Jeta private më takon vetëm mua

redaktor

Sharmi dhe interpretimi i këngëtares, Shkurta Gashi, ka bërë që ajo të mbledhë rreth vetes shumë adhurues brenda dhe jashtë vendit. Balada e fundit e “Dy pika dashuri” e realizuar nga Flori Mumajesi i solli mjaft sukses.

Shkurta suksesin e saj në këngë vazhdon ta arrijë edhe jashtë vendit duke qenë më pranë artdashësve të saj kudo në diasporë. Ndërkaq sa i përket jetës private, edhe Shkurta si shumë kolege të saj, nuk preferon të zbuloj shumë detaje.

Në intervistën dhënë “Zërit” ajo do të flasë për punën, projektet dhe planet për të ardhmen.

– Je duke përgatitur ndonjë gjë të re për adhuruesit tuaj?
– Së fundi kam realizuar baladën “Dy pika dashuri” e cila vazhdon të pëlqehet ende. Për këtë falënderoj Florin, i cili me të vërtetë ka krijuar një hit. Ndërkaq tani jam në përgatitje të disa projekteve të reja muzikore, me të cilat do të prezantohem gjatë këtyre muajve të sezonit të verës.

– Ku do të jesh për këtë sezon vere?
– Edhe për këtë sezon vere sikurse edhe çdo vit tjetër kam mjaft shumë angazhime muzikore. Në fakt kam kontraktuar mjaft shumë edhe mbrëmje muzikore nëpër dasma e ahengje të ndryshme. Andaj gjatë këtyre muajve nuk do të kem fare pushim, por kjo më sjellë kënaqësi, sepse jam me adhuruesit e mi. Do të mundohem që asnjëherë të mos u mungoj artdashësve të mi të këngës.

– Me cilat vështirësi po ballafaqohesh më së shumti gjatë karrierës suaj muzikore?
– Çdo profesion ka vështirësitë e veta e sidomos fusha e muzikës, por duke u rritur në një familje që e duan artin në përgjithësi dhe falë ndihmës së tyre dhe përkrahjen që ma kanë bërë unë tani kam arritur deri këtu. Padyshim se i kam pasur ato vështirësi të cilat i ka thuajse çdo person që i hynë një profesioni, mirëpo fatmirësisht të gjitha i kam kaluar dhe tani nuk kam fare vështirësi. Vështirësia më e madhe mund ta quaj udhëtimin e shumtë nëpër aeroplanë, sepse po më bie mjaft shumë të jem sa në Kosovë, sa në diasporë.

– Sa i përket fitimeve në koncerte e mbrëmje muzikore, sa dallojnë prej viteve në vit, thuhet se gradualisht po bien çmimet për një mbrëmje muzikore, po ndodhë kjo edhe tek ju?
– Duke pas parasysh shpenzimet kolosale që bëjmë ne për krijimin e këngëve, klipeve, blerjen e garderobës, atëherë fitimi mbetet sa për një jetë normale. Kuptohet që tregu muzikor dhe gjendja ekonomike kanë ndikuar që të zbehet paksa puna në këtë fushë. Por megjithatë edhe ne kuptojmë për gjendjen ekonomike që mbretëron kudo, prandaj me gjithë koncertet dhe mbrëmjet e shumta që kam, mundohem ta kuptoj njeriun kur ka dhe kur nuk ka dhe gjithnjë mundohem të jem stabile sa i përket çmimeve në mbrëmjet muzikore.

– Keni arritur atë që e keni ëndërruar, apo keni ende shumë punë për të bërë?
– Mendoj që kam arritur atë që unë e dëshiroja që nga fillimi, gjithsesi duhet ende punë. Muzika nuk ka fund andaj lypset angazhim.

– Përse asnjëherë nuk preferoni të flisni për jetën private?
– Jetën private gjithmonë kam dashur ta ruaj vetëm për vete. Nuk preferoj ta ekspozoj jetën time të cilën e bëjë jashtë këngës sepse fundi fundit kjo është një pjesë që më takon vetëm mua. Edhe unë rëndom si çdo vajzë tjetër, jetoj një jetë normale, të thjeshtë, me prindërit dhe motrat e mia. Ndërkaq sa i përket asaj sentimentales, nuk kisha preferuar të flas në opinion.

– Ndonjë plan për të ardhmen?
– Plane kam bukur shumë dhe mendoj që pjesën dërmuese të tyre ta realizoj. Do të mundohem që adhuruesve të mi të ju sjellë gjithnjë këngë dhe videoklipe të reja.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *