Rikthimi i eshtrave të Ahmet Zogut në atdhe pas 73 vitesh mbetet amaneti i tij dhe tashmë nipi Leka do të jetë i qetë. Organizimi dinjitoz nga qeveria shqiptare pervëçse debatit shkakton një ndjellakeqë kolektive. Cilësimi i Zogut si tradhëtar i vendit dhe Ali Babai i thesarit shqiptar është gjykimi që pushteti komunist i ka vendosur. Kur them regjimi komunist kam në mendje historinë dhe kur citoj këtë të fundit kam në mendje masën, e cila perzgjedh çaste, pa metodë shkencore dhe burime literale. Gojëdhënat e kanë përcjellë ndër gjenerata se të vërtetën e sheh syri ndërsa dora e manipulon atë.
Mesazhin që po përcjell nuk dua as ta lustroj e as ta njollos, nuk po orvatem as ta drejtoj e as ta shtrembëroj. Fatkeqësitë e kanë rrëzuar Shqipërinë 99 herë dhe për çdo herë emrin e saj e kanë lartësuar pacifistët, rilindësit, liridashësit. Drama me 6 akte nis në prill 1939.
Akti 1:
Njerëzit të çoroditur vështronin karvanin e gjatë që shkonte drejt jugut. Shpura e Zogut e cila kishte mësyrë vite më parë nga veriu tash dukej se do ta shtrinte pushtetin e saj edhe në jug. Nata e tradhëtoi këtë karvan të zi e të veremosur. Xhindet, hajdutët, vrasësit, lugatët dalin nëpër natë. NON GRATA – u dëgjua zëri i një lideri të ri, dhe sintagma “Armik i Popullit” jehoi në gjithë Shqipërinë.
Akti 2:
“Se Zogu vetë e tha me gojë/ se unë nuk kthehem në atdhe.”
Armët ishin ende të nxehta dhe nga tyta e tyre villte tym kur në tetor 1940 dy zyrtarë ballkanas i kërkuan Zogut të kthehej në atdhe dhe bashkë me gjeneralin Jorgo Metaksa të drejtonin njësitet guerile në kufirin greko-shqiptar për të çliruar vendin. Sytë e shqiptarëve nuk i panë mustaqet e dredhura për fat të mirë a të keq. Legjenda e avionit të rrëzuar me të cilin do të udhëtonte, komplotet kundër tij , sqima, zgjuarsia rrëfehen vetëm nga shpura mbretërore, d.m.th përralla me mbret.
Akti 3:
“Lufta mbaroi, duhet të luftojmë”
Që Zogu të hynte në Shqipërinë komuniste ishte njësoj si të hidhje monedhën dhe kjo e fundit të mbetej në ajër. Egoja e tij për pushtet, shpenzimi i të ardhurave gati në përgjysmim, krenaria e malësorit i shkaktonin pagjumësi dhe konflikt të ashpër me vetveten. Besnkët e tij tentuan të informonin nga brenda rrethit por u asgjesuan nga Agjentët komunistë. Dëshira e Zogut për ta nxitur Egjiptin drejt krijimit të një bote arabe të bashkuar, të përbërë nga të gjithë popujt islamikë, përfshirë edhe Shqipërinë, i vetmi vend musliman i pavarur në Evropë u rrëzua si një monedhë me fytyrën e atij që e kishte shpallur “Armik të popullit”.
Akti 4:
“Mbreti vdiq, rroftë mbreti”
Në prill të vitit 1961 pas një sëmundjeje mallkuese Ahmet Zogu mbyll sytë me dëshirën që eshtrat e tij të prehen në atdhe. Në rrugën e qetë ku kortezhi lëvizte ngadalë në token franceze u dëgjua disa here në gjuhën shqipe thirrja: “Rroftë Mbreti” dhe qetësia përpiu rrugën.
Akti 5:
“Leka bëhet kurban”
Në vitin 1997 me një kobure në dorë dhe me një shpurë mbështetesish Leka Zogu, i biri i Ahmetit ushtroi gjithë potencialin e tij për të hipur mbi fronin e të atit, që në atë kohe e gëzonte me kushtetutë tjetër një president i atyre anëve nga lindi Ahmeti dhe drejton. Presidenti kishte vite që e ruante kalanë nga brenda dhe i njihte skutat dhe territorin e saj. Të dy u përplasën heshtur, pa gjak, jo siç e kërkon kanuni por ky i fundit mbeti në karrige….
Akti 6:
Pasi kishte nderuar i lehtësuar shemrin e tij me ceremoni protokollare varrimi, pretendentin e fronit në nëntor të vitit 2011, një vit më pas në muajin e festive shqiptare, në datën që përkon me çlirimin e Tiranës, ish-presidenti gjerbi kafen e mortit të Ahmet Zogut. Në nderim të tij e të familjes, për kontributin e madh, për krijimin e shtetit të mirëfilltë, për pikëpamjet perëndimore, pavarësisht nga gabimet figura e mbretit u nderua naltmadhënishëm nga qeveria shqiptare. Masa e ndoqi me vëmendje dramën. Mbi të varrosurin veç dheut që mbante mbi eshtra krejt papritur gjithçka kthehet kokëlart. I destinuar të rendte pas gjithë flamujve tani Ahmet Zogu do të mbajë (ndoshta) përjetë Urdhrin e Flamurit shqiptar.
Leave a comment