Jo sonte…

anazapta

Për këtë shkrim më nguci letra mbresëlënëse e një gruaje. Ajo është e martuar prej njëzet vjetësh me një moshatarin e saj dhe kanë dy fëmijë adoleshentë. Të dy kanë arsim të lartë, bëjnë punë intelektuale, kanë të ardhura të kënaqshme dhe jetojnë në apartamentin e tyre. Por të gjitha këto nuk arrijnë për këtë grua. Jeta seksuale bashkëshortore, që nga fillimi i saj, nuk ka qenë e kënaqshme.

“Shqetësimin tim nuk e di askush”, shkruan gruaja, “sepse nuk kam patur guximin t’ia tregoj njeriu. Edhe pse kam qenë një vajzë qyteti, e shkolluar dhe e dalë, gjithnjë e kam pasur atë ndjenjën se njerëzit do të më fajësonin mua. Me bashkëshortin kam patur një jetë seksuale shumë të vakët. Asnjëherë nuk më ofroi lirshmëri, madje, edhe atë dashuri që kam patur ma veniti në kulm. Çdo natë më zë gjumi me sy të përlotur, duke e pritur të vijë në shtrat. Ai rri në dhomën e ndenjes deri pas mesnate, sheh filma dhe më pas më futet në krevat.

Fillimisht gjithnjë kryenim raporte në orë të vonë (në 2 ose 3 të mëngjesit), kur unë isha e vdekur në gjumë. Shpesh i thosha se kjo gjë nuk më jepte asnjë lloj kënaqësie seksuale, por ai asnjëherë nuk e ndryshoi sjelljen e tij. Gjatë ditës, tentoja ta joshja, por çdo përpjekje e imja dështonte. Unë kam paraqitje të mirë, këtë ma vënë në dukje shpesh të tjerët. Por ai është kaq indiferent e pasiv. Pas lindjes së fëmijës së dytë kryenim marrëdhënie njëherë në dy javë, më pas një herë në muaj. Tani, prej dy vjetësh ai fle në kuzhinë siç ju thashë. Kanë kaluar tetë muaj dhe ai nuk është kujtuar për mua. Më është sosur durimi dhe jam bërë shumë nervoze. Jam shumë e dëshpëruar dhe ndjej një boshllëk të madh në shpirt… Shpesh herë e kam pyetur veten: Si e ka hallin? Mos më tradhton? Mos është i sëmurë? Por përgjigje nuk gjej.

Kjo është, shkurtimisht, letra e kësaj gruaje. Por ajo nuk është e vetmja që vuan kështu. Si ajo ka shumë të tjera kudo në botë dhe veçanërisht, në shoqërinë shqiptare. Ato vuajnë, por nuk kanë kurajën të kërkojnë një jetë më të mirë, të cilën e meritojnë plotësisht.

Në të gjithë kompleksitetin e marrëdhënieve martesore (ekonomia, telashet, fëmijët, prindërit, sëmundjet, e shumë të tjera), seksi, sipas shumë studimeve, zë rreth 12% të tyre. Ndonëse duket një shifër relativisht e vogël, marrëdhëniet seksuale në martesë janë esenciale. Ato janë të domosdoshme për ta mbajtur lidhjen martesore të qëndrueshme. Martesa është, gjithnjë, e uritur për seks.

Në qoftë se ju dëgjoni nga bashkëshorti ose bashkëshortja shprehjen, “nuk ta kam qejfin sonte”, pavarësisht nga mënyra si thuhet, ju, me siguri, bëni pjesë në grupin e atyre shumë çifteve, që zvarriten në një martesë të uritur për seks.

Kur burri dhe gruaja nuk kanë midis tyre lidhje intime të mira, martesa do të vuajë. Kur bashkëshortët neglizhojnë nevojat fizike dhe emocionale të njëri-tjetrit, ata rrezikojnë seriozisht lidhjen tyre martesore. Kur neglizhenca seksuale bëhet diçka e zakonshme në jetën bashkëshortore dhe çifti është familjarizuar me të, specialistët këshillojnë që kjo mënyrë të jetuari duhet ndryshuar sa më shpejt.

Shpesh, të martuarit, por edhe të pamartuarit pyesin: Sa shpesh të bëjmë seks? Një herë në muaj? Një herë në javë? Çdo natë?

Duhet ta themi që në fillim, numrat nuk kanë rëndësi. Në punët e seksit mos u tërhiqni nga sasia, rëndësi ka cilësia. Por, ndërkaq, ekspertët thonë se një martesë konsiderohet si “pa seks”, kur çiftet bëjnë dashuri 10 herë në vit ose më pak. Një studim në revistën “Newsweek” konkludon, 15% deri 20% e çifteve i takojnë kategorisë “martesë pa seks”. Kjo shifër tregon se “martesa pa seks” është bërë si një epidemi.

Është e vërtetë, se për disa njerëz, seksi nuk është ajo që shumica e njerëzve lakmojnë në një marrëdhënie dashurie. Por, për shumicën, intimiteti fizik është mënyra më vitale që i mban njerëzit emocionalisht të lidhur me njëri-tjetrin. Kur dy të dashuruar prekin trupat e njëri-tjetrit, kjo nuk është vetëm kënaqësi! Kjo është edhe terapi, veçanërisht, kur kjo jepet dhe merret rregullisht. Kur dy njerëz përkëdhelen në shtrat, ata i sigurojnë vetes dy përparësi terapeutike: 1- Çlirohen nga stresi dhe 2- Përfitojnë nga “sexercisa”, sepse seksi është ushtrim fizik shumë i mirë.

