Një fitore e vështirë për Skënderbeun në “Niko Dovana”, por për Mirel Josën rëndësi kanë pikët, për sa i përket vështirësive dhe rivalitetit maksimal të ofruar nga Teuta, kjo nuk ishte diçka e paparashikuar në planet e trajnerit të kampionëve në fuqi.
“E dinim se çfarë atmosfere dhe egoje do të gjenim nga durrsakët për të na ndalur, qoftë edhe me një pikë, megjithatë ishte normale që të luftonin. Në momentin që ne e morëm trepikëshin nuk më intereson shumë si lojë por më intereson trepikëshi”.
Fitorja të ndihmon të fitosh, ky mbetet lajtmotivi për Josën, edhe pse trajneri e pranon se paaftësia për ta mbyllur ndeshjen mund të sillte përsëritjen e një skenari të hidhur si ai me Kukësin. “Skuadra bëri pak në aspektin sulmues pasi ne duhet të shënonim golin e dytë. Në këto raste mund ta pësosh, duke pasur parasysh dhe lojën e një jave më parë me Kukësin, por mbi të gjitha në këto momente skuadra ka nevojë për rezultat dhe vazhdimësia dhe mua vazhdimësinë ma jep trepikëshi”.
Më pas një leksion se si fitohet një titull edhe kur era të fryn kundër. “Ne nuk do të merremi me arbitrimin, kjo është situatë që po e kalojmë nga java në javë, ne duhet të përqendrohemi në punën tone dhe si duhet t’i marrim ndeshjet pasi jo gjithmonë merren me bukuri por edhe me forcë e egoizëm, dhe ne jemi kampionat duhet të bëjmë gjithçka për të mbrojtur titullin”. Josës nuk i pëlqen të merret as me Kukësin dhe as të tjerët, pasi për të vjen shumë shpejt një tjetër sfidë e drejtpërdrejtë. “Që nesër fillojmë punën për ndeshjen me Tiranën”.
Teuta meriton padyshim fjalë të mira për paraqitjen e dhuruar dhe ato nuk i kursen as Drejtori Teknik i skuadrës durrsake, Ilir Biturku që ka pretendimet e tij për gjykimin. “Për sa i përket ndeshjes kam bindjen që skuadra ka dhënë maksimumin, ka luajtur mirë, por janë disa episode që nëse do të kishin qenë në favorin tonë mund të kishin ndryshuar rrjedhën e lojës. Kam parasysh këtu ndërhyrjen e Martins në minutën e 20 ku mund të ndëshkohej me karton të kuq”.
E rëndësishme është se te Teuta paraqitjet pozitive janë baza e optimizmit për qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar. “Teuta do të jetë në Superiore pasi i ka të gjitha mundësitë, duke parë që luan me Skënderbeun apo me skuadra të tjera të kreut si e barabartë”.
