John Stuart Mill, Migjeni, njeriu hibrid Sokrat dhe derr

DITA Online

 

Në fytyrën e njeriut mund të lexosh disa zhgarravina të palexueshme. Rrudhat si një rend alfabetik të mistershëm. Ndërsa derri është një frotë e kombinuar sipas rregullave të një estetike strikte, që ka në fund një bisht të përcëlluar nga flaka e bukurisë hyjnore.  Pra njeriu i ka dy shëmbëlltyrat. Kë të zgjedhë? Sokratin? Apo Derrin?

Nga Moikom Zeqo

Në 27 maj 1933 Migjeni boton në revistën “Illyria” krijimin e tij të parë, prozën e çuditshme dhe tejet tronditëse “Sokrati i vuajtun – apo derr i kënaqun?…”. Data e botimit të skicës migjeniane bën në thelb përurimin edhe të pseudonimit të tij: Migjeni (formuar nga bashkimi i rrokjeve të para të emrit të babait dhe mbiemrit).

Është hera e parë mbas gati 5 shekuj letërsi shqipe, që fillon me Gjon Buzukun, që del në dritë një shkrimtar i ri, i cili në atë kohë qe 24 vjeç, që do të befasonte tërë letërsinë shqipe të kohërave, për t’u njohur shkurt dhe saktë, thjesht si Migjeni.

Moikom Zeqo
Moikom Zeqo

Migjeni bëri epokë në letrat shqipe. Si askush!

Ajo që më ka bërë përshtypje dhe më ka krijuar një ndjenjë hulumtimi të vazhdueshëm në vetëdijen time është thënia e famshme që përcakton raportin midis filozofit të madh të antikitetit, Sokratit dhe Derrit, shtazë karakteristike, që përdoret shpesh si metaforë e banalitetit, grykësisë dhe utilitarizmit mediokër. Natyrisht nga letërsia botërore ne kemi një imazh paraprijës, më saktë një paradigmë të një parabole tek Homeri, konkretisht shkuarjen e udhëtarit Odiseu, sëbashku me shokët e tij në ishullin e magjistares Circe.

Kjo magjistare me anë të një pije magjike i shndërroi shokët e Odiseut në derra, tallej, qeshte dhe lozte me ta. Odiseun e pengoi në udhë pikërisht hyu Hermes ,i cili i tregoi se kur të mbërrinte tek pallati i Circesë do ta shndërronte dhe atë në një derr, por po të merrte masa, të hante një bimë të veçantë të quajtur “molly”, do të ishte imun, i pandikueshëm, nuk do ta gjente asgjë, do ta zbrapste dhe shpërbënte magjinë. Kështu magjistarja nuk pati fuqi shndërrimi tek Odiseu.

Odiseu me shpatë në dorë e detyroi magjistaren t’i rikthente shokët në gjendjen njerëzore. Por njëri prej tyre, që i përjetoi të dy përvojat u ankua, duke protestuar kundër rikthimit  në origjinë, duke i thënë Odiseut, se qe më i kënaqur, më i lumtur, më i ngopur, më i qetë në gjendjen e transfiguruar shtazore, sepse të qenit njeri, është një gjë që shkakton dhimbje, vuajtje të marrëzishme si dhe kotësi për vetë thelbin e jetës.

Mundet që Derri, si një formë mutanti e Circesë, të ketë paraprirë një metaforë universale, për t’u përdorur në arsyetimet e dijetarëve dhe filozofëve, në përballje sqimatare, të vetëdijes së njeriut.

Pse Migjeni e përdori formulën e dyjëzimit të Njeriut dhe të Derrit?

Ku e gjeti frymëzimin, si u subjektivizua tek ai kjo ide e dyfishtë?

Dihet që Migjeni sapo kish mbaruar një Seminar Teologjik ortodoks të Jan Teologut në qytetin e Manastirit (Bitolie), por formimi i tij kulturor u finalizua në kundërshtim me teologjinë.

Ai gjatë studimeve, në vend që të shugurohej si prift, përkundrazi, u formua si një njeri i lirë, me një liri të pakufishme të ideve, të kërkimit të së Vërtetës, kundër të gjitha llojeve të religjioneve, kundër besëtytnive dhe përgjithësisht skemave biblike. Migjeni gjatë viteve të tij si seminarist lexonte literaturë filozofike, tejet përparimtare.

Ai u mahnit nga filozofi që shembte idhujt, Friedrich Nietzsche, lexonte filzofët e mëdhenj të Europës, midis tyre edhe filozofin e madh anglez John Stuart Mill (1806-1873). John Stuart Mill pa dyshim është një nga korifejtë e mendimit të lirë.

Ai ka mbetur i pavdekshëm në historinë e filozofisë për traktatin e tij, të quajtur “Liria.”

Në fillim ai qe ithtar i filozofisë së utilitarizmit, por herët në moshën 20 vjeç ai u bë prijës i radikalëve të rinj filozofikë, ai filloi hulumtimin sistematik të qëndrimeve alternative, për të kërkuar të vërtetën e Lirisë.

John Stuart Mill e shkroi traktatin e tij, duke treguar një horizont më universal se bashkëkohësit në pikëpamje të strukturimit dhe konceptualitetit të Lirisë.

Përcaktimi i Lirisë nga Stuart Mill është bazuar në sistemin e të drejtave të individit, pra të individëve që përbëjnë bashkësinë ose shtetin.

Sipas Stuart Millit “ajo pjesë e popullit që aplikon pushtetin, pra pjesa e pushtetarëve që sundojnë, nuk është gjithmonë identike, përkundrazi, me popullin e gjerë mbi të cilët aplikohet pushteti. Kur vullneti i popullit mund të jetë vullnet i pjesës së shumicës së tij, ose i atyre, që pranohen si shumicë, – rreziku i shpërdorimit të pushtetit është i madh”, prandaj nënvizon Mill “kufizimi i pushtetit të shtetit mbi individin nuk humb asnjë vlerë, përkundrazi duke shtuar vlerat e individit shtohen dhe vlerat e vetë shtetit. Pra liria është raporti i shoqërisë me individin, përfshirë sferën e brendshme të vetëdijes, duke kërkuar lirinë e ndërgjegjes në kuptimin më të gjerë të jetës, lirinë e mendimit dhe të ndjenjës, lirinë absolute të mendimit dhe të ndjesisë për të gjitha gjërat, praktike apo teorike, shkencore, morale ,apo teologjike, lirinë e shijeve dhe dëshirave, sepse nga liria e secilit individ konstruktohet liria e asocimit, pra e vetë substancës së socialitetit.

“ Uniteti i mendimit, shkruan Mill, nuk është i dëshiruar, në qoftë se nuk rezulton dhe nuk fuqizohet nga krahasimi më i plotë dhe më i lirë pikërisht i mendimeve të kundërta.”

Ai vazhdon më tej: “Njerëzit, kur bashkohen në shoqëri, nuk shndërrohen në një substancë tjetër, me të tjera karakteristika, siç ndryshojnë oksigjeni dhe hidrogjeni, pikërisht nga uji. Qeniet njerëzore në shoqëri kanë vetëm ato cilësi, që mund të nxirren dhe të shpjegohen nga ligjet e natyrës së njeriut individual.”

Këto ide të mëdha të Millit kritikonin idetë e Kontit dhe pozitivizmit, madje të Dyrkeimit, pra qenë novatore dhe të pashembullta në rrafshin sociologjik.

Është pikërisht John Stuart Mill që tha frazën e famshme: “Më mirë të jem një Sokrat i vuajtur, sesa një derr i kënaqur.”

Pra, fraza paraprijëse Milliane ka qenë frymëzimi i Migjenit.  Vërtetohet se Migjeni e ka lexuar këtë frazë të pakundërshtueshme dhe madhështore.

Pra Migjeni e ka njohur veprën e John Stuart Millit. Ndoshta është i pari shkrimtar shqiptar (mbase dhe i vetmi) që e shkruan një skicë të shkurtër, me një lakonizëm gati inkandeshent në strukturën e fjalëve, duke bërë një homazh intelektual për filozofin anglez të “Lirisë”.

Duke qenë shkrimi i parë i Migjenit, skica në fjalë është gati si një manifest. Deri atëherë në letrat shqipe nuk kishte ndodhur të shkruhej një ese për një nivel kaq të epërm, përgjithësues dhe simbolik. Kjo ese e cila në ditët tona ka një aktualitet në çdo ind të shoqërisë shqiptare, duket sikur ndan epokën e një vetëdije përgjithësisht kulturore dhe etnike për shqiptarët, me epokën e kriticizmit për tjetërsimin njerëzor. Për Migjenin njeriu bashkëkohor është një alternativë me dy fytyra.

A është njeriu bashkëkohor i denjë për të patur shëmbylltyrën e Sokratit?

Në fytyrën e njeriut mund të lexosh disa zhgarravina të palexueshme. Rrudhat si një rend alfabetik të mistershëm. Ndërsa derri është një frotë e kombinuar sipas rregullave të një estetike strikte, që ka në fund një bisht të përcëlluar nga flaka e bukurisë hyjnore.

Pra njeriu i ka dy shëmbylltyrat.

Kë të zgjedhë? Sokratin? Apo Derrin?

Njeriu duke qenë praktik ,diti të zgjedhë, të shkojë tek prototipi i hibridit. Pra mori fytyrën e Derrit dhe ia vuri Sokratit, gjë që është e njëjta gjë që fytyrën e sokratit t’ia vinte Derrit. Kështu në vend të trinitetit, Njeriu, Sokrati dhe Derri, u krijua qenia unike: Sokrat-Derri, ose Derr-Sokrati.

Pra Njeriu de jure u bë Sokrat dhe de facto ishte Derr.

Ironia e Migjenit merr përmasa kozmike.

Ai shkruan se vetë Perëndia kur pa se çfarë zgjidhje bëri njeriu, tha se nxënësi ia kaloi mësuesit dhe shumë-shumë u pendua se ç’shkathtësi i kishte dhënë jeriut. O ironi groteske. Kjo ishte Eureka? Madje dhe krijesat e planetëve të tjerë (Migjeni është i pari që i përmend alienët në letërsi) ia patën zili ndonëse mund të ishin më të përparuar se njeriu.

Kështu njeriu bëri një zgjidhje fatale, që përbën historinë e tij mijëvjeçare. Në këtë formë hibride midis qenies njerëzore dhe qenies shtazore në vend që të lartësohet nëpër sferat e kulluara të mendimit dhe “të shkasi prej yllit në yll në hapa përparimi, njeriu poshtërohet”.

Dhe epilogu është akoma më tragjiko-komik. Kështu njeriu ia luan lojën. Por kujt vallë? Vetes? “Vetes! – bërtet morali prej mërgimit”.

Duke qenë një shkrimtar i madh konceptual, Migjeni operon me ide të mëdha të modernitetit. Ai e di që qeniet hibride përmenden në mitologji: centaurët, minotaurët etj. Edhe engjëjt e krishterë janë hibridë. Ose të feve të tjera.

Disa vite para Migjenit një shkrimtar i jashtëzakonshëm, Franc Kafka e shkruan një kryevepër të zymtë, të quajtur “Metamorfoza” ku personazhi, Grigor Zamza befas një mëngjes shndërrohet në një kandërr. Rrallëherë ka ndodhur në letërsinë botërore, që të ketë tronditur botëkuptimet dhe shijet tona estetike një vepër si “Metamorfoza” e Kafkës.

Ndërkohë duhet thënë se filozofët e kishin trajtuar idenë e tjetërsimit, ose të huajizimit.

Akoma më herët një shkrimtar i madh anglez i fantashkencës, H. G. Ëells, botoi më 1836 romanin “The island of doktor Moreau”. “Ishulli i doktor Morosë” u realizua si film në 1996 dhe rolin kryesor e luan Marlon Brandon.

Kush e ka parë këtë film gati horrorr dhe të papërballueshëm, do t’i kujtohet edhe skica migjeniane. Doktor Moro bënte eksperimente me qeniet jerëzore, duke hibridizuar tek ata gjenet e kafshëve të ndryshme, duke i shndërruar në qenie të dyfishta ao të shumëfishta, një eksperimet ky që dukej gati i pamundur dhe një fantazi e egër, sepse ende nuk ishin zbuluar strukturat e ADN-së dhe sekretet e gjenetikës moderne.

Në hullinë botërore të tjetërsimit njerëzor, të shkatërrimit të humanitetit kryesisht shpirtëror të njeriut, Migjeni e shkroi esenë e tij në formën e një alarmi jo thjesht shqiptar, por botëror.

 Ai ndërkohë bëri dhe karakteristikën e njeriu shqiptar me kriticizmin e tij iluminues.

A nuk ka sot shoqëria shqiptare pikërisht të ashtuquajtur personalitetet të rreme, që de jure janë Sokrat, por de facto janë Derra?

Ideja e Qenies Hibride është ideja edhe e Cyborg-ut. Nëse kujtojmë filmat “Termidor” (1984), si dhe “Total Recall” (1990), me artistin Schëarzenegger, i cili luan rolin e njeriut robot, pra qenie e dyfishtë, gjysmë njerëzore dhe gjysmë kibernetike, që vjen që nga e Ardhmja, për të ribërë Testamentin e Ri në fantashkencë.

Përsëri skica migjeniane jo vetëm që nuk na e pakëson, por na e shumëfishon më shumë përfytyrimin.

Dhe ja teksti i plotë i Migjenit:

SOKRAT I VUEJTUN – APO DERR I KËNAQUN?

Një alternativë me dy ftyra, siç janë të gjitha alternativat. Tue u krue mbas veshi, rri njeriu përpara alternativës: dy ftyra – mbrapa një ftyrës asht Sokrati i vuejtun me rropatmet e veta e mbrapa së dytës ftyrë asht derri i kënaqun me trup të rrumbullakët të vetin. Te sokrati nuk ka çka shef: dy sytë të tretun në rrashtë, disa shkarravina të palexueshme dhe një trup me do gjymtyrë të zhgatrrueme e pa asnjë vijë harmonike; e te derri ke çka shef: at frotë të kombinuese mbas rregullave striktestetike, – e sidomos që ta knaq syrin – ai trup, ai trup i majun e i shëndoshë e me andje zhigatun, dhe ma në fund ai bisht i përculluem në flakën e bukuris hyjnore.

Rri njeriu përpara kësaj alternative tue u krue gjithni mbash veshi, ku e ha dyshimi – se nuk di ç’fytyrë të zgedhi. Por, falemi perëndisë! Praktik ashtu siç e ka dhanë natyra, në fund-fundit njeriu dijti me zgjedhë. Edhe dijti me zgjedhë fare mirë; aq mirë – sa dhe krijesat e planetave të tjerë, dhe ma të përparuem se njeriu, ia patën lakmi.

Vetë Perëndia, tue i ra kokës me dorë, tha se nxanësi e kaloi mësuesin, dhe shumë-shumë u pendua se ç’shkathtësi i dha njeriut. Njeriut iu shtue vullneti për t’u praktikue në shkathtësi. – E dikush dikur tha: “Nuk mundet me kenë shërbëtori ma i madh se zotni i tij, as nxanësi ma i madh se mësuesi i tij.” O vall! Ç’ironi groteske!

Por a dini se ku qëndron eureka (e gjeta!) e njeriut?

Ç’bani njeriu me alternativën? (Ha, fort qerrata duel njeriu.) Sokrati kurrsesi nuk i pëlqente, por as derr nuk mund t’u bante që ta merrte ftyrën e tij. Derr! Vërtet se asht i lakmueshëm derri, por, sadokudo,  do të ruhet dinjiteti njerzuer përpara botës – edhe pse mikroskopike në pikëpamje të tolerancës morale. Atëherë, në kët pezullim të njeriut, u zgjua në të ajo gja që nuk asht prej kësaj bote, ajo gjësend që i thonë pjesa qiellore, hyjnore, perëndore , e ku dij ma… u zgjua dhe njeriu u ba batakçi.

Ndrroi ftyrat: ftyrën e derrit ia vu Sokratit, e ftyrën e Sokratit ia vu derrit e në kët të mbramin u mishnje vetë. Muer ftyrën e Sokratit të vuejtun – por vetëm ftyrën – e pjesën e mbrame ia muer krejt derrit. De Jure u ba Sokrat e de facto ishte derr.

Mbet Sokrati i vuejtun me ftyrën e derrit dhe mbet të vuejë edhe mbas vdekjes së vet. (Dhe këtu asht tragjedia e sokratistëve – dhe një arsye pse njeriu zgjodhi të bahet derr). E njeriut – posë në skenë – nuk ia kande tragjedinë. Thashë se de jure u ba njeriu Sokrat, por de facto ishte derr. Krijesat nuk mund ta njohin se asht derr dhe e nderojuni si një Sokrat.

Por kaiherë njeriu nuk mund të mshehi cilinat e derrit dhe na paraqitet ashtu siç asht.

Kështu njeriu kalon nëpër shekuj. Në vend që naltsohet ndër sfera të kullueta e të shkasi prej hyllit në hyll me hapta përparimi, njeriu poshtnohet e bahet derr dhe Sokratin e dëbon të fyem, tue ia vu maskën e derrit.

Qashtu njeriu ia luajti lojën… kujt? … Vetes! Vetes! – bërtet morali prej mërgimit.

 

***

Homo Duplex. Njeriu i Dyfishtë. Skica gjeniale e Migjenit ka një fuqi tronditëse të përhershme dhe të pafundme.

Nga buron kjo fuqi? Nga konceptualiteti dhe liria e brendshme shpirtërore e Migjenit.

Migjeni në letërsinë shqipe, në kulturën tonë, mesa duket është njeriu që ka zotëruar lirinë më të madhe të mendjes, një njeri me një trimëri qytetare, pa një të dytë, një njeri që ka urryer çdo përshtatje të nëmur apo klientelizëm politik, shoqëror, klientelizëm ,që çon vetëm tek një Fermë Oruelliane, e qenieve hibride, gjysmë kafshë dhe gjysmë njerëz, që janë në fakt, as kafshë dhe as njerëz.

Një klonim i një njerëzimi me Homo Duplex do të ishte më e keqe dhe më e paparashikueshme se çdo Apokalips!

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *