Anxhela Koekritz, gazetare e së përditshmes gjermane “Die Zelt” u vu në gjurmët e atyre që zgjedhin të krijojnë familje poligame. Udhëtoi deri në Kinën e largët për të treguar sesi jetojnë dy familje të tilla. “Poligamia e bën martesën më të mirë dhe raportin më të ngjeshur”, thotë njëri prej burrave që e ka pranuar atë si stil jete
Jo vetëm në Indi shumë vëllezër martohen me të njëjtën grua, edhe në Kinë ka krahina ku familjet poligame nuk përbëjnë çudi. Një gazetare e “Die Zelt” udhëtoi në shtetin aziatik për të takuar dy nga këto familje .
Familja e Dongqing banon në Nio një fshat me 3 mijë banorë, në provincën e Kingait, pak kilometra larg Tibetit. Bashkëshortja e tij, Çemaiakamp, i thotë gazetares gjermane se pranoi të martohej pas vendimit që morën prindërit e saj. Në ditën e dasmës nuk bëri gjë tjetër veçse të vishte fustanin e nusërisë dhe bizhuteritë për të mbërritur në fshatin e bashkëshortit të saj të ardhshëm. Për dy ditë me radhë dëfryen në pije dhe kërcime për të festuar ditën më të bukur të jetës së tyre, edhe pse burri thotë: “Dita më e bukur ishte kur edhe im vëlla pranoi të martohej me Çemaiamkapin”. Me pak fjalë Dongqing, 46 vjeç, dhe Yipyp, 42 vjeç, ndajnë të njëjtën grua dhe ndihen krenarë për këtë fakt.
Gazetarja sheh fëmijët e familjes poligame, por i duket e pasjellshme të pyesë se kujt i përkasin, e megjithatë njeh në ta hundët e dy baballarëve. “Në këtë vend është normale të jetosh në familje të tilla sepse kësisoj burrat kanë mundësi të kontrollojnë bagëtinë dhe të punojnë bashkë, ndërkohë që gruaja qëndron në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët”, thotë Dongqing.
Vendimet merren nga më i moshuari i familjes dhe në këtë rast i takojnë pikërisht 46-vjeçarit. Ai është pronari i shtëpisë dhe përfaqëson boshtin e familjes. Ndërsa Yipyp ndodh të qëndrojë larg shtëpisë edhe për gjashtë muaj për shkak të punës. Ai duhet t’i bindet rregullave të vëllait të madh, pikërisht sepse është i lirë shkojë ku të dojë.
Po dashuria? “Është shumë e thjeshtë: janë dy dhoma gjumi në shtëpi dhe Dongqing fle me të shoqen, por nëse Yipyip kthehet nga një udhëtim i gjatë, Çemaiakamp shkon në dhomën e tij”, shkruan gazeta gjermane. “Nuk e njohim xhelozinë, në të kundërt as nuk do të ishim martuar”, thotë Dongqing.
Familja e Ahos
Familja e dytë me të cilën ndeshet “Die Zelt” sapo është transferuar në Yushu në perëndim të Kinës. Në këtë rast burrat që ndajnë të njëjtën grua janë tre. “Kur mbërritëm në Yushu, njerëzit këtu nuk e kuptonin martesën tonë sepse nuk e njihnin”. Vëllai më i madh Aho është 35 vjeç dhe merret me tregti, Takib është tre vjet më i vogël dhe kujdeset për bashkëshorten dhe fëmijët, ndërsa Jamtsen, 29 vjeç, ndodhet gjithnjë në udhëtime. Të tre vëllezërit u martuan me Giakien, 32 vjeçe, një grua e fortë dhe gazmore.
Si u takuan? “Martesa e tyre u lidh nga dashuria”, thotë gjyshi i të rinjve dhe shton se fshatrat e tyre ishin fqinje, kur Aho u takua me Giakien dhe filloi të këndonte për ta bërë për vete. Fejesa e tyre zgjati tre vjet dhe pastaj vendosën të martoheshin. Në martesë u përfshinë edhe vëllezërit më të vegjël. Edhe Aho thotë se xhelozia nuk është një problem i familjes së tij. Ndërsa Koekritz pyet gruan nëse është e vështirë të jetosh me tre burra? Ajo përgjigjet: Jo, shkoj mirë me të tre, ndryshe nuk do të isha martuar. Pastaj nëse i ndodh gjë njërit, kam dy të tjerët”. Shtëpia e tyre ka katër dhoma dhe gjatë natës gruaja e di se ku duhet të shkojë. Përgatiti: Dorina Gjuzi