“Ju rrëfej torturat që kam pësuar në Guantanamo”

anazapta

Prej dy javësh në Guantanamo vazhdon greva e urisë e të burgosurve që kërkojnë mbylljen e qendrës famëkeqe të torturave, ndërkohë historia e dhunës e treguar nga njëri prej të burgosurve të saj, bëhet dëshmi e gjallë e tmerrit të atyre që kanë kaluar nëpër të

 

Mohamedou Ould Slahi, një qytetar nga Mauritania që vazhdon të jetë i burgosur në Guantanamo, ka vendosur të mbledhë në një libër peripecitë e tij në qendrën e paraburgimit. Revista “Slate” ka publikuar disa fragmente të historisë së tij dhe ato që bien në sy janë detaje të sikletshme për Shtetet e Bashkuara. Situata është rënduar edhe më shumë sepse prej dy javësh vijon greva e urisë brenda strukturës së torturave. Ndërkohë, pak ditë më parë, Obama ka përsëritur domosdoshmërinë e mbylljes së saj.

I burgosur në Guantanamo që prej 4 gushtit të vitit 2002, Slahi vendosi në 2005-n që të fillonte të shkruante historinë e qëndrimit të tij aty. Ai tregon se gjatë transferimit të tij me barkë, ishte rrahur pandërprerje dhe pasi kishte mbërritur në ndërtesën e paraburgimit, ishte pritur nga një roje sigurie që i kishte thënë: “Mirë se erdhe në ferr!”.

Në vitin 1990, Slahi shkoi në Afganistan për të mbështetur muhaxhedinët, ku u stërvit në një kamp të Al Kaedës. Më pas ai u largua për në Gjermani dhe u rikthye në Afganistan në fillim të vitit 1992. Që nga ky vit i ndërpreu të gjitha lidhjet me Al Kaedën. Por, për administratën Bush, Slahi mbetej një i rekrutuar nga Al Kaeda e për këtë arsye u arrestua në Mauritani më 20 nëntor të vitit 2001, ku u mor në pyetje për shtatë ditë nga agjentët e këtij vendi. Slahi tregon se këtu ishte viktimë e torturave, para se të dërgohej në Guantanamo në gusht të vitit 2002.

Në librin e tij ai tregon se nuk iu dha asnjë mundësi për t’u mbrojtur në një proces të drejtë, si dhe mbi tmerrin e praktikave amerikane të përdorura: nga seancat e stërgjatura të hetimeve, te privimi i forcuar i gjumit e deri te poshtërimi fizik dhe psikologjik. Megjithëse në mars të 2010-s një gjykatë federale kishte përcaktuar se Shtetet e Bashkuara nuk kishin motive të vlefshme për ta mbajtur ende të burgosur, administrata amerikane iu kundërvu lirimit të tij. Vetë Slahi pohon: “Dua që të dëgjohet historia ime, tani nuk më intereson më nëse do të lirohem ose jo”.

Praktikat dhe abuzimet

Nga kujtimet e tij dalin në pah detaje rrënqethëse: “Na mbyllnin nëpër kafaze dhe në çdonjërin prej tyre na sillnin një përkthyes, nga i cili nuk kuptonim shumë. Kam parë skena rrahjesh dhe torturash të të burgosurve me probleme mendore. Na thoshin se për terroristët gjumi ishte i ndaluar dhe kështu kalonin ditë ku nuk arrinim të pushonim fare. Pas torturave të pësuara nga arrestimi në Mauritani, kujtoja se më e keqja kishte kaluar, kisha besim në sistemin gjyqësor amerikan, mendoja se çdo gjë do të zgjidhej, por gabohesha… Më pyesnin gjithmonë mbi të njëjtat gjëra, ashtu siç ndodhte me shumë të burgosur të tjerë. Kujtimet bëhen ekstremisht aktuale, nëse analizohet gjendja e tensionit këtu, me të burgosurit që nuk duan të ndërpresin grevën e urisë”, rrëfen Slahi. Presidenti Obama është përpjekur të nxisë Kongresin: “Duhet t’i japim fund me atë burg ku vazhdojnë të mbahen nën tortura 166 persona, prej të cilëve 55 janë deklaruar “të lirë” nga gjykata”. Por mbyllja e njërës prej faqeve më të errëta të historisë amerikane nuk duket ende e afërt. Përgatiti: Dorina Gjuzi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *