Sezonin e shkuar Jurgen Gjasula shkaktoi shumë zhurmë duke u transferuar nga Bundesliga 2 në kampionatin bullgar te Litex Lovech, aty ku mesfushori kuqezi gjeti edhe shkodranin Armando Vajushi. Te skuadra bullgare mesfushori luajti për një sezon. Planet më pas ndryshuan dhe klubi bullgar së bashku me Gjasulën gjetën konsensusin për prishjen e marrëveshjes dhe prej dy muajsh Gjasula është një lojtar i lirë.
Por duket se Gjermania është e shkruar në fatin e Gjasulës dhe ish-lojtari Duisburgut do të rikthehet përsëri në atdheun e tij të dytë. Prej disa ditësh Gjasula është duke zhvilluar një provë te skuadra e Aalen në Bundesligën 2, ku mesfushori kuqezi ka dhënë më të mirën dhe ka marrë përgëzime nga stafi teknik i skuadrës gjermane. Lojtari ka kaluar me sukses provën dhe tashmë pritet të arrihet edhe marrëveshja ndërmjet palëve.
Fundi i merkatos duket se po sjellë edhe surpriza në merkaton e kuqezinjve, ku ashtu si Valdet Rama, edhe Jurgen Gjasula, të dy ende pa kontratë, janë duke gjetur destinacionet përfundimtare nga do të kërkojnë të japin maksimumin e tyre për të qenë në grupin e De Biasit për eliminatoret e Francë 2016.
