Jo të gjithë të këqijat, vijnë për keq

redaktor

Referendumi britanik për dalje nga BE, ndryshe nga ç’pritej, në lidhje me shkaktimin e një efekti zinxhir në vende të tjera të Unionit, po shtrëngon radhët e tij. Që prej muajit qershor, kur britanikët votuan për dalje nga BE, qëndrimi pro Unionit është rritur pothuajse në të gjithë vendet e tij, duke përfshirë këtu edhe vetë Britaninë e Madhe. Kjo konfirmohet nga studimi i fundit eupinions i fondacionit Bertelsmann Stiftung.

Mbështetja e anëtarësimit në BE pas Brexit, ka shkuar në nivelin 62%, në muajin gusht në krahasim me nivelin e pasqyruar prej 57%, në muajin mars të po këtij viti. Vëmendje tërheq Britania e Madhe, ku qytetarët britanikë pas Brexit, janë shprehur në favor të anëtarësimit në BE me 56%, ndërkohë që përpara referendumit të dhënat e eupinions pasqyronin një mbështetje prej vetëm 49%. Sipas eupinions, kjo është hera e parë që prej vitit 2015, ku britanikët shfaqen më pro evropianë se, sa francezët (53%) apo edhe italianët (51%), të pyetur në lidhje me vazhdimin e anëtarësimit të vendit në BE. Në tërësi, vetëm 26% e të anketuarve mendojnë se vendi i tyre duhet të lërë BE-në, një nivel që sipas studimit njeh ulje me 4%.

Në tërësi, tendenca e mbështetjes ndaj qenies anëtar të vendit në BE njeh rritje pas Brexit sidomos në Gjermani dhe në Poloni, dhe kryesuesi i bordit të fondacionit Bertelsmann Stiftung, De Gues, ka deklaruar se “ Kanosja e Brexit, duket se ka qenë reklama më e mirë për BE. Fatkeqësisht shumë britanikë, vetëm tani po arrijnë të njohin avantazhet e një Evrope të bashkuar. Tashmë të dy palët duhet të bien dakord mbi rregulla të qarta për të ardhmen, sepse nuk do të ketë një Evropë sipas menysë.”

Përveç studimit të mësipërm, interes ngjall edhe një tjetër studim, i kryer menjëherë pas rezultatit të referendumit britanik. Do të ishte Fondacioni Evropian i Studimeve Progresiste (FEPS) që do t’i kërkonte Ifop-it të pyeste popullatën e 6 vendeve anëtare (Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, Belgjikë dhe Poloni). Pavarësisht ndikimit real që mbart në vetvete vota e britanikëve, reagimet e opinionit publik do të varionin nga njëri vend në tjetrin, duke mos e konsideruar si katastrofë vendimin për ikje të britanikëve. Në Francë, 58% e të anketuarve vlerësonin se, nuk është edhe aq e rëndë ikja e Britanisë, pasi Britania e Madhe gjithmonë ka pasur një statut të veçantë në Evropë dhe ka frenuar gjithmonë progresin e ndërtimit evropian. Një konstatim që u vëzhgua edhe në Itali, (49%) Belgjikë (47%) dhe Gjermani (41%). Në tërësi vetëm një pakicë, vlerësonte se ikja e Britanisë së Madhe është diçka e rëndë, pasi është një nga vendet kryesore të Unionit dhe një prej ekonomive të rëndësishme, që braktis bashkësinë evropiane. Polonia shfaqej si vendi më i shqetësuar në lidhje me ikjen e Britanisë dhe sipas studimit shqetësimi lidhje me numrin e lartë të emigrantëve polakë në tokën britanike (800 mijë). Tendencë që shfaqej edhe në Spanjë, e lidhur kjo me pasigurinë ekonomike dhe situatën jo shumë të favorshme të ekonomisë së këtij vendi.

