Raundi i 1/8-ave në UEFA Champions League ndizet këtë të Martë me dy duele shumë të forta.
Në Torino luhet Juventus-Bayern Munich ndërsa në Londër Arsenal-Barcelona. 3-vjet pas atyre dy sfidave shumë emocionuese në çerekfinalet e këtij kompeticioni, Juventusi dhe Bayerni do të përballen sërish.
Bardhezinjtë këtë herë do të kërkojnë revanshin për atë eliminim me rezultat të përgjithshëm 4-0 por përballë armatës së Pep Guardiolës nuk do ta kenë aspak të thjeshtë. Pa Giorgio Chiellinin, Martin Caceres dhe Alex Sandron të dëmtuar Allegri me shumë mundësi do të luajë me skemën 4-4-2.
Në sulmin e Juventusit përkrah Dybalas rikthehet nga dëmtimi një ish si Mario Mandzukic i cili do të kërkojë hakmarrjen personale ndaj trajnerit Pep Guardiola për trajtimin që ky i fundit i bëri në sezonin 2013-2014.
Edhe te Bayerni mungesat janë të shumta më konkretisht në fazën mbrojtëse dhe Guardiolës i duhet të improvizojë për të formuar një prapavijë sa më potente.
Për të zëvendësuar të dëmtuarit Jerome Boateng dhe Javi Martinez në qëndër të mbrojtjes trajneri spanjoll i bavarezëve po mendon për një dyshe të përbërë nga David Alaba dhe Joshua Kimich por pa përjashtuar këtu një aktvizim që nga minuta e parë të blerjes së re Serdar Taschi apo një zhvendosje në prapavijë të Xabi Alonsos.
Faza e sulmuese e Bayernit si në pjesën më të madhe të ndeshjeve të këtij sezoni pritet të formohet nga 4-shja Douglas Costa, Arjen Robben, Thomas Muller dhe Robert Lewandowski.
Në 8 përballjet e fundit direkte mes këtyre dy ekipeve Bayerni është disi më superior pasi ka fituar 4 ka barazuar 1 dhe ka humbur 3. Megjithata vëmendja këtë të Martë nuk do të jetë vetëm në Juventus Stadium pasi në Emirates luhet një tjetër duel shumë i rëndësishëm.
Sërish përballë njëra-tjetrës do të jenë Arsenali dhe Barcelona dy skuadra që në 2006-tën kanë diskutuar finalen e Championsit ndërsa në vitet e fundit janë ndeshur disa herë.
Pavarësisht se luhet në Londër favorite për të hipotekuar kualifikimin në çerekfinale që në sfidën e parë të raundit 1/8-ave është padiskutim Barcelona e Luis Enriques katalanasit po përjetojnë një moment të shkëlqyer forme dhe do të kërkojnë të bëjnë të njëjtën gjë ndaj topcinjëve të Arsene Wenger si në vitet 2010 dhe 2011 kur e nxorrën jashtë këtij kompeticioni Arsenalin.
Në prag të kësaj sfide të bën përshtypje deklarata e trajnerit të skuadrës londineze Arsene Wenger i cili në konferencën për shtyp përpara ndeshjes u shpreh se për të është më e vështirë të përgatisë një ndeshje ndaj Hull City-it që luan në Championship sesa përballë Barcelonës, kjo për vetë faktin se sipas francezit futbollistët e tij për të tilla sfida ndaj ekipeve me emër të madh janë maksimalisht të motivuar.
Të dy trajnerët do të hedhin në fushë formacionet më të mira të mundshme teksa mungesat më të shumta pritet t’i ketë Arsenali që për arsye dëmtimi nuk ka në dispozicion lojtarë të tillë si Santi Cazorla, Jack Willshire, Tomas Rosicky, Mikel Arteta e Gabriel Paulista.
