Të flasim për realitetin! Shqipëria është ne krizë të thellë. Këtë e pranojnë në heshtje edhe kabinarët e kryeministrit, megjithë euforinë përditë e më komike të këtij të fundit. Në çdo statistikë dhe në çdo parashikim, të dhënat e ekonomisë sonë nxijnë që larg prej varfërisë; papunësia rritet bashkë me numrin e bizneseve që kanë vështirësi; bizneset janë duke u zhytur e mbytur në borxhe. Ato që nuk falimentojnë, ndëshkohen, gjobiten nga taksidarë të babëzitur. Pejsazhi qeverisës është vetë mjerimi i qytetarëve të lodhur e të zhgënjyer.
Të flasim për gjëra serioze. Nëse biznesi shqiptar është në vështirësi, arsimi është drejt katastrofës. Mësues militantë, diploma false, universitete fantazmë, pedagogë të korruptuar, zarfa rryshfetesh në xhepa, si një fyerje dhe një kurth i së ardhmes, në çdo anë…
Të flasim për gjëra edhe më serioze. Nëse biznesi shqiptar mezi mbushet me frymë, dhe arsimi është ku thëret qameti, shëndetësia ka perënduar sytë. Shqiptarët pagujanë gjithë jetën sigurime që nuk afrojnë asnjë siguri realisht. Çdo vaksinë, çdo shërbim, çdo aspirinë, çdo mjekim, çdo operacion duhet paguar deri në një. Në spitalet tona do të ndeshësh xhambazë ilacesh, shërbime dhe mjekime të skaduara.
Të flasim për gjëra shumë serioze. Çdo vend i botës, diktaturë apo demokraci, e ka një shtet. Ne nuk kemi një të tillë. Shqipëria nuk ka shtet. Shqipëria ka një klikë që sundon, një bandë të korruptuarish, që po e shqyejnë vendin në të gjitha kuptimet. Në Shqipëri ka një bandë që as i rruhet as i kruhet më për njeriun, për biznesin, për arsimin, për shëndetësinë, për pasurinë e vendit, për kufijtë shtetërorë, për cilësinë dhe sigurinë e jetës, për fëmijët, për moshën e tretë.
Pak më shumë se 6 muaj para zgjedhjeve, Shqipëria i ka të gjitha shenjat për të rrëshqitur drejt kolapsit të plotë. 8 vjet në pushtet, nuk kanë lënë qelizë të paprekur. I kanë futur thonjtë në bregdet, kanë mjelë doganat, kanë rrëmbyer shërbimet, kanë monopolizuar energjinë, kanë shtuar kriminelët, kanë shtuar të vdekurit, kanë shtrenjtuar jetesën, kanë shitur pasuritë e pakta, kanë sjellë plehra nga jashtë, kanë vjedhur zgjedhjet, kanë betonuar pushtetin, kanë shtuar terrorin, kanë shitur teritorin, kanë shkatëruar tokën, pyjet,natyrën. Punë barbarësh.
Situata nuk ngre më dialog, reforma, tolerancë dhe mirëkuptim. Të gjithë ne presim ndryshimin. Ne jemi dëshmimtarë të heshtur me gjarpërinj nëpër këmbë. Në këtë neveri e batërdi, populli nuk ka pse të shpresojë në mbështetjen e të huajve, për cfarë na duhen leksionet e tyre as mish as peshk, sa kohë shohim me sytë tanë se si na vritet përditë e ardhmja e fëmijëve? Në djall “rekomandimet”! Askund nuk gjendet arsyeja se përse pushteti duhet të vazhdojë të jetë ende në duart e vrasësve. Askund nuk gjendet arsyeja se përse këta barbarë vendosin ende për ne, për fatet tona, për buzëqeshjen e fëmijëve tanë. Askund nuk gjendet shpjegimi se përse duhet të jetë pikërisht në dorën e këtyre palacove fati i pasurisë së shqiptarëve, ndërkohë që si pijavica, çdo ditë i thëthijnë palcën këtij vendi. Ju kemi varur ujqërve mëlcitë në qafë. Po i lamë, shumë shpejt, do të na shqyejnë edhe zemrën.
Opinion i nënshkruar: Artan Mullaj