Por, edhe ky studim konfirmon të njëjtën situatë si edhe studimi i fundit i fondacionit gjerman, ku qytetarët vlerësojnë se anëtarësimi i vendit në BE, është diçka pozitive. Në Gjermani, ku opinioni publik sipas studimit, shfaqet si nga më evropianët, përqindja dhe evoluimi i vëzhguar menjëherë pas referendumit britanik, vlerësohej se ishin spektakolare. 81% e gjermanëve mendonin se përkatësia në BE është një gjë e mirë për vendin (+19 nga nëntori 2014). Situatë e njëjtë ishte shfaqur edhe në Francë, Belgjikë, Spanjë dhe Poloni. Në tërësi studimi do të konfirmonte se efekti i Brexit, ka përforcuar idenë se anëtarësimi në BE është i mirë për vendin dhe se pritshmëria mbi përforcimin e mëtejshëm të Unionit, vazhdon të ruajë të njëjtën tendencë. Pra, kemi përforcim të logjikës se vullneti i së “keqes” shpeshherë ka forcën të shkatërrojë vetë të keqen dhe se për shkak të së keqes shpeshherë gjërat shkojnë mirë. Kjo, pasi raporti me problematikën, ka shpesh forcën të nxisë reflektimin mbi domosdoshmërinë, që sjell bashkimi dhe bashkëpunimi.

Krizat

Në vargun e krizave që tashmë kanë pushtuar BE-në, kriza e refugjatëve vazhdon të shfaq një shqetësim konstant. Këtë javë, Parlamenti Evropian do të votonte një rezolutë ku kërkohej ngrirja e përkohshme e procesit të negociatave me Turqinë. Kjo për shkak të përkeqësimit të vazhdueshëm të shtetit të së drejtës dhe lirive themelore në Turqi. Një lëvizje, që u shoqërua me reagime të ashpra nga politika turke, duke e kërcënuar Evropën me “destabilizim” pasi do të hapen portat për flukset e migrimit, pra për prishje të marrëveshjes që është nënshkruar me BE-në, për frenimin e flukseve të migrimit drejt kontinentit Evropian.

Kur BE nënshkroi Marrëveshjen me Turqinë në muajin nëntor të vitit 2015, për frenimin e flukseve të migrimit, konceptimi i saj u konsiderua jo vetëm si një lëvizje, për të tregtuar politikat e zgjerimit me përfitime që dilnin jashtë kuadrit të zgjerimit, por edhe si një lëvizje politike që po i rrëshqiste terrenit të moralit, jo vetëm në kuadrin e shmangies ndaj detyrimeve ndërkombëtare, por edhe pasi një sërë organizatash të të drejtave të njeriut kishin vënë alarmin prej kohësh mbi abuzimet e politikës turke, ndaj migrantëve. Për më tepër, edhe pse marrëveshja u nënshkrua, ajo nuk po rezultonte të ishte efikase në terren dhe se portat e Turqisë nuk po mbylleshin siç Evropa po i kërkonte. Kjo ishte edhe arsyeja se pse kemi më vonë mbylljen e rrugës së Ballkanit, që bëri të mundur frenimin e flukseve dhe mbërritjen e tyre në ishujt grekë, përforcim të Frontex me rritje të numrit të agjentëve në terren dhe mundësi për dyfishimin e tyre në rast mbingarkese. Ndërkohë mënyra se si janë trajtuar flukset e migrimit në një sërë vendesh evropiane, që nga keqtrajtimet fizike brutale, deri tek refuzimet në nivel politik që shoqërohen me refuzime sociale, nuk shfaqin një terren inkurajues në kërkim të “tokës evropiane”. Në kuadrin e përgjithshëm të mësipërm, politika evropiane, duket më pak e trazuar nga kërcënimet që vijnë nga politika turke dhe më shumë e inkurajuar që të reagojë moralisht ndaj rrënimit të vlerave themelore dhe shtetit të së drejtës në Turqi. Edhe pse ky reagim moral, nuk shfaqet i kulluar, jo vetëm në kuptimin e vonimit të tij, por edhe ndaj faktit se, nëse kuadri i mësipërm nuk do të ishte i tillë dhe Evropa do të kërcënohej realisht nga flukset e migrimit, ky qëndrim do të ishte i ndryshëm.

Pra, për momentin Evropa duket e qetë, duke përllogaritur si faktin se, çdo lëvizje e Erdogan mund edhe të përmbyset nga opinioni publik turk, që e dëshiron përafrimin me BE-në, por edhe pasojat jo pak të rënda, në rast të një shkëputje të Turqisë nga BE, që në optikën e ekspertëve shkon sa ndaj aspektit ekonomik, por edhe ndaj konsiderimit të Turqisë si vend i tretë në marrëdhëniet e saj me Unionin.

Im.Ta.

DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *