Letër e nënshkruar,
Pali Nito
Të gjithë ndihemi të keqardhur e të trishtuar me eksodin e pandalshëm që po ndodh në Kosovë. Familje të tëra deri edhe me fëmijë latantë dynden masivisht drejt Serbisë dhe Hungarisë me destinacion veçanërisht Gjermaninë, a thua se atje do të gjejnë parajsën e ëndërruar.
Kosova dhe kosovarët gjatë genocidit të egër serb në vitet 98 dhe 99-të përjetuan skena të llahtarshme e rrënqethëse po nuk u stepën dhe gjunjëzuan ndaj represionit të egër të diktatorit barbar Millosheviç.
Të braktisësh e të boshatisësh Kosovën tani, do të thotë që t’ja dorëzosh shqaut madje në mënyrë krejt paqësore. Përballë këtij eksodi shtrohet pyetja, ku po shkoni vëllezër?! Europa të cilën ju e perceptoni si parajsë nuk është më Europa e dikurshme pasi ajo ka edhe vetë problematikat e saj. Prandaj për të parandaluar këtë boshatisje katastrofale lipset të zgjohen nga gjumi letargjik politika, inteligjenca, ekzekutivi, shoqëria civile e në veçanti media. Fatmirësisht Kosova ka resurse të konsiderueshme pasurore me toka bujqësore e të begata për prodhimin e drithërave që dikur vlerësohej si hambar i ish Jugosllavisë por edhe me nëntokë të pasur me minerale të rralla. Prandaj kthehuni burra se aty dhe vetëm aty do ta gjeni lumturinë dhe begatinë tuaj.
