombëtar.. Dua të them se janë tepër të vonuara prononcimet e kryeministrit të Shqipërisë në këte drejtim. Ndonëse sado të vonuara, këto “doza të shtuara nacionaliste” dosido janë të mirëpritura nga populli, por sa janë të pranueshme tani nga populli dhe a do ti kapërdijë këto populli, këte nuk di t’ua them. Por jam shumë i sigurt se populli di fort mirë ta vlerësojë këte në është flamur i ri apo i vjetër i dikujt. Kam bindjen se populli tanimë është ngopur me retorikat e vjetra, dhe se ai do përherë diçka të re, dhe të qendrueshme. E unë do ta veçoja atë tubimin e AKZ e cila e dëshmoi veten e saj së bashku me disa subjekte tjera nga Kosova me datë 28 nëntorë këte vit, në kufirin shqipëtaro-shqiptarë në Morinë. Dje kam qëndruar me disa prej tyre në TIRANË, dhe u ktheva shumë i lumtur në Pejën time. Nuk dua të futem në gjykime rreth asaj se dozat nacionaliste shtohen apo mungohen, sepse ato janë dhe duhet të jenë një konstante e përhershme. Por s’fundit të gjitha kombet e zhvilluara në botë, më parë kanë qenë nacionaliste dhe më vonë kanë zhvilluar një lloj ndjeshmërie edhe për të tjerët. Kam parasysh Japoninë, Gjermaninë, Anglinë e pse jo edhe SHBA-në…”
Kurse Hysnie Kastrati nga Prishtina i përgjigjet kështu pyetjeve të gazetës DITA:
“Shtimi i dozave nacionaliste në fjalimet e kryeministrit shqiptar mund të jetë gjithqka tjetër pos ndjesitë reale të tij, kjo e fundit nuk mund të jetë asesi dhe e them me shum bindje. Meqense fjalimet e kryeministrit apo deklaratat e tij nuk i përcjelli dhe të them të drejtën e ndrroj edhe kanalin televiziv kur del ai, por ai nuk mund ta gënjej askënd sepse këto janë vetëm fjalë të kota të tij që paraprijnë fushatën elektorale që po afrohet dhe asgjë më tepër. Kryeministri nuk mund të futet në skenë të njejtë me Aleancen Kuq e Zi, kjo sepse kjo lëvizje është pro idesë për bashkim kombëtar ndërsa Berisha nuk e posedon këtë, përkundrazi jemi dëshmitarë që disa herë e ka thëne se kjo është diqka që nuk bëhet. Por për këtë nuk pyetet ai apo dikushi por pyetet populli i cili e ka ëndërr bashkimin kombëtar. Populli edhe në Kosovë ju them e ka kuptuar se kush është tashmë ai dhe kjo “ndjesi ” e kryeministrit është vetëm kalimtare sepse sapo të përfundojnë zgjedhjet ai u kthehet zakoneve të tij”.
Mos u shqetesoni! Ne veri te Shqiperise ka nje shprehje qe thote: ” Ja ka nije zemra”. Kjo don te thote se e ndien nga brenda vdekjen e shpejte politike dhe tani, pasi nuk ka lene gje pa bere ndaj Shqiperise dhe shqiptareve, per hir te pushtetit personal, po perpiqet te beje ” atdhetarin”. Mos i kushtoni shume rendesi. Thjeshte, ja ka nije zemra.