Jeta e dyfishtë e Mozartit

Leda Hysa

MOIKOM ZEQO

U takova me mikun tim, muzikologun e njohur SKSH në kafenenë “Enigma” në rrugën që ndan Akademinë e Arteve me fillimin e kodrës së pyllëzuar, që të çon në liqenin artificial dhe parkun e Tiranës.

SKSH është mesoburrë, mban syze optike të trasha (s’di pse pamja e fytyrës së tij më kujton akualangistët me maskat e zhytjes), është erudit, tip flegmatik, por herë pas here me shpërthime të befta.

E dua dhe e respektoj SKSH-në për diturinë e tij, të gjithëmbarshme mbi muzikën, por edhe për artet e tjera.

Sapo u ulëm në kafe bëmë ritualin e pyetjeve të zakonshme dhe të kota për shëndetin, pa harruar pyetjen e pashmangshme “ç’ke bërë?”

– Kam bërë një zbulim, tha me zë të ngazëlluar dhe të sigurtë SKSH.

– Një zbulim?

– Po, një zbulim kulturor, tepër të veçantë.

Duke studiuar me vëmendje Codex Beratinus, këtë libër në pergamenë të shekullit VI vura re mbi fjalët e tekstit disa shenja grafike.

– Germa të panjohura?

– Jo, simbole të një informacioni muzikor.

– E çuditshme.

– Shumë e çuditshme.

Por edhe e vërtetë.

Shenjat grafike janë neuma, të cilat u shërbenin këngëtarëve të vargjeve biblike, që udhëzonin ngritjen dhe uljen e tonit, këngën njëzërëshe, por dhe atë shumëzërëshe.

Janë nga simbolet më të vjetra të notacionit muzikor në Europë.

– E pabesueshme! Codex Beratinus sikur ka një magmë magjike.

Në këtë Kodik ka një mbishkrim në latinisht ku thuhet se e ka shkruar me dorën e vet Gjon Krizostomi.

– Është e pavërtetueshme të jetë shkruar nga Gjon Krizostomi.

Ky shënim duhet të jetë më i vonë.

– Sidoqoftë tregon për rëndësinë e jashtëzakonshme të Codex Beratinus.

– Sigurisht.

– Po këto neumat që ke zbuluar a mund të na japin informacion për vetë muzikën kishtare?

– Është e pamundur.

Kemi neumat por jo melodinë. Melodinë në këtë epokë kaq të hershme mund ta imagjinosh, por nuk mund ta sendërtosh.

– Pra një muzikë e paperceptueshme?

– Si çdo gjë jo konkrete.

– A thua?

– S’mund të shpikësh dot një muzikë.

Neumat japin një ide të organizimit, por nuk janë vetë muzika.

– Sidoqoftë zbulimi i mahnitshëm.

– Do të thoja i rëndësishëm.

 

Në kafene u fut një vajzë e re.

Shumë e bukur.

Sapo pa SKSH-në klithi me gëzim.

U afrua dhe u përqafuan të dy.

 

– Është studentja ime, më tha SKSH.

Përmendi dhe emrin e saj.

Vajza më përshëndeti formalisht por s’ma vari.

E natyrshme.

Nuk më njihte.

As unë nuk e njihja.

Vajza bisedoi me SKSH pa u ulur shkurt për një temë muzikore të Stravinskit.

– Takohemi nesër dhe bisedojmë më hollësisht, i tha SKSH.

Vajza iku.

Ndenjëm dy minuta pa folur të rënë në mendim.

– Është vajzë e talentuar, tha pastaj SKSH.

– Besoj se është e talentuar.

– Po ti pse mendon kështu?

– Sepse është një mrekulli bukurie.

– Hm. Është e mahnitshme.

Heshtëm përsëri.

– A marrim një gotë birrë?

E pashë në fytyrë SKSH-në.

Syzet e tij sikur qenë zmadhuar, qenë bërë po aq sa maskat e akualangistëve. Ah!

– E marrim një gotë birrë?

E porositëm kamerierin i cili na i solli dy gota të mëdha plot.

– Birrë e shkëlqyer, tha SKSH.

– E shkëlqyer.

– Po ti çfarë po shkruan, më pyeti.

– Asgjë. Më sfilit të shkruarit.

Tani vetëm lexoj.

– Çfarë lexon?

– Lexoj diçka për Moxartin.

– Për Moxartin?

Si ka mundësi?

Ah, harrova.

Ti ke shkruar për Jan Kukuzelin.

Dhe adhuron muzikën e Georg Ligetit.

E dëgjon Ligetin çdo mbrëmje siç më ke thënë njëherë?

– Jo çdo mbrëmje si dikur, por e dëgjoj prap shpesh.

– Dëgjon Ligetin dhe lexon për Moxartin?

Janë kaq të ndryshëm.

– Se besoj se janë absolutisht kaq të ndryshëm.

– Le të flasim për Moxartin.

– Po. Faktet janë paradoksalë.

Nga data 5 dhjetor 1791, dita kur vdiq 35 vjeçari Johannes Chrisostomus Volgangus Thophilis Amadeus Moxart, apo Volfer, siç thirrej vitet e para të karrierës, nuk reshtën historitë dhe legjendat për shkakun e vdekjes së tij : Libri « Moxart’s Death – A Corrective Survey of the Legends” (ICS 1991) ka mbledhur shumë prej tyre.

Versioni më i famshëm është ai sipas të cilit Moxarti u helmua.

Por kjo tezë mbrohet vetëm nga dy burime jo shumë të sigurta.

Sipas raportit të një mjeku të Pragës, trupi i Moxartit ishte shumë i fryrë pas vdekjes, ndërsa sipas biografisë së shkruajtur nga Niemetschek, kompozitori i madh ka thënë “Nuk do të duroj gjatë.

Dikush më ka helmuar”.

Cili?

Nëse muzikanti Antonio Salieri do të ishte gjallë, me siguri do të kërkonte dëmshpërblim për zërat e përhapur, që vrasësi ishte ai.

Salieri ishte kompozitori i oborrit dhe sipas legjendës zilia e tij ndaj Moxartit të ri e tepër të aftë, do ta kishte shtyrë në vrasje.

Këtë teori e hapi më shumë filmi “Amadeus” i Milos Forman (1984).

Origjina e kësaj teorie është një letër dërguar oborrit nga një korrespondent anonim: “Salieri ynë i famshëm do të shërohet (ishte shumë i sëmurë dhe vdiq në vitin 1825).

Në fantazinë e tij ai është i bindur se është pjesërisht përgjegjës për vdekjen e Moxartit”.

“Salieri, i cili i kishte marrë vesh këto fjalë deklaroi: Duke e ditur që do të vdes së shpejti, ju siguroj para Zotit që nuk ka asgjë të vërtetë në ato thënie.

Thonë se unë e kam helmuar por këto janë shpifje, janë vetëm shpifje”.

 

Për më tepër jeta e Salierit është zhvilluar ndryshe nga sa është paraqitur në film, ku, ku Salieri thotë se s’do të martohet derisa Zoti ta bënte gjenial si Moxarti, por në të vërtetë ai u martua dhe pati 8 fëmijë me të cilët ishte shumë i lidhur.

Megjithëse në pamje të parë duket si i dyshuari ideal, në fakt është shumë pak e mundur që ai të ketë helmuar Moxartin.

Përveç të tjerave ai nuk kishte aspak kohë për të realizuar komplotin pasi ishte gjithmonë i zënë duke kompozuar muzikë dhome, koncerte e opera, të cilat i sillnin shumë para dhe famë.

I dyshuari i dytë për helmim nuk ishte një por një grup personash.

Masoneria, me të cilët Moxarti kishte lidhje dhe disa sekrete të tyre ai i shfaqi në operën “Flauti Magjik”.

Megjithatë ndëshkimi i Moxartit nga ana e Masonerisë është pak i besueshëm.

Atëherë çfarë ka ndodhur realisht?

Sipas doktorëve të kohës ai vdiq nga ethet e malaries, por kjo gjë nuk u vërtetua asnjëherë.

Sipas disa mjekëve të tjerë ai vdiq nga tuberkulozi, artriti apo nga abuzimi me mërkur, i cili përdorej në atë kohë për kurimin e sifilizit.

Për mjekësinë moderne shkaku i vdekjes së tij ka qenë një hematomë kronike sudurale.

Tani le të shohim pak historinë e kafkës së Moxartit.

Trupi i kompozitorit u hodh në një varr të përbashkët, gjë që i ndodhte shumë njerëzve të cilët nuk ishin fisnikë.

Një njeri i thjeshtë që e donte artin e mori atë që mendonte se ishte kafka e Moxartit.

Kjo kafkë kaloi dorë më dorë derisa përfundoi në “Moxarteum” në Salsburg ku gjendet edhe sot.

 

Pas analizimeve që i kanë bërë, antropologë të Universitetit të Provenzës, arritën në përfundimin se personi ka vuajtur nga depresioni kronik, dhimbje të forta koke etj., probleme të cilat Moxarti i ka pasur në të vërtetë.

Megjithatë nuk është plotësisht e sigurtë që kafka është e Moxartit.

Nga disa kërkime të bëra kohët e fundit është bërë e ditur një teori e re sipas së cilës Moxarti nuk kishte vdekur atëherë.

I persekutuar nga borxhet e shumta ai e kishte sajuar vdekjen e tij me ndihmën e të shoqes dhe në vend të tij ishte varrosur një njeri i varfër.

 

Ndërkohë ai u largua për në Itali dhe vazhdoi të kompozojë nën emra të rremë.

Më pas u lidh me një muzikant të talentuar, drejtor i disa teatrove napolitane, i cili mund t’i shpërndante veprat e tij.

Ky ishte Gioachino Rossini (1792-1868).

Sipas kësaj teorie, pjesa më e madhe e veprave të Rossinit janë kompozuar nga Moxarti, por në vitin 1829, pas operës “Vilhelm Tel” mjeshtëri italian nuk kompozoi më dhe nuk e tha kurrë arsyen.

Në këtë vit Moxarti do kishte mbushur 73 vjeç dhe do kishte vdekur nga pleqëria.

Më duket se fola gjatë.

– Më befasove!

Ç’dreqin i lexon këto gjëra!

Një Moxart që shpik vdekjen e vet për t’u maskuar me një emër tjetër.

Pra Rossini qenka i dyfishtë.

Ah Centauri Moxart-Rossini!

Por e gjithë kjo nuk është veçse letërsi.

– Më shumë se letërsi.

– S’mund të vërtetohet asgjë.

Jeta enigmatike e Moxartit u bë më okulte nga vdekja e tij.

Por s’kanë lidhje me pavdekësinë e tij të pamatshme.

– Pavdekësia është muzika e tij.

– Muzikë e papërsëritshme.

Më e mirë se sa ajo e Ligetit tënd.

– Muzika s’vdes me Moxartin.

Vetë Ligeti ka diçka nga pavdekësia e Moxartit.

Gjithashtu dhe Stravinksi.

– Ah, Stravinski!

Ti e di që kam përkthyer në shqip librin e Stravinskit “Poetika muzikore”?

– E di. Një lloj testamenti ku notat rrokjezohen në fjalë.

– E saktë.

Kohët e fundit më ra në dorë një libër i shkrimtarit spanjoll Ramon Gomez De La Sierna.

Lexova tek ai një fjali metaforike.

Fjalia është: “Harku i violinës qep si gjilpëra me pe notat dhe shpirtrat, shpirtrat dhe notat”.

– Shkrimtarët dhe muzikantët kanë binjakëri konceptuale.

 

Pastaj heshtëm që të dy.

Duket sikur ky dialog fantazmagorik na kishte hedhur në botëra të tjera në pafundësi.

Paguam dhe u ngritëm.

U përshëndetëm dhe u ndamë.

Pjesa tjetër e ditës qe bosh.

Pa asnjë ngjarje.

Por s’di pse qeshë shumë i shqetësuar.

Një shqetësim i pakuptueshëm.

Ndoshta e kisha një arsye.

Vite më parë në 1989 isha me studime në “L’ecole françaises” në Romë të Italisë.

Godina e “L’ecole françaises” ndodhej në Piazza Navona, një nga sheshet më të bukur të botës, me kompleksin e skulpturave të Berninit, mjeshtrit të barokut.

 

Në mbrëmje shëtisja vetëm.

Krejtësisht vetëm.

Befas e pashë një burrë të moshuar.

Fytyra e tij më kujtoi tiparet e Migjenit.

Një ngjashmëri gati e plotë. Migjeni vdiq 27 vjeç.

Përfytyroni një Migjen që e jetoi jetën deri në mplakje.

Ja ç’pashë!

Një sozie ndoshta.

E tmerrshme!

E pashë vetëtimthi për pak çaste dhe m’u zhduk nga sytë. E kisha parë me të vërtetë, apo qe një vegim?

Ky motiv më shtyu që disa ditë më vonë të skicoja një sinops.

Një subjekt i çmendur, pra haluçinant.

Migjeni e organizon vetë shpalljen e vdekjes së tij në Torra Peliçe, arratiset nga spitali i shëruar për të jetuar anonimatin e vet.

Arratisje rebele, ikje nga identiteti.

Për të mos u kthyer kurrë. Ah!

 

Në studion time dëgjova CD e Requem-it të Moxartit. Muzikë për largimin, por jo harrimin.

Truku heretik, plot mllef.

Rashë të fle.

M’u shfaqën shumë ëndrra.

Peizazhe të tymta, relieve guri dhe epidermash të vdekurish.

Kafka e Moxartit. SKSH si akualangist duke u zhytur në ca oqeane qiellore duke kërkuar mes yjeve dhe bacileve kafkën e Moxartit.

Pastaj Migjeni dhe Georg Ligeti duke pirë uiski diku në Skoci, por në një Skoci, që qe zhvendosur në Australi, ose në Afrikën e Jugut, ose në Antarktidë.

Pastaj studentja e bukur, si e dalë nga tablotë e Botiçellit, u thonte tërë atyre,personazhe , që qenë kthyer në pentagrame vigane: “Unë jam Vdekja dhe Amshimi!”

Përfytyrova në ëndërr vdekjen time, me trupin e humbur në hiç për të mos u gjetur kurrë.

Ah!

Me emrin e shndërruar në vinjetë, ose neuma në Codex Beratinus.

Ah!

Share This Article
2 Comments
  • Moikom, ke Akoma kohe per te vdekur, jo si Moxarti, por si Moikom Zeqo.
    Leri persiatjet e enderimeve per vdekje dhe ameshim me fytyren e nje vajze te bukur. Vihuni ne sherbim te shqiptareve. Sot me shume se kurre populli ka nevoje per udheheqes. Moxarti nuk ben pune per barqet e uritura dhe pa leke ne xhep. Populli nuk mund ti bashkangjitet anonimatit shpirteror te nje bukurie imagjinare.
    Eshte real. Ka dhimbje dhe duhet te kete shprese per te jetuar.

    Kujto O Henrin qe shkruajti per piktorin plak qe nuk kishte bere asnje kryeveper ne jeten e tij, dhe shpresonte se do ta realizonte nje dite. E realizoi tek pikturoi gjethen per vajzen qe e kishte tretur veshtrimin te gjethet e pemes perkashi dritares ku ajo dergjej e semure ne shtratin e vdekjes. Numeronte reniet e gjetheve si ditet qe I shuheshin nje nga nje. Vetem nje gjethe I mbijetoi diteve te egra te dimrit. Dhe vajza mbante frymen gjalle duke e pare cdo dite gjethen te qendronte e patundur nga stuhite dhe acaret. Iku dimri, gjethet u kthyen perseri, dhe gjethja qendronte e gjelber si gjithmon ne te njejten dege. Vajza rrojti, por ai qe vdiq ishte piktori plak. Ai iku duke realizuar kryevepren e jetes se tij-Gjethen e shpreses per vajzen, I dha force dhe jete.

  • Eh sa e sa historish të dhembshme e që këpusin shpirtrat e trazuar.
    Krijuesit e vlerave artistike do ngelin përher frymëzues të shpresave të venitura !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *