Londër – Në prill, ku romani “The cuckoo’s calling” (Thirrja e qyqes) doli në treg, të shumta ishin kritikat pozitive për romanin e parë të Robert Galbraith. Romani i llojit policor u vlerësua, ndërsa shtëpia botuese (Sphere) tha se Robert Galbaraith ishte thjesht një pseudonim pas të cilit fshihej autori i vërtetë.
Por sot të gjitha hamendësimet kanë marrë fund, pasi “Sunday Times” zbuloi emrin e vërtetë të asaj që shkroi librin. Autorja është JK Rowling, e cila njihet në të gjithë botën për sagën fantastike “Harry Potter”. Personazhi kryesor është Cormoran Strike, një ish-veteran lufte, i cili është kthyer në detektiv privat dhe heton vdekjen e një modeleje, që ka rënë nga ballkoni i një shtëpie në Mayfair.
Rowling do të kishte dashur ta mbante sekretin e autorësisë edhe më gjatë, por siç duket suksesi i librit e ka bërë të dorëzohet. “Unë dhe Robert Galbraith jemi një njeri i vetëm. Për mua ka qenë një eksperiencë jashtëzakonisht e bukur të botoj një libër pa presionin e emrit dhe fushata publicitare”. Gjithçka ka rezultuar një sukses, aq sa vitin e ardhshëm pritet një vëllim tjetër i këtij libri me protagonist sërish Cormoran Strike. / Gazmira Sokoli
