Jup Hajnkes vlerëson: Barca, më tepër se Mesi

anazapta

Trajneri i Bajernit, Jup Hajnkes, këmbëngul se ai e njeh “shumë mirë” Barcelonën dhe nuk ka nevojë për këshillat e Pep Guardiolës, pasardhësi i tij në Munih që nga 1 korriku dhe ish-trajner i kundërshtarit të sotëm. Pyetjet për Guardiolën janë të pashmangshme në prag të kësaj sfide të madhe dhe 67-vjeçari nuk e fsheh respektin për kolegun e ri. “E respektoj Josep Guardiolën dhe kemi marrëdhënie shumë të mira. Por, nuk kam nevojë për ndonjë informacion prej tij, sepse e njoh futbollin spanjoll dhe Barcelonën shumë mirë”, tha trajneri i Bajernit në konferencën e djeshme për shtyp. “Barcelona ka dominuar futbollin evropian gjatë viteve të fundit. Ka një filozofi që është unike”. Hajnkes udhëhoqi Real Madridin në triumfin evropian më 1998, i pari pas 32 vjetëve për të bardhët, por beson se futbolli i sotëm bazohet më tepër në punën e skuadrës. “Skuadra është më e rëndësishme se individët, ndonëse ka gjithmonë lojtarë që bëjnë diferencën. Barça ka Mesin, për shembull, por loja kolektive është ajo çka i bën aq të mirë”. Më tej, 67-vjeçari vë në dukje se pikërisht kjo vlen edhe për Bajernin, duke e bërë skuadrën e tij jashtëzakonisht të fortë sivjet. “Nëse do të më duhej të përmblidhja me dy fjalë forcën e Bajernit në këtë sezon, do të thosha “lojë skuadre”. Po luajmë futbollin më modern në historinë e klubit. Kam shumë gjëra të ndryshme për të cilat mund të përgatitemi, por spontaniteti dhe intuita janë shumë të rëndësishëm në futboll. Të jesh mirë fizikisht dhe i fortë është njëra anë, por ne bashkojmë futbollin fizik me atë cilësor. Nuk jemi një skuadër thjesht fizike. Punojmë së bashku si skuadër dhe luajmë futboll modern”. Tema tjetër e prekshme në prag të finales së sotme është aktivizimi i Leo Mesit. Argjentinasi ka qenë i dëmtuar së fundmi, çka ngjalli dyshime për aktivizimin. Hajnkes pret që ai të jetë në fushë. “Me sa di unë, Mesi është stërvitur normalisht dhe do të jetë në formacion. E di që ka pasur disa probleme muskulore, por nuk di të ketë pasur diçka më serioze”. Nga ana tjetër, Hajnkesit do t’i mungojë sulmuesi Mario Manxhukiç, pas kartonit të verdhë në Torino. Trajneri nuk zbuloi asgjë në lidhje me zëvendësuesin, Mario Gomez apo Klaudio Pizarro. “Është gjë e madhe të kesh në skuadër dy lojtarë të tillë. Njëri është shënuesi më i mirë i huaj i Bundesligës, tjetri është sulmuesi më i mirë gjerman dhe shënues i 12 golave vjet në Champions. Jam me fat që i kam të dy. Do të flas me ta e pastaj do të vendos”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *