Në moshën 66 vjeçare, dhe pas një karriere të gjatë në rrugën e vështirë të së majtës, radikali dhe i “zemëruari” Jeremy Corbyn ka të gjitha votat për t’u bërë pasardhësi i Ed Milibandit si udhëheqësi i ri i laburistëve, kundër të gjithëve, por me mbështetjen masive të bazës. Mes protestave të minutës së fundit për shkak të dështimit në shpërndarjen e fletëve të votimit, 300 mijë anëtarët laburistë kanë mundur të depozitojnë votën e tyre përpara mbylljes zyrtare të votimeve ditën e sotme. Rezultatet do të bëhen zyrtare pas orës 11 të së shtunës përballë një shqetësimi në rritje në lidhje me efektet e paparashikueshme të “tërmetit” Corbyn.
Rritja në pikë në minutat e fundit e kandidates Yvette Cooper, 46 vjeç, për shkak të kritikave të saj të forta për kryeministrin David Cameron për krizën e refugjatëve dhe fushatës së tyre në favor të barazisë është e vetmja pengesë që ka ndërhyrë gjatë ditëve të fundit në rritjen shpërthyese të Jeremy Corbyn, i cili filloi si një “kalë humbës” por që u forcua në sajë të fushatës populiste dhe apelit për një parti me parime të majta, ndryshe nga ato që anonin më shumë drejt qendrës në epokën “Blair”.
Liz Kendall, 44 vjeç, që ka pasur gjithmonë mbështetjen e Tony Blair ka prekur fundin në sondazhe dhe është detyruar të pranojë aftësinë e Corbyn për t’u lidhur me bazat, por jo pa paralajmëruar më parë për rrezikun e ndryshimit të partisë në një parti të majtë të stilit të Syrizas dhe Podemos. Kandidati i katërt, Andy Burnham, 45 vjeç, me përvojë në qeveri nën mandatin e Gordon Brown, duket se nuk ka asnjë shans për të fituar kreun e partisë. Një sondazh i fundit i “Survation” e vendos Corbyn 3 pikë përpara Yvette Cooper (28% përballë 25%).
Ndërkohë që tre kandidatët e tjerë e kanë bazuar fushatën e tyre në kontaktin individual me anëtarët e partisë, Jeremy Corbyn diti të sigurojë mbështetje falë rrjeteve sociale. Zgjedhja e tij në krye të partisë mund t’i kthejë entuziazmin e humbur të majtës britanike, por gjithashtu mund të provokojë një përçarje të brendshme në mes të një prej krizave më të mëdha në 115 vitet e historisë së Partisë Laburiste.
