Letër e nënshkruar
Pjetër Bubaj, Nikollë Ndoku
Ajo që na bëri të shkruajmë është një letër që na ka dërguar pasardhësi veteran 73 vjeçari Gjetë Leka me banim në qytetin e Rubikut. Kishte kryer një operacion të vështirë në spitalin e Rrëshenit. Sot po bëhet një zhurmë e madhe për korrupsionin nga ana e bluzave të bardha (mjekësia). Nuk jemi për atë që të “bardhën” ta quajmë gjithmonë të bardhë, por kurrsesi me atë tjetrën që në mjekësi ta shohim gjithçka me syze të errëta. Nuk është faji ynë që një hidraulik apo shtrues pllakash paguhet më shumë se sa një mjek specialist, apo faji i pacientit që për një vizitë private në mjekësi apo një operacion duhet kërkuar borxhe nga të afërmit e deri tek komshinjtë. Këto na shkruante Gjetë Leka i cili para disa ditësh ishte shtruar për operim në sallën e kirurgjisë në spitalin e Rëshenit. Ishte befasuar së tepërmi nga kujdesi tepër i madh që tregohej atje ndaj të sëmurëve të shtruar, e sidomos për ata të moshës së tretë. Mjekët kirurgë Gjovalin Bushi, Bardhok Doda dhe mjekët Simon Kala, Zef Prenga, Preng Simoni, por dhe vetë drejtori Pjetër Pjetri dhe deri tek infermierët pjesëmarrës të këtij ekipi si Dila Taçi, Terezja, Liza, Frida tregonin kujdes të veçantë për pacientët, trajtimin e terapisë dhe ndjekjen e gjendjes shëndetësore për të gjithë të sëmurët. Të tregojmë respekt për ata, se janë në mes nesh, jetojnë me ne, vuajnë si ne për të na e bërë jetën të bardhë ashtu si bluzat e tyre. Pjetër Bubaj dhe Nikollë Ndoku, Rubik.
