Pa u tharë ende boja e miratimit të paketës fiskale dhe buxhetit të vitit 2013, në janar të këtij viti, kryeministri Berisha, befas “u kujtua”se kishte gabuar me rritjen e tatimit 10 % për personat që sigurojnë deri në 30 mijë lekë të ardhura në muaj, të vendosur më 2007. Prandaj ndërmorri nismën për ta ulur në 0 %. Nismën e ktheu shpejt në projektligj i cili u miratua nga Kuvendi më 28 mars 2013. Ligji tashmë ka hyrë në fuqi pasi është botuar në Fletoren Zyrtare.
Po si shpjegohet që “u kujtua” pikërisht tani për të lehtësuar grupin me të ardhura të ulëta kur, për mbi pesë vjet me radhë, veç opozitës, edhe studiues të ekonomisë, e patën kundërshtuar rritjen e tatimit mbi të ardhurat që nuk mbulojnë as kufirin e varfërisë?
Në fakt nuk kemi të bëjmë me një lëvizje “surprizë” por me një praktikë tashmë të konsumuar, për të bërë gjithçka, shkel e shko, në prag zgjedhjesh qendrore apo vendore, si në rastin e 23 qershorit. Mirëpo, vështirë se mund të arrihet ky objektiv, pasi natyrshëm del pyetja: kush e ngriti tatimin për këtë grup, që tani, z.Berisha, lavdërohet se e uli? Përgjigja është e qartë për cilindo: është vetë ai, qeveria dhe partia që ai drejton. Prandaj, të lihen mënjanë mburrjet dhe t’u kërkohet falje, (pse jo, të dëmshpërblehen) atyre qindra mijë personave, sidomos të prodhimeve të veshjeve dhe këpucëve me material porositësi, (ndryshe fasoneve), të cilëve iu është mbajtur 10 % e pagës tëmbajtur që nga viti 2008.
Gjithkush e kupton se ulja e tatimeve dhe taksave nuk përbën ndonjë problem të vështirë kur ke shumicën parlamentare. Mjafton të shtypësh butonin mazhoritar. I vështirë është zbatimi i kushtit kryesor – mosprekja e nivelit të ardhurave. Në të kundërtën, do të reduktohen shpenzimet dhe do të rritet borxhi publik.
Nga ligji për heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale deri në 30 mijë lekë llogaritet të përfitojnë rreth 220 mijë persona me një efekt në buxhetin e shtetit për rreth 2.5 miliardë lekë. Mirëpo, për shkak se jemi në fushatë dhe punët bëhen me ngut, nuk është parashikuar se si do të zëvëndësohet kjo shumë me burime të tjera alternative. Nëse kjo do t’u zbritet të ardhurave atëhere do të duhej të miratohej një projektligj për ndryshimin e buxhetit dhe rritjen e borxhit publik, që tashmë e ka kaluar nivelin maksimal të 60 % të PBB.
Në vitin 2007 Shqipëria u largua nga vendet perëndimore që përdorin prej mëse një shekulli sistemin e tatimit progresiv dhe iu bashkua Rusisë, Serbisë, dhe disa vendeve të tjera ish-komuniste, të cilat, duke filluar nga 1994, e më vonë po përdorin tatimin përpjestimor, i quajtur ndryshe “taksa e sheshtë”. Si rrjedhojë e këtij ndryshimi, barra tatimore u zhvendos nga grupet me të ardhura të larta në ato më të ulëta.
Me sistemin progresiv të viteve 1993-2007, i bazuar në parimin “kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë tatime”, grupi i parë i të ardhurave deri në 14 mijë lekë tatohej vetëm 1 %, grupi i dytë (14-40 mijë) 3.6 %, grupi tretë (40-90 mijë) 7.1 %, grupi i katërt (90- 200 mijë) 5.6 % dhe grupi i pestë, me më shumë se 200 mijë lekë, rreth 13.2 %.
Krahasimi i të dhënave midis dy sistemeve tregon se “taksa e sheshtë” është 9 % më e lartë për grupin e parë, 6.4 % për grupin e dytë, 2.9 % për grupin e tretë, 4.6 % për grupin e katërt dhe 3.2 % më e ulët për grupin e pestë. Pra, “taksa e sheshtë” ul të ardhurat e grupeve të para, që përbëjnë shumicën dhe favorizon grupin e pestë, me të ardhura më të larta.
