Jo besnikëri qorre ndaj partisë

redaktor

Në konferencën për shtyp më 29 maj 2013, Hasan Halilaj, kryetar i Bashkisë së Kukësit, i zgjedhur më 2007 dhe 2011, deklaroi largimin nga PD dhe kalimin në LSI. Deklarata u përcoll nga rrjeti i gjërë i medias elektronike dhe të shtypur, por ka munguar deri më tani një qëndrim zyrtar nga liderhipi i PD. Kjo ndoshta ka ndodhur pasi veprimi flet qartë.

Sipas z.Halilaj, shkaku kryesor i këtij largimi është mosrealizimi i premtimeve nga  qeveria Berisha. Përfaqësuesit e kësaj qeverie nuk kanë denjuar as ta presin dhe jo më ta mbështesin kryetarin e bashkisë për të vënë në rrugën e zgjidhjes problemet e qytetit për të cilat kanë premtuar bashkërisht dhe publikisht.

Madje, disa prej tyre, kanë bllokuar realizimin e projekteve në këtë qytet. Ai drejtoi gishtin sidomos tek ministri për punët publike dhe transportet z. S. Olldashi. Kukësi do ujë, nuk ka nevojë për premtime apo mashtrime politike një herë në katër vjet – është shprehur z.Halilaj.

Qyteti furnizohet me ndërpreje dhe sasi të pakta. Prej tre vjetëve ka filluar ndërtimi i një ujësjellësi të ri për furnizimin e banorëve të Kukësit dhe të 14 fshatrave i financuar nga buxheti i shtetit për 437 milionë lekë, por punimet u ndërprenë për gati dy vjet. Pas rifillimit, ato po bëhen me nxitim dhe jo në cilësinë dhe standardin e miratuar. Rrugët e qytetit janë care duke dëmtuar rëndë mjedisin. Kjo është arsyeja pse kryetari i bashkisë por edhe Këshilli Bashkiak kanë kritikuar metodën që hap rrugë e kanale në prag fushate.

Z.Halilaj përmendi edhe premtime të tjera të pambajtura. Mos miratimi i planit rregullues të qytetit psh përbën një shembull tipik të zvarritjeve burokratike. Me këtë zvarritje  qeveria i ka mbyllur perspektivën e zhvillimit urban të Kukësit dhe ka nxitur nismat për ndërtime jashtë kritereve ligjore.

Kryetari i bashkisë, prej fillimit të detyrës së tij më 2007, për gjashtë vjet me radhë, ka marrë premtimin për ndërtimin e një shkolle 9 vjeçare në lagjen e re të qytetit. Kërkesa është e drejtë pasi numri i nxënësve për klasë, në qytet është 1.2 herë më i lartë se në komuna. Por MASH deri tani e ka bërë veshin të shurdhër.

Kukësi, si një qytet i ri, ka një rrjet rrugor të sistemuar në të gjitha lagjet. Por me gjithë përpjekjet për mirëmbajtjen, si rrjedhojë edhe e punimeve në ujësjellës, ai është dëmtuar rëndë. Ndërkohë qeveria këtë vit nuk ka dhënë asnjë fond për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Kukësi nuk ka ende landfill (një vend për depozitimin e mbetjeve urbane) për trajtimin e mbetjeve urbane, por, mbledhja e tyre bëhet pa i ndarë, dhe të gjitha hidhen në të njëjtin vend depozitimi. Kur ai mbushet plot, mbulohet me dhé e braktiset duke krijuar pasoja në mjedis.

Qeveria nuk ka financuar për përmirësimin e kushteve të konviktit të shkollës së mesme, si dhe për ngritjen e një qëndre për shërbimet sociale për të moshuarit, që mungon në këtë qytet. Me sa duket qeveria nuk ka dhënë as pjesën që i takon për ndërtimin e stadiumit të ri bashkëkohor të futbollit me 5 mijë vende, sport në të cilin, Kukësi këtë vit zuri vendin e dytë në ligën e parë shqiptare dhe do të ndeshet me skuadrat më të mira europiane. Gjithashtu, kanë munguar fondet për të vënë në funksionim tregun agro-ushqimor dhe magazinën e patates.

Pra, del se në 6 vitet e fundit qeveria nuk ka investuar ose i ka vonuar projektet që përmirësojnë shërbimet jetësore dhe ndikojnë disi në uljen e papunësisë dhe varfërisë në qytet. Mosrealizimi i detyrimeve financiare që ka qeveria ndaj qeverisjes vendore, në vend që ta zbuste, e ka rënduar akoma më shumë gjendjen e vështirë në qytet.

Në dokumentet programore të Bashkisë të Kukësit por edhe të qarkut del qartë niveli i lartë i varfërisë në këtë zonë. Numri i familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike në raport me familjet gjithsej, bazuar në të dhënat e INSTAT, në qarkun e Kukësit (ku përfshihen rrethi i Kukësit, i Hasit dhe i Tropojës) është më i larti në vend: rreth 66.5 për qind. Më pas renditen qarku i Dibrës me 44 për qind, i Shkodrës me 25.1, i Lezhës me 22.4 për qind.

Niveli i lartë i varfërisë rezulton edhe në qytet pasi nga 4,761 familje gjithsej, 2,035 ose 42.8 për qind e tyre “trajtohen” me ndihmë ekonomike. Mbi 35 për qind e popullsisë së aftë për punë në këtë qytet është e papunë, kur shifra zyrtare (jo reale) në shkallë vendi është 13 për qind. Numri i bizneseve është shumë i ulët dhe në gjendje të vështirë financiare.

Këto janë arsyet që e kanë bindur kryetarin e bashkisë të largohet nga partia e një qeverie që nuk i mban premtimet ndaj qytetarëve që e kanë zgjedhur dhe që beson për ndryshimin e gjendjes tek një parti që është pjesë e koalicionit për Shqipërinë Europiane.

Po pse qeveria Berisha u ka qëndruar larg zgjidhjes apo lehtësimit të problemeve shqetësuese që ka kryeqëndra dhe gjithë qarku i Kukësit? Shpjegimet duhet të bëhen nga ministrat përkatës, por mendoj se dy janë faktorët kryesorë:

Së pari, mungojnë paratë e buxhetit për investime. Kriza ka dhënë efekte shumë të rënda në të ardhurat. Fondet për investime në raport me PBB janë përgjysmuar këto dy-tre vitet e fundit. Kjo është arsyeja kryesore pse premtimet qëndrojnë në “hava” e nuk zbresin në tokë. Por, në vend që të tregojë të vërtetën, qeveria gënjen me premtime të reja.

Së dyti, në vitin 2010 përfundoi rruga e Kombit, e cila filloi me “taksën Majko” në vitin 2001 dhe u financua me “bujari të madhe” nga buxheti i shtetit pas vitit 2007. Sigurisht kjo e ka përmirësuar pozicionin gjeografik të Kukësit ndaj Tiranës dhe Kosovës. Mirëpo qeveria, me sa duket, këtë rrugë e ka konsideruar edhe bukë edhe ujë, arsim e kulturë, sport e gjithçka. Përndryshe nuk ka si shpjegohet fakti që investimet në qarkun e Kukësit nga qeveria për vitet 2010-2012 kanë qënë afër zeros.

Disa mund ta cilësojnë veprimin e z.Halilaj si një “tradhti” ndaj PD, se ajo e vlerësoi, i dha një post të lartë, se të gjitha do të realizoheshin një ditë. A nuk po premton z.Berisha në çdo miting se do të bëjmë gjithçka! Mirëpo gjithkush e sheh se premtimet po shtyhen nga njeri vit në tjetrin, duke marrë formën e një borxhi publik që po i afrohet tre shifrave. Atëhere përse duhet besuar në të ardhmen kur premtimet nuk mbahen?

Këtu nuk bëhet fjalë për “shkelje bese” ndaj një personi, qoftë ky edhe një funksionar i zgjedhur, siç është kryetari i bashkisë, por ndaj një komuniteti qytetar që kërkon përmirësim të jetesës së tij duke filluar nga uji i pijshëm, punësimi, shkollimi, pse jo dhe kultura e … futbolli. Prandaj dhe shqetësimi merr përmasa të gjera dhe shkon deri tek qytetari i thjeshtë.

Sigurisht, tani, në periudhën e pluralizmit politik, ndryshe nga sistemi një partiak, largimi apo përjashtimi nga partia nuk shikohet si “tradhti” apo “pushkatim politik” por gjykohet mbi bazën e rrethanave konkrete. Në këtë rast, largimi nga PD është i motivuar nga pikpamja morale e politike dhe ekonomike, pasi partitë janë bashkime vullnetare të shtetasve të bazuara jo vetëm në idetë por edhe në interesat e përbashkëta politike, që synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur në organet e pushtetit. Kuptohet, kur këto interesa nuk përputhen atëhere dhe rrugët ndahen.

Madje mund të ndodhë, që mosrealizimi i premtimeve, të çojë jo thjesht në largimin nga partia të vetëm një personi të zgjedhur, por edhe të një mase të madhe përkrahësish siç ka ndodhur në fakt në “bastionet” tradicionale të PD në Kavajë e Laç e qytete të tjera.

Më në fund, “rasti Halilaj”, përbën një sinjal të qartë për politikanët e lartë (të çdo krahu qofshin) të tregohen më realistë dhe më të përgjegjshëm për premtimet që bëjnë ndaj votuesve.

Share This Article
4 Comments
  • Z.Luan e ke analizuar shume qarte dhe me pelqen konkluzioni ne fund:”Më në fund, “rasti Halilaj”, përbën një sinjal të qartë për politikanët e lartë (të çdo krahu qofshin) të tregohen më realistë dhe më të përgjegjshëm për premtimet që bëjnë ndaj votuesve.”

  • Shoku Luan!Ke qene ne Kukes ndofta ne periudhen kur PARTIA jote e detyruar nderroi emrin por jo vazhdimesine.Ti shoku Luan predikon per te tjeret po vete je ai qe je.Ti vete je fanatik i PPSH-se dhe nje here ne Bicaj,fshati i Shokut Hasan,kur ishte referendumi per Kushtetuten ne ’94,kur u ngrit njeri ne salle dhe tha se jam komunist jo socialist,jashte salle ti i the ;ore te gjithe ashtu jemi po mos u shpreh.Ishe me Ahmet Gurin,ish Sekretarin e Byrose se PPSH-se ne Bicaj.Ti je ai i ’67, i ’90, i ’92, i 2005, i te gjirthave po PARTINE nuk e leshon.Keta e mbajne PARTINE e jo si Hasani,qe ta dish bash mire ti shoku Luan,ai e leshoi PD-ne per interesa te ngushta personale e jo per parime.Mos te te vije cudi kur neser ta leshoje LSI-ne e te shkoje te partia e vetja dhe e babes,ajo origjinalje dhe e Zemres te PPSH,PSSH.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *