Xhahid Bushati
Është i dyti vit që shpallet “Fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë”. Viti i parë kishte autore: Ministrinë e Kulturës, ndërsa këtë vit autore ishte: Qendra Kombëtare e Librit dhe e leximit.
Këtë inciativë dobiprurëse dhe kreative, unë e çmoj shumë dhe e përshëndes. Kjo inciativë vjen në një kohë kur Letërsia shqipe për fëmijë e të rinj është zvogëluar ca si shumë, kur mosha mesatare e shkrimtarëve të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj është mbi 70 vjeç; aq më shumë kur kjo letërsi pothuajse nuk ka asnjë urë komunikimi me Letërsinë shqipe që krijohet në Kosovë. Pra, një letërsi shqip që flet shqip, por që libri shqip nuk njeh librin shqip. Kjo, në vetvete, nuk është mangësi, është një dramë në fushën e kulturës dhe hapësirave shqiptare që “taksën” e paguajnë brezat e sotëm dhe të ardhmërive. Nuk po flas për studimet e kritikën letrare në fushën e Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, që, së paku në këto 20 vitet e fundit janë të varfëra, anemike e mosnjohëse të zhvillimit e të rrjedhës së kësaj letërsie.
Gjithmonë kam menduar dhe i rri këtij mendimi se, juritë kanë vlera të jashtëzakonshme dhe mendimet e tyre deri në një farë mase shënjojnë edhe rrugëtimin e mëtejshëm të Letërsisë shqipe (në rastin konkret) për fëmijë e të rinj. Prandaj, në vizionin tim, anëtarët e jurisë duhet të jenë personalitete që kanë dhënë kontribute të shquara në Letërsinë për fëmijë e të rinj apo të jenë Mjeshtra të fjalës së saj. Po ç’ndodhi me juritë e vitit 2019 e tani me 2020? Juria e parë përbëhej nga shkrimtarë, përkthyes dhe studiues, si: Lili Sula, Virgjil Muçi, Erion Kristo, Rovena Rrozhani dhe Suela Bala, që, sipas mendimit tim janë me kontribute të pakta në shkrimtarinë e Letërsisë shqipe për fëmijë, disa prej tyre nuk kanë lidhje më këtë letërsi.
Po ky fenomen, përsëritet, edhe në vitin 2020. Juria është e përbërë prej Gaqo Bushakës, Anisa Ymerit dhe Enkelejd Lamajt. Po ç’thonë këto emra? Gaqo Bushaka është një emër i njohur, e shkruan bukur përrallën. Edhe në librat e fundit që ka botuar, i ruan vlerat e vërteta të kësaj letërsie. Këto libra i kam lexuar dhe studiuar, dhe më kanë pëlqyer. Por, ama, ky shkrimtar 80-vjeçar, nuk ka një shkrim për letërsinë për fëmijë të botuar, së paku në ndonjë gazetë e për rrjedhojë, qofsha i gabuar, nuk ka sesi të njohë ecurinë e kësaj letërsie, problematikat që ajo ka, prirjen dhe në ç’gjendje është ajo, sot? Kjo mosnjohje, lë shteg për gjykime jo të drejta… Kurse Anisa Ymeri dhe Enkelejd Lamaj, të nderuar në punët e tyre, nuk kanë asnjë lidhje me letërsinë shqipe për fëmijë, në rastin si studiues apo si krijues, apo si… Ende s’e kuptoj, përse kanë ardhur si anëtarë jurie; mos ndoshta kanë humbur rrugën?.. Pra, kjo juri, me më shumë antivlera se vlera, është e zgjedhur për të gjykuar krijimet e 20 autorëve të ardhur në përgjigje të këtij “Fondi…”. Kjo juri po të ishte sadopak transparente, duhej të kishte marrë mundimin e t’i publikonte emrat pjesëmarrës, të bënte diferencime dhe krahas fituesve, të përgatitej një relacion mbi mangësitë apo dobësitë e këtyre veprave që u paraqitën. Ndoshta kjo juri ka kopjuar veprimin e jurisë së një viti më parë, pa i dhënë kujt llogari është mjaftuar vetëm më dhënie çmimesh…Po ç’ndodhi me çmimet e Vitit 2020, të dhënë para pak ditësh? Juria mendoi të fitonin tre vetë, dhe ata ishin: Luan Rama, Rudina Çupi dhe Rovena Rrozhani. Po ç’ndodh në historinë e jurive? E kam fjalën: për vitin 2019 e 2020. Një vit më parë (2019) juria e Ministrisë së Kulturës, vlerëson krahas të tjerëve dhe: Luan Ramën dhe Rudina Çupin, si dhe Gaqo Bushakën. Pra, këto dy emra janë fitues (Luan Rama dhe Rudina Çupi) përsëri për vitin 2020, ndërsa Gaqo Bushaka si fitues i viti 2019 “vlerësohet” si kryetar jurie për vitin 2020. Ndërsa Rovena Rrozhani nga anëtare jurie në vitin 2019, bëhet fituese me librin me përralla “Fani në kërkim të dritës” këtë vit. Sa lojë e bukur shahu, pavarësisht se unë nuk di të luaj shah!
-Veprat fituese të vitit 2019 u shoqëruan edhe motivacione përkatëse, si këto që po i përmend më poshtë: – Gaqo Bushaka (në kategorinë poezi), me motivacionin: “Për mjeshtërinë e vargëzimit të thjeshtë shumë afër botës fëminore, me tingullim melodik, pastërti gjuhësore dhe larmi tematike”. – Hysen Kobellari, (në kategorinë rrëfenja) me motivacionin: “Për merita të spikatura në qëmtimin, përpunimin dhe sjelljen në një kontekst të ri letrar të një trashëgimie folklorike që kemi nevojë ta kultivojmë tek fëmijët tanë si pasuri identitare”. – Rudina Çupi (në kategorine përrallë), me motivacionin: “Për kurajën e një narrative me peshë të lartë përmbajtësore për fëmijët, që e sfidon dhe edukon lexuesin me inteligjencën e humorit dhe frymën e lojës, duke kthyer në vëmendje FJALËN”. – Luan Rama (në kategorinë e librit didaktik), me motivacionin: “Një tekst letrar që mbart vlera të spikatura didaktike, përmes kultivimit artistik të dijes dhe vlerave kombëtare për fëmijët, me një ligjërim të zhdërvjellët e të ilustruar bukur”. – Viktor Canosinaj (në roman), me motivacionin: “Arrin të mbajë zgjuar interesin e lexuesit të ri, duke ruajtur brenda një strukture të pastër konceptuale dhe gjuhësore, ligjërimin artistik grishës dhe formues njëkohësisht”.
Një këqyrës i vëmendshëm i këtyre motivacioneve, nuk e ka të vështirë të kuptojë fjalët bombastike që janë përdorur (të cilat ruajnë një shkëlqim të rrejshëm), për rebusin e termave marramendës e të pakuptueshëm për t’i dhënë maksimalisht karakterin (teori letërsie), për sintagmat, shpesh kontradiktore me njëra-tjetrën, etj. Gjithashtu, nga një gjykim imi më rezulton, se të gjitha formulimet janë bërë nga një dorë, e cila, sigurisht, asgjë se lidh me letërsinë për fëmijë. Gjithashtu, duke u bazuar mbi formulimet që janë bërë në dobi të vlerave të veprave fituese, lavdërimet janë aq të mëdha (nuk ka qiell që i zë) sa Letërsia shqipe për fëmijë, me këto vepra, arrin maja e lartësi të reja e të papara. Për këtë unë do t’i përmbahem shënimeve dhe gjykimeve të mia për librat: “Pse iku qenushi?” (vjersha për fëmijë, botues: Pegi, Tiranë, 2019), “Kakarina” (përrallë xanxare, Seria Fjalistike, botues Botart, Tiranë, 2019), të cilët janë fitues për vitin 2019.
-Libri “Pse iku qenushi?” (Besoj, që Gaqos, duhet t’i ketë shpëtuar (?) në fund të fjalisë, pasi titulli i formuluar është fjali pyetëse.). Ky është libri i tretë poetik i prozatorit Gaqo Bushaka. Janë disa dukuri që të bien në sy menjëherë: 1. Fryma e vjetëruar me të cilën ndërtohen vjershat. 2. Shumë strofave duke u dhënë ngjyra humori, ngjajnë si bejte. 3. Ka një dendësi asimetrike strofash, Shqip: mungon rrjedhëshmëria e vargjeve dhe ka deforomime metrike të rrokjeve në vargje. 4. Nga mënyra se si vijnë vjershat e ndërtuara, sikur u takojnë viteve ’50. Letërsia shqipe këtë lloj poezie, tashmë, e ka kapërcyer me sukses.
Po sjell për ilustrim ca strofa të vjershave të ndryshme:
1.
“S’kam frikë nga nata,
fener është hëna,
po e pashë keq,
vrapoj te nëna…” (vjersha: “Jam ushtar i vogël”, f. 7)
2.
Atë vit, ulliri
asnjë kokërr s’bëri,
prandaj dhe bujku
nga rrënja e shkuli.” (vjersha “Rrënjë e degë…”, f. 6)
3.
“Ah, mor nip,
mor qerrata,
turp me bukë
unë s’do të ha!”
U mundua gjyshi
si djalë i ri,
tani anglishten
e flet për bukuri.” (vjersha “Gjyshi flet anglisht”, f. 51)
Mund të sjellin edhe shembuj të tjerë, të cilat ky libër poetik i ka me shumicë.
-Libri “Kakarina” autore Rudina Çupi, (përrallë xanxare, Seria Fjalistike, botoi Botart, Tiranë, 2019)
Duke njohur më parë motivacionin fitues të këtij libri, si dhe mënyra e formulimit të tekstit në fjalë, më zgjoi kureshti të madhe ta lexoja librin. Është një libër, me një profil ndryshe, nga ai që i takon letërsisë së mirëfilltë artistike. Nuk e di se në ç’raporte është origjinalja me tekstet simotra në tekstet e huaja të kësaj natyre. Është një libër i përgatitur hijshëm, me ilustrime që shquhen plot fantazi dhe janë funksionale; i takojnë sferës së Didaktikës gërshetuar më Psikologjinë. Libri “Kakarina” me një titull kakofonik dhe deri diku me nuancë pejorative; në të gjitha kapitujt e tij, shfaqen dukshëm dy elemente bazë: 1.Meditacioni dhe 2. Rrëfimi i autores, që nganjëherë i humbet përceptimi, natyra dhe mosha fëminore aty-këtu tekstit.
Meritë e autores është se ajo në një masë të përgjithshme komunikon me lexuesin, e ka përballë dhe aktiv. Mundohet që në të shumtën e rasteve lexuesin ta bëjë personazh të librit duke ia përmbushur shpirtin me lodërzime dhe cilësi të vyera. Gjithashtu meritë e autores është edhe për situatat shpesh elegante që krijon, për humorin që sjell, për aventurat gjuhësore, për personazhet që i portretizon plot fantazi etj. etj. Mendoj, se në këtë gamë arritjesh që duhen lavdëruar, 1. Autorja e ka ngarkuar ca si tepër në problematikë librin me gjithë humorin, copëzat e përrallave, gjuhën e fjalëve, nivelin e kuptimshmërinë e tyre, lojërat përkatëse, etj. Libri nuk e mban gjithë këtë ngarkesë, ndaj shpesh është dhe pak çoroditës, 2.Neologjizmat, fjalët e vjetra (me gjithë shpjegimet të Fjalorthit të fjalëve, të Fjalorthit konceptuar) të përdorura sikur e pengojnë rrjedhën e ngjarjes a të situatës që prezantohet. 3. Në kompozicionin e veprës, kështu siç është ndërtuar, i mungon soliditeti dhe shfaqet herë pas here një eklektizim, gjë që e lodh dhe shpërqëndron psikikën, natyrën dhe kurreshtjen e fëmijës.
-Veprat fituese të vitit 2020 u shoqëruan edhe motivacione përkatëse, si këto që po i përmend më poshtë: – Luan Rama me romanin “Udhëtim drejt planetit Arbër” -Për temën interesante, sa kombëtare aq dhe universale, që trajton dhe gjuhën e pëlqyeshme e të kuptueshme për fëmijët. -Rudina Çupi me librin didaktiko-letrar “Grama Tik-Tok” –Për vlerat e larta gjuhësore që nxit lidhjen e “shkëputur” të fëmijëve me zotërimin e gjuhës shqipe për mes historive. – Rovena Rrozhani me përrallën “Fani në kërkim të dritës” – Për nxitjen e fantazisë së fëmijëve, duke i motivuar ata që të kërkojnë lidhjen e munguar me natyrën. I shoqëruar me ilustrime të arrira, libri e çon edhe më tej fantazinë- (Një vëmendje të veçantë morën ilustrimet e Artur Dautit te “Fani në kërkim të dritës”. Edhe motivacioni vinte në dukje nxitjen e fantazisë së të vegjëlve. Bushaka tha se “kam vite pa parë ilustrime kaq të arrira…” (Kjo fjalë e Gaqo Bushakës, thuhet në ditën e dhënies së çmimeve, më 10 gusht. Nuk e di pse më shfaqet një hamendësim: Autorja paska paraqitur librin edhe me ilustrime, Siç duket e paska ditur më parë se do të fitojë…).
Sigurisht, konkurse dhe aplikime në fushën e Letërsisë për fëmijë do të ketë në të ardhmen. O ju anëtarë jurie uluni në karriget që duhet t’i meritoni, në të kundërt do të merrni turpin si pararendësit tuaj.
Shkodër, gusht, 2020.
