Ndërkohë që ekipet pretendente për të fituar titullin lëvizin në merkato në kërkim të emrave të rëndësishëm, nuk qëndrojnë pasive skuadrat që si objektiv kanë mbijetesën. Për momentin Elbasani është e vetmja skuadër që nuk ka afruar asnjë lojtar madje duke humbur një numër të konsiderueshëm të titullarëve të dy fazave të para.
Megjithatë verdheblutë janë në lëvizje, për të vijuar deri në fund garën për mbijetesë. Një blerje shumë të rëndësishme ka bërë Apolonia duke afruar Amarildo Dimon, një lojtar me shumë eksperiencë dhe që vjen pas titujve të fituar në Korçë me Skënderbeun. Fierakët kanë vuajtur shumë për një mëngjarash tipik në dy fazat e para duke vendosur në të majtë të mbrojtjes lojtarë që luajnë me këmbën e djathtë.
Tashmë nën urdhrat e trajnerit të ri Artan Mërgjyshi do të jetë një mëngjarash cilësor, i cili mund të luajë si në mbrojtje edhe në mesfushë. Por Apolonia nuk ndalet këtu, pasi pret rikthimin e të huajve si serbët Cakovic, Rajkovic, Xhorxhevic, apo dhe nigerianit Atanda, për të menduar përforcimin me të tjerë elementë. Në sulm janë larguar Canka e Mitraj, dhe bardhejeshilët duhet të gjejnë alternativë për Rajkovic që nuk mund të përballojë dy fazat e mbetura i vetëm.
Ka lëvizur në merkato edhe Teuta, që ka bërë afrime cilësore duke iu referuar emrave të bashkuar me skuadrën. Kuli, Brahja, Stafa dhe Çota janë futbollistë të afirmuar në Superiore që Djemve të Detit do t’i rrisin cilësinë.
Trajneri Begeja ka dhënë miratimin edhe për largimin e disa futbollistëve që nuk ishin pjesë e planeve të tija për dy fazat e ardhshme. Për momentin Vllaznia është larg zonës së rënies, por megjithatë objektivi mbetet mbijetesa dhe në këtë grup skuadrash, shkodranët janë të vetmit që nuk kanë bërë shumë ndryshime.
Në dispozicion të trajnerit Rainerit është vendosur mesfushori Bardulla që prishi marrëdhënien me Teutën për tu rikthyer në skuadrën e qytetit të lindjes. Ndërkohë nga kuqeblutë janë larguar të gjithë të huajt me përjashtim të uruguaianit Soza.
