Josa: Laçi ekip i vështirë, rivalët presin të ndalemi

Dita

Skënderbeu përgatitet për një nga finalet e mbetura të sezonit, teksa java 29-të e Kategorisë Superiore i dhuron transfertën e vështirë me Laçin. Kampionët kanë fituar tre ndeshjet e fundit në fushën kurbinase për kampionat, por ndalesa në shtëpi në fazën e tretë ishte një sinjal se kësaj radhe vështirësia e një suksesi është më e madhe. Trajneri Mirel Josa vlerëson kundërshtarin për lojën e treguar në fushë teksa mban skuadrën të karikuar për të mos i besuar historisë së përballjeve të fundit në Laç.

“Kemi një kundërshtar të vështirë përpara, pasi Laçi me lojën e zhvilluar ka treguar vlerat e veta. Në futboll nuk ka histori teksa kemi 8 ndeshje deri në fund. Aktualisht do mendojmë vetëm për Laçin dhe më pas të përqendrohemi tek ndeshjet e tjera, sidomos tek Kupa. Kundërshtarët tanë presin që ne të ndalemi, por do të synojmë fitoren”, deklaroi Josa për “Supersport”.

Skënderbeu është në garë për të fituar të dy trofetë këtë sezon, teksa trajneri Josa përmend shkarazi dhe sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Kukësit. Numri një i stoli të kampionëve kërkon përqendrimin tek kjo sfidë teksa kampionati rikthehet pas ndalesës një javore.

“Nuk kemi luksin të ruajmë energjitë, pretendojmë të paraqitemi mirë në të dyja takimet por në fillim është Laçi. Të gjitha skuadrat janë të favorizuara nga ndalimi i kampionatit. Edhe ne na ka shërbyer për t’u karikuar, teksa nga java e ardhshme do të kemi ngjeshje të kalendarit”, theksoi tekniku i kampionëve.

Tetë javë përpara fundit pretendentët për titull mbeten 4 skuadra, por Josa mendon se Skënderbeu kërcënohet nga çdo skuadër e kampionatit që ka objektiva për t’u arritur.

“Skuadrat që kërcënojnë Skënderbeun është ndeshja e radhës. Të gjitha kanë pretendime teksa nuk duhet të harrojmë se edhe Apolonia është e rrezikshme. Të gjithë duan t’i marrin pikë Skënderbeut por ne duhet të jemi të përgatitur t’i përgjigjemi çdo kundërshtari”, deklaroi ndër të tjerash Mirel Josa.

Skënderbeu vjen nga 5 fitore radhazi në kampionat dhe një sukses në fushën e vështirë ndaj Laçit e sjell më pranë titullin e 5-të radhazi. Laçi-Skënderbeu do të luhet të shtunën në orën 14:00.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *