Skënderbeu theu një tabu në “Adush Muça”, por më shumë se nga fitorja trajneri i kampionëve të Shqipërisë është i befasuar nga shifrat e këtij suksesi. Gjithsesi, 49-vjeçari gjen të meta te formacioni i tij, sidomos në menaxhimin e lojës, kur rezultati flet në favor të Skënderbeut. “Goli i shpejtë ndikoi, pasi e filluam lojën 1-0. Mund të kishim pësuar gol në pjesën e parë. Mund të them se ishte lojë e barabartë në këtë fraksion. Duhet ta ndërronim lojën nga krahu në krah. Goli i dytë na dha qetësinë e duhur, i shfrytëzuam hapësirat që na lejoi Bylisi. Nuk e mendoja se do të fitonim 4-1”.
Mosaktivizimin e bullgarit Hristov, Josa e argumenton me ndërrimet e detyruara për shkak të problemeve fizike të disa futbollistëve.
“Hristov? Tre ndërrimet ishin të detyruara, prandaj nuk u hodh në fushë”.
Canaj – Nga ana tjetër, trajneri i Bylisit Agim Canaj, theksoi pas takimit se ishte e vështirë ta ktheje rezultatin përballë një ekipi ekspert si Skënderbeu, që mund të fitojë me lehtësi ndaj çdo kundërshtari dhe në çdo fushë.
“Të pësosh gol në shtëpi me presionin që kishim të jep çoroditje. Megjithatë u kthyen në lojë, humbëm raste të pastra, goditëm shtyllën, por në futboll mosshënimi dhe eksperienca vendosin shumë. Jam i pakënaqur nga lojtarët që aktivizova në pjesën e dytë. Skënderbeu është ekip i konsoliduar, goli i dytë i vuri kapak. Është një humbje e rëndë, por kjo ndodhi dhe duhet të shohim përpara. Kemi zhvilluar ndeshje të forta në këtë fillim sezoni”, – deklaroi Canaj.
