Mocioni i mosbesimit ndaj kryetarit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, nuk është votuar. Siç pritej, Parlamenti Evropian, i mbledhur në Strasburg ka vendosur kundër mocionit të paraqitur nga euroskeptikët e grupit “Europa e Lirisë dhe Demokracisë”, i drejtuar nga Nigel Farage (UKIP) dhe “Lëvizja 5 yjet” e Beppe Grillos.
Me 650 pjesëmarrës, 101 votuan në favor, 461 kundër dhe 88 abstenuan. Nga të gjitha mocionet që janë paraqitur në dekadat e fundit, ai i djeshmi ishte ndoshta një nga ata që e shqetësonte më pak personin e prekur.
Juncker kishte dhe ka mbështetjen e njerëzve të tij, Partisë Popullore Evropiane, të socialistëve dhe liberalëve, të cilët kanë bërë të qartë se nuk do të mbështesnin një masë të së djathtës ekstreme që do të shërbente për të dobësuar BE-në.
Teksti i mocionit të mosbesimit denonconte që shtetet anëtare të BE-së kanë humbur, miliarda euro nga të ardhurat fiskale si pasojë e shmangieve të taksave të shoqërive të vendosura në Luksemburg gjatë periudhës që Presidenti i ri i Komisionit, Jean-Claude Juncker, shërbeu si kryeministër.
Për më tepër Juncker akuzohej se ishte përgjegjësi direkt i këtij rrjeti. Presidenti i Komisionit ka përsëritur se këto lloj marrëveshjesh ekzistojnë në 22 vendet anëtare dhe i ka lënë dorë të lirë, komisioneres së konkurrencës, Margrethe Vestager, që të hetojë nëse këto marrëveshje ishin ilegale.
Zakonisht këto hetime zgjasin disa vjet. Për më tepër Juncker ka njoftuar masa të reja për të luftuar evazionin fiskal nga ana e kompanive shumëkombëshe, duke përfshirë harmonizimin e tatimeve të korporatave dhe shkëmbimin automatik të informacionit fiskal mes shteteve anëtare për vendimet tatimore që përfitojnë këto lloj kompanish.
Propozimi i Juncker do të ishte një ndryshim dramatik në politikën fiskale të BE-së, por për këtë do të duhej unanimiteti i 28 –ëve, diçka që është shumë e vështirë.
Sidoqoftë, Juncker që të mërkurën prezantoi planin e shumëpritur të investimeve, i cili arrin deri në 315 miliardë euro në tre vitet e ardhshme për të krijuar më shumë se një milion vende pune, fitoi një sfidë të re dhe tashmë mund të përballet me qetësi me çdo sfidë që e pret.
