Kristofor Konomi ishte vetëm 8 vjeç kur shoqëroi për herë të parë një tufë me bagëti në shpatin e malit të Dhëmbelit.
Ishte një kope e madhe e krijuar nga gjyshi.
Që prej fëmijërisë Kristofori nuk e braktisi më këtë zanat.
Një pjesë e këmborëve 200-vjeçare të trashëguara brez pas brezi mbahen sot nga bagëtitë që prijnë kopenë e tij.
Kristofori punoi për shumë vite si emigrant në Greqi pas ’90, por u kthye për të bërë atë që ai thotë se bën më mirë, bariun.
Është punë e lodhshme sepse të mban lidhur 24 orë, por kur kopeja rritet, kur të sapolindurit janë të shëndetshëm edhe jeta është e qetë dhe e bukur në mal.
11 km larg kufirit me Greqinë dita e bariut nga Poliçani i Pogonit nis në mëngjes e mbyllet me mjeljen e bagëtive në mbrëmje.
Qumështin nuk e përpunon më bariu por shkon në punishte ndërsa jeta është bërë disi më e lehtë krahasuar me periudhën kur gjyshi i tij ishte bari.
Në të gjithë zonën e Pogonit llogaritet që 70% e popullsisë është në emigracion. Zona me kullota të pasura ku dikur dimrat zgjasin disa muaj, ka ndryshuar tashmë fizionomi.
20 vitet e fundit pranvera vjen më herët në Poliçan, kurse barinjtë me kërrabë e qen janë gjithnjë e më të rrallë./TCH
a.s/dita