Gratë, më shpesh se burrat, për të evituar seksin thonë “Nuk jam mirë sonte”. Lodhja është një justifikim tjetër, që përdoret shpesh për të evituar seksin duke thënë: “Ta lëmë, sonte jemi shumë të lodhur”. Shumë gra preferojnë të thonë: “është më mirë të mbyllim pak sytë, se të bëjmë seks”. Por, ato harrojnë, se marrëdhënia do t’i ndihmojë edhe për gjumë më të mirë.

Dëshira për seks “thahet” edhe nga ndryshimet biologjike. Niveli i hormoneve në gjak ndryshon shumë pas lindjes së fëmijëve, gjatë menopauzës, gjatë andropauzës së burrave dhe depresionit. Shumë barna që merren për të luftuar depresionin, hipertensionin e të tjera, shpesh, e prishin dëshirën për seks.

Sipas një studimi 30%-50% e grave dhe 20%-30% e burrave thonë se kanë pak, ose aspak dëshirë për seks me bashkëshortët e tyre. Një pjesë e mirë e këtyre rasteve, lidhen me ndryshimet hormonale, si tek gratë dhe tek burrat. Por nuk janë vetëm këto që sapo thamë, arsyet pse të martuarit refuzojnë seksin. Ka edhe plot probleme të tjera të pazgjidhura emocionale, që janë shkaku i shumë martesave pa seks.

Dëshpërimi, zemërimi i pashprehur dhe dhembjet shpirtërore, i detyrojnë bashkëshortët të tërhiqen nga seksi. Një grua mund të jetë aq shumë e dëshpëruar sa që nuk e lejon burrin as ta prekë. Ajo shpreson, se duke e flakur burrin seksualisht i dërgon atij atë mesazh, që nuk e thotë dot me gojë. Ajo e bën këtë dhe nuk shqetësohet fare sa shpesh e dërgon këtë mesazh. Ajo thjesht mendon, se në këtë mënyrë ndëshkon burrin. Ajo mendon se burri e meriton këtë ndëshkim, nga që ai nuk ndihmon në punët e shtëpisë. “Në qoftë se ai nuk bën diçka për mua, pse të bëj seks me të?”

Një studim i kohëve të fundit në “University of Washington” konkludoi, se burrat që ndihmojnë në punët e shtëpisë bëjnë jetë seksuale më aktive me gratë e tyre, kur krahasohen me burrat që nuk bëjnë punë shtëpie. Burrat bëjnë mirë ta mësojnë këtë fakt.

Burra, ka edhe shumë stimuj të tjerë veç punëve të shtëpisë. Ja dhe një stimul tjetër. Në një studim në “University of California” u konstatua, se gratë, jo vetëm janë më të dëshiruara seksualisht ndaj burrave që ndihmojnë në punët e shtëpisë, por, këta burra, u duken edhe fizikisht më tërheqës.

Kur çiftet heqin dorë nga seksi për një kohë të gjatë, e kanë të vështirë për ta rifilluar jetën seksuale. Mos e harroni thënien: “Po e le e humbe”, që ka vlerë edhe në këtë rast. Në situatën kur çiftet ndjejnë ftohje seksuale, të dy partnerët ndihen të neglizhuar dhe të refuzuar: “Ajo nuk dëshiron të flejë me mua!, mendon burri. Ai nuk pyet pse jam e zemëruar dhe nuk dua të fle me të?”, mendon gruaja.

Në qoftë se këto probleme mbeten të pazgjidhura për kohë të gjatë, çifti i ka hapur rrugën divorcit. Kur nuk e gjejnë intimitetin dhe afeksionin që u duhet tek gruaja, ose tek burri, do ta kërkojnë atë diku gjetkë. Edhe vetëm ky fakt mjafton, që të bindemi se marrëdhënia seksuale në martesë është me shumë rëndësi.

Çdo çift, duhet të përpiqet ta rikthejë intimitetin që ka humbur.

 

Dr. Adem Harxhi / [email protected]

Për Ditën nga New York

Share This Article
4 Comments
  • megjithate,jane keshilla te vyera.po kush do tia beje punet e shtepise gruas ai
    fshatari qe rrin gjithe diten ne goten e rakise??
    po te flasimper shqiperine nje pjese e konsiderojne gruan nje shok jete ne te gjitha drejtimet dhe ndajne gjithcka me te. ndersa pjesa tjeter nuk ka nivelin e duhur per nje konsiderate te tille…

  • Doktor, mire e ke shkrimin po une s’gjeta gjekundi pergjigje per hallin e letershkronjeses. Doktor, po per seksin studime vetem ne Amerike behen, se me sa di une kryhen dhe ne Gjirokaster dhe bile fort te mira, keshtu qe ne shkrimet e tjera na perfshi dhe ne gjirokastriteve se dime te bejme seks me mire se amerikanet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *