Mungesa e Sabien Lilajt në ndeshjen e parë ndaj Mllada Boleslav si pasojë e kartonit të kuq të marrë ndaj Kairat Almati, është një problem që trajneri Daja ka si shqetësim kryesor për të zgjidhur para sfidës në Republikën Çeke. Por edhe në kampin kundërshtar ekziston një problem i ngjashëm, pasi te Mllada, do të mungojë gjithashtu një mesfushor titullar.
Futbollisti 25-vjeçar Tomash Prikryl, i cili aktivizohet zakonisht në krahun e djathtë të mesfushës te Mllada Boleslav, është ndëshkuar me karton të verdhë në të dy ndeshjet kundër Shemrok Rovers. Si rrjedhojë ai është i detyruar të vuajë një ndeshje pezullim dhe do të jetë i gatshëm vetëm për takimin e kthimit në Korçë.
Prikryl ka luajtur me të gjitha kombëtaret e moshave të Republikës Çeke dhe është grumbulluar dy herë me përfaqësuesen A gjatë eliminatoreve të Botërorit 2018, por pa arritur të debutojë me të. Ndërkohë, vetë klubi i Mllada Boleslav ka cilësuar në faqen e tij të internetit sulmuesin Jan Shramosta, titullar i padiskutueshëm dhe autor i dy golave ndaj Shamrok Rovers, si në dyshim, për shkak të problemeve fizike./panoramasport
