Senati amerikan konfirmoi emërimin e senatorit Xhon Kerri (John Kerry) në postin e Sekretarit të Shtetit, pak orë pasi kandidatura e tij ishte miratuar nga komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
67-vjeçari Kerri është veteran i luftës së Vietnamit; senator i shtetit Masaçustesit që prej vitit 1985, kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, dhe ish-kandidat presidencial në zgjedhjet e vitit 2004. Presidenti Barak Obama emëroi zotin Kerry muajin e kaluar për të zëvendësuar Hillari Klintonin në krye të Departamentit të Shtetit.
Në seancën dëgjimore për konfirmimin e tij javën e kaluar, zoti Kerri tha se Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin rregull në politikat fiskale për të vazhduar të mbeten udhëheqës në botë. Ai tha se më shumë se kurrë, politika e jashtme është politikë ekonomike.