Në përpjekje për të shmangur thellimin e pabarazive në të ardhurat personale, duke filluar nga ky vit, Rumania dhe Sllovakia, tashmë dy vende të BE, rikthyen sistemin e tatimit progresiv, që përdorin vendet me ekonomi tregu e sistem fiskal të konsoliduar.
Z.Berisha e etiketon sistemin progresiv si marksist, por në fakt themeluesi i shkencës ekonomike dhe i parimeve të taksimit është A.Smithi me veprën e tij madhore “Pasuria e Kombeve” (1776). Z.Berisha “bën autogol” pasi ishte vetë ai që zgjodhi sistemin tatimor progresiv në vitin 1993 dhe e vazhdoi deri më 1997.
Socialistët gjithashtu e përdorën këtë sistem në vitet 1997-2005 pasi arritën në përfundimin se kriza ekonomike, politike dhe sociale që trashëguan nuk ishte si rrjedhojë e sistemit tatimor progresiv, por e politikave të gabuara të qeverisjes të PD. Kjo qeveri e vazhdoi këtë mënyrë tatimi edhe kur u rikthye më 2005 deri më 2007. (Po të ecim me logjikën e mësipërme, i bie që në vitet 1993-2007 të kemi qenë të gjithë “marksistë”!)
Z.Berisha nuk ngurron të etiketojë si marksistë edhe liderët e 84 % vendeve të botës, që drejtojnë qeveri të majta e të djathta, që zbatojnë lloje progresive të tatimit mbi të ardhurat personale. Lloje të tilla përdoren në shtetet më të mëdha e më të zhvilluara kapitaliste në Europë, ShBA, Japoni, Kinë, Brazil etj.
Z.Berisha e quan qeverinë e tij si ultraliberale, por përjashtimi i “taksës së sheshtë” mbi nivelin e grupit me të ardhura deri në 30 mijë lekë në muaj tregon për një gjysëm-hapi progresiv (“marksist”). Por, për të hedhur edhe gjysmën e hapit tjetër do t’i duhet që të rrisë tarifat e tatimit për grupet me të ardhura të larta mujore. Përndryshe ku do t’i gjejë paratë për të realizuar të gjitha ato premtime fantastike që po bën gjatë kësaj fushate.
A.Smith dhe pasuesit e tij e kanë vlerësuar rritjen e të ardhurave si qëllimin kryesor dhe më të drejtpërdrejtë të taksimit për financimin e shpenzimeve për mbrojtjen, rendin publik, shkollat, spitalet, sistemin juridik, pagat, pensionet etj. Prandaj, kjo masë gjysmake pa e shoqëruar me burime për rritjen e të ardhurave, thjesht përbën një arnim në sistemin tatimor.
Çdo qeveri duhet të sigurojë më shumë të ardhura përmes një kontributi financiar më të madh nga milionerët, pasi shteti bën shpenzime me përpjestime më të mëdha për shtimin dhe garantimin e pasurive të tyre dhe se të ardhurat rriten më shumë kur shtohet konsumi i shtresës së mesme. Kjo është arsyeja kryesore pse disa prej kapitalistëve më të suksesshëm në botë, përfshirë W.Buffet dhe B.Gates, kanë shpallur mbështetjen e tyre për taksat progresive.
Madje, do të sugjeroja që masa e këtij tatimi të mos bëhej 0% por simbolikisht 1%, që çdo qytetar, edhe me pak të ardhura, ta ndiejë veten taksapagues. Në këtë mënyrë, të fillojë të krijohet kultura e domosdoshmërisë të pagesës së taksave. Kjo duhet bërë edhe për faktin se ne mbledhim vetëm rreth 50 % të të ardhurave kundrejt PBB të vendeve të BE, dhe se për dekada me radhë, para vitit 1990, kemi trashëguar një traditë pa tatime dhe taksa.
Ngushtimi i hendekut midis të ardhurave personale të ulëta dhe të larta, edhe pse jo i ndjeshëm, përbën një prirje me karakter progresiv. Kjo është arsyeja pse opozita socialiste e ka quajtur këtë si “vjedhje” të programit për një Rilindje Shqiptare. Nga ana tjetër, ka shpallur angazhimin për të ulur tarifat e tatimit deri në 70 mijë lekë në muaj dhe për të rritur tarifat e pagave të larta, sidomos të funksionarëve të lartë publikë.
