Julian Assange ka themeluar një parti

anazapta

Quhet “Wikileaks” dhe do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme australiane. Assange do të garojë si kandidat që nga ambasada ekuadoriane në Londër

Julian Assange ka themeluar një parti të re politike që mban emrin e organizatës së tij, Wikileaks, e cila do të marrë pjesë në zgjedhjet legjislative të Australisë. Këto do të zhvillohen tetë muaj para afatit të përcaktuar, në shtator të 2013-s. Partia e tij do të prezantojë shtatë kandidatë në Senat si përfaqësues të shteteve New South Wales, Victoria dhe Western Australia

Assange, qytetar me kombësi australiane është themeluesi i “Wikileaks”, organizatës ndërkombëtare që merr në mënyrë anonime dhe publike në adresën e saj të internetit dokumente të mbuluara nga sekreti shtetëror dhe nga ai bankar. Assange, sot ndodhet si refugjat në ambasadën ekuadoriane në Londër për t’i shpëtuar kërkesave për ekstradim nga ana e Suedisë, e cila kërkon ta arrestojë për akuzat e ngacmimit seksual ndaj dy ish-aktivisteve të Wikileaks lidhur me episode që i përkasin vitit 2010. Gjithashtu, ai përpiqet t’i shpëtojë edhe dorëzimit te Shtetet e Bashkuara, të cilat e akuzojnë se ka shpërndarë dokumente diplomatike me anë të Wikileaks. I intervistuar në telefon nga e përditshmja amerikane “New York Times”, Assange u shpreh se nuk do ta ketë të vështirë të drejtojë fushatën e tij elektorale nga ambasada: “Nuk do të jetë shumë ndryshe nga menaxhimi i organizatës sime. Kemi persona në çdo kontinent. Është fantastike që po angazhohem politikisht në vendin tim”.

Ai shtoi se qëllimi i tij është formimi i një grupi gazetarësh investigativë në Senat për të çuar përpara objektivat e Wikileaks: “Vlerat themelore të partisë: ato të transparencës, përgjegjshmërisë dhe drejtësisë do të jenë modeli të cilit do t’i drejtohemi për çdo çështje të rëndësishme për australianët, të tilla si: reforma në sistemin e taksave, të azilkërkuesve, në politikën mbi ndryshimet klimaterike  e të tjera. Nuk do të pranojmë ligje ose politika të bazuara mbi informacione të paplota, pak të njohura dhe të papërshtatshme”.

Sipas ligjit australian, nëse Assange zgjidhet, do të marrë vendin e tij në senat brenda një viti dhe pse mund t’i lejohet një shtyrje afati. Nëse nuk arrin t’ia dalë, ligji parashikon që posti mund të zihet nga një eksponent i të njëjtës parti. Qeveria britanike bëri të ditur se nëse Assange do të largohet nga ambasada e Ekuadorit në Londër, do të arrestohet menjëherë dhe do të dërgohet në Suedi. Por Assange shpjegon: “Nuk ka asnjë mundësi që Senati australian të lejojë pjesëmarrjen time në distancë: nuk është bërë kurrë më parë, edhe pse teorikisht është e mundur kjo gjë. Në çdo rast kemi kandidatë të disponueshëm për ta mbajtur vendin për aq kohë sa unë nuk do të kem mundësi të paraqitem vetë atje”/ D.Gjuzi.

Share This Article
1 Comment
  • SUPERLAJM.Jam e surprizuar dhe e kenaqur per hapin tejet te rendesishem per partine politike
    “Wikileaks” .Ndjej siguri qe ajo do te korre sukses ne zgjedhjet austrialiane dhe do te sjelle risi te enderruara nga njerzit;sidomos per me te kultivuarit.URIME dhe shendet ketij njeriu te madh qe i dha diten e tij te gjithe Botes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *