Skënderbeu u nis drejt Kroacisë për një mision thuajse të pamundur në fazën play-off të Championsit, ku i duhet të përmbysë rezultatin 1-2 të “Elbasan Arenës” për të vijuar në fazën e grupeve të këtij turneu. Për Mirel Josën, objektivi mbetet një paraqitje sa më dinjitoze, pasi për të eliminuar Dinamon e Zagrebit duhet të marrësh rezultatet pozitive në të dyja takimet: “Duhet të kishim bërë më mirë në ndeshjen e parë, sepse për t’u kualifikuar duhet të marrësh rezultate të mira në të dyja ndeshjet. Në do të shkojmë në Zagreb për të luajtur futboll dhe nëse do të jetë e mundur të fitojmë”.
I qetë dhe pa presionin e rezultatit, kapiteni Bledi Shkëmbi kujton se Skënderbeu e ka përmbushur misionin e tij me kualifikimin në fazën e grupeve të Europa League: “Ne nuk kemi presionin e rezultatit dhe nuk e kishim edhe në takimin e parë ,sepse e kemi përmbushur misionin tonë. Shpresoj të bëjmë një paraqitje sa më të mirë në këtë ndeshje të dytë, pse jo edhe të fitojmë. Do të jetë shumë e vështirë, por jo e pamundur”.
Vetëm pak ditë pas transfertës kroate, Skënderbeu do të nisë rrugëtimin e gjatë për mbrojtjen e titullit kampion, ndaj në këtë aspekt për Josën përballja me Dinamon ka rëndësi të veçantë. “Për mua ndeshja me Dinamon është shumë e rëndësishme, sepse vetëm katër ditë më pas do të luajmë sfidën e kampionatit. Në këtë aspekt pres që skuadra të zhvillojë një paraqitje sa më të mirë”.
Në sfidën e “Maksimir”, në vijën e parë të sulmit, në vend të Salihit pritet të aktivizohet Hristov, ndërsa në krahun e majtë, nëse Berisha nuk ia del të riaftësohet në kohë, do të luajë Abazi.
