Përfaqësuesja e SHBA-së nuk arriti të kualifikohej për Kupën e Botës, e megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar tifozët amerikanë që të blejnë më shumë bileta se çdo vend tjetër.
Të dhënat e publikuara nga vetë FIFA tregojnë se në total janë shitur 2.4 milionë bileta për këtë kompeticion ku do të zhvillohen 64 ndeshje.
Në fillim të kësaj jave, tifozëve u janë shitur 871 797 bileta, nga të cilat rreth 90 mijë u blenë nga amerikanët.
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, numri më i lartë i biletave të shitura të Botërorit është shënuar në Brazil, me 72512 bileta.
Më pas vijnë vendet si Kolumbia, Meksika, Argjentina dhe Peruja.
Ndërsa në vendin e kampionëve të botës, Gjermani, numri i biletave të shitura arriti në 62541.
Në dhjetëshen e vendeve ku janë shitur më shumë bileta janë edhe Kina, Australia, Polonia, Suedia e Danimarka.
Në vendin që dallohet për tifozeri të zjarrtë, Angli, janë shitur vetëm 32 mijë bileta dhe kjo vetëm për shkak të frikës që ekziston për shfaqjen e dhunës dhe abuzimeve raciste në Rusi.
s.a/dita
