Në arsimin parauniversitar mësuesit duhet që të plotësojnë normën mësimore javore me lëndë të profilit të tyre.
Në rast se orët që ka janë të pamjaftueshme për të mbuluar ngarkesën e përcaktuara nga dikasteri i arsimit, mësuesit i lejohet që të japë mësim edhe në lëndët që janë të ngjashme me profilin e tij lëndor.
Për secilin cikël të arsimit parauniversitar është përcaktuar edhe ngarkesa me orë mësimore të profileve të përafërta që mësuesit mund të zhvillojnë për të plotësuar ngarkesën e munguar.
Në tabelat bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar llojin e diplomave që mësuesit duhet të kenë për të dhënë mësim në arsimin parashkollor, arsimin fillor, arsimin 9-vjeçar, si dhe në gjimnaze, si dhe profilet e përafërta me të cilat mund të plotësojnë ngarkesën mësimore të përcaktuar.
Sipas udhëzimit të MASR, specialistët që zhvillojnë orë të veçanta në institucionet e arsimit parauniversitar (shkolla), të paguhen vetëm për orët e mësimit që zhvillojnë. Aktualisht institucionet shkollore të arsimit parauniversitar, në varësi të numrit të regjistrimeve të kryera po përcaktojnë edhe ngarkesën mësimore që i takon çdo mësuesi, duke përcaktuar edhe orët që do të zhvillojnë në profilet e përafërta më lëndët për të cilat mësuesit janë diplomuar. Në raste të caktuara mësuesi mund të japë mësim edhe mbi numrin e orëve të përcaktuara si ngarkesë javore. Kjo ngarkesë njihet si orë suplementare.
“Orë suplementare janë orët mësimore të cilat janë realizuar nga mësuesi mbi normën javore të tij. Normë javore është norma mësimore që i ngarkohet mësuesit/drejtuesit për çdo javë të vitit mësimor. Norma javore e mësuesit përfshin orët e mësimit të çdo lënde që përmban plani mësimor. Pagesa e orëve suplementare bëhet në fund të çdo muaji.
Drejtoria e shkollës të llogarisë periodikisht pagesat e orëve suplementare, me qëllim që në fund të muajit pagesa e orëve suplementare të përfituara nga mësuesit gjatë muajit përkatës, të jetë në përputhje me orët faktike të realizuara nga mësuesi”, përcaktohet në udhëzimin e MASR.
Në arsimin fillor, orët suplementare për efekt pagese për mësuesin do të llogariten mbi normën javore, kur klasa kolektive ka mbi 10 nxënës. Ndërsa në arsimin e mesëm të ulët dhe në arsimin e mesëm të lartë mësuesi nuk lejohet të ketë orë suplementare, më shumë se 30 për qind e normës javore./ Pranvera Kola – Dita

