Pas Plakut dhe Shkëmbi. Padyshim që ka krijuar jo pak bujë deklarata e kapitenit të Skënderbeut që në një intervistë për të përditshmen Panorama Sport ka shprehur zhgënjimin për mungesën e aktivizimit dhe po ashtu të një sqarimi nga Josa se pse nuk luan. Josa do të kishte preferuar të merrej me këtë temë pas ndeshjes së rëndësishme me skuadrën e Maganit, megjithatë në komentin e tij thekson se zgjedhjet i takojnë trajnerit.
“Jemi para ndeshjes me Teutën, kështu që kur të mbarojë ajo ndeshje do vazhdojmë me sqarimet. Problemi i Shkëmbit nuk është problem që mund të sqarohet para një ndeshje, pastaj siç e kam thënë, janë 5 futbollistë që luajnë në qendër të mesfushës dhe nga këta 5 unë duhet të zgjedh 2 , kaq.
Për sa i përket Plakut Josa thekson se sulmuesi nuk gjeti vendin dhe kohën e duhur për të shprehur shqetësimin e tij në lidhje me etiketimin si ‘lojtar alternativ’.
“Nuk ishte momenti për të reaguar Plaku në atë mënyrë, megjithatë është keqkuptuar për fjalën alternativë pasi alternativë do të thotë që je një zgjidhje për skuadrën. Kur të jepet mundësia për të luajtur shfrytëzojë dhe thuaji të tjerëve që unë këtu jam. Jam sqaruar me Plakun individualisht. Për mua është një problem i paqenë të cilin lojtari duhet ta kishte hapur në momentin e duhur dhe në vendin e duhur”.
Përballja me Teutën është tejet e rëndësishme, Josa vlerëson kundërshtarin që ka marrë pikë në Korçë duke barazuar 2-2 në përballjen e fazës së parë por këtë herë e refuzon shenjën X i bindur në potencialin e skuadrës së tij.
“Ne nuk pranojmë barazim jo me Teutën , por me të gjitha skuadrat që vijnë në Korçë. Ndeshja me Teutën do të jetë shumë e rëndësishme qoftë për ne qoftë për ta, kështu që më i forti të fitojë”.
Por a ekziston rreziku që Skënderbeu të zbresë në fushën e lojës ndaj Teutës me mendjen te përballja me Partizanin. Është një opsion që Josa e përjashton kategorikisht, madje si për ta përforcuar konceptin “snobon” në një farë mënyre përballjen me të kuqtë.
“Nuk diskutohet që skuadra nuk do ta ketë mendjen te ndeshja me Partizanin. Ne duhet të shohim ndeshjet tona, sidomos në fushën tonë pastaj se cfarë do të bëjmë jashtë është punë tjetër. për mua 2 ndeshjet më të rëndësishme deri sa të mbarojë faza janë ndeshje me Teutën dhe me Flamurtarin këtu”.

Shkembi nuk duhet marre neper kenbe